Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCXCIII) KRRABA – FSHAT–QYTETI I MINIERËS SË QYMYRGURIT DHE I TUNELEVE TË FLORIRIT

Shtegtime nëpër Atdhe (CCXCIII)
KRRABA – FSHAT–QYTETI I MINIERËS SË QYMYRGURIT DHE I TUNELEVE TË FLORIRIT
Në gjysmën e autoudhës Tiranë – Elbasan, 24 km nga Tirana dhe 24 km nga Elbasani, ndodhet fshati Krrabë. Me ndërtimin e autoudhës Tiranë – Elbasan dhe të rrugës 3-kilometërshe të Krrabës, distanca kohore për të mbërri nga Krraba në kryeqytet nga një orë, sa ishte më parë, është shkurtuar në vetëm 15 minuta.
Krraba është fshat me rreth 900 banorë, është qendër e njësisë administrative në bashkinë e Tiranës, që shtrihet në një zonë kodrinore në lartësi mbidetare nga 200 deri 900 metra.
Fshati Krrabë dikur identifikohej me minierën e qymyrgurit, e hapur poshtë fshatit në vitin 1957. Për nevojat e minierës, nga vise të ndryshme të vendit, në Krrabë ishin sjellë rreth 2000 punëtorë, për të cilët ishin ndërtuar pallate me banesa, duke e kthyer Krrabën në një qytezë të minatorëve. Miniera ka punuar deri në vitin 1990, kur ka dalë jashtë funksionit e qyteza, që jetonte falë minierës, sot mbijeton me shumë vështirësi. Kështu, miniera është shndërruar në gërmadhë, minatorët kanë mbetur pa punë, qyteza është kthyer në fshat, edhe pse ende mbanë statusin e qytetit. Për shkak të varfërisë dhe të papunësisë, të rinjtë kanë ikur në kurbet, ndërsa burrat janë në asistencë apo mbledhin bimë mjekësore, sa për të mbetur gjallë. Në vitin 1975 ekonomia e Krrabës kishte fituar edhe një objekt të veçantë, fermën për prodhimin e krimbit të mëndafshit, që furnizonte industrinë e tekstilit në vend. Popullsia e këtij fshati tradicionalisht është marrë me blegtori, ndërsa kohëve të fundit ka filluar të zhvillohet gjuetia, si një sektor që stimulon turizmin malor dhe sportiv.
Viteve të fundit në Krrabë, pa dëshirën dhe pajtimin e banorëve të fshatit dhe pa leje të institucioneve të shtetit, është vendosur fabrika e asfaltit. Kjo fabrikë është kthyer në një problem serioz mjedisor, duke u bërë ndotës i madh i tërë zonës së Krrabës.
Fshati i Krrabës tashmë ka hyrë në një histori të veçantë, shumë të ndjeshme. Në vargmalet e tij ndodhen tunelet nëntokësore ku, pos tjerash, dikur ishte strehuar një pjesë e thesarit të shtetit. Faktikisht, thesari më parë ishte i strehuar në strehimoret më të sigurta e të posaçme të Skraparit por, pas vitit 1990 ishte bartur në tunelet e pasigurta në Skuterrë të Krrabës, që ishin të ndërtuara për strehimin e qeverisë në rast lufte. Në mars – prillin e vitit të rëndë 1997 në tunelet e Krrabës, ku ishte strehuar thesari, është grabitur 367 kg ari në vlerë prej 2.8 milionë dollarë. Vjedhja është konstatuar një vit e gjysmë më vonë, në shtator të vitit 1998, kur në Tiranë është zbuluar një sasi e floririt të vjedhur. Prej atëherë, për grabitjen e arit janë dënuar pesë persona, në mesin e tyre edhe një kolonel policie, të cilët ishin shpallur përgjegjës për vjedhjen e më pak se 10 për qind të sasisë së grabitur. Ndërsa, ka mbetur pa u zbuluar edhe 90 për qind e sasisë së grabitur. Pjesa e thesarit që kishte mbetur në tunelet e Krrabës, shumë herë më e madhe se sasia e grabitur, është bartur në Bankën e Shtetit Shqiptar në Tiranë në vitin 2000.
Si një vend turistik, edhe Krraba ka disa pika që duhet të vizitohen, siç është Syri i Ciklopit, Shpella e Mbytjes, Ujëvara e Krrabës, Lapidari i Krrabës, Gryka e Murdhanit etj. Njëra ndër perlat më interesante turistike, e fshehur diku në malet e Krrabës, është Syri i Ciklopit. Kjo pikë tërheq vizitorë të shumtë, adhurues të notit, të aventurës dhe të natyrës së egër. Rrethohet me shkëmbinj të mëdhenj, ku uji ka krijuar vaska të vogla dhe në mes tyre vaskën e madhe e të thellë. Legjenda thotë se Cikllopi ishte një bishë e madhe, që e dëmtonte fshatin, ndërsa fshatarët u përleshën me të dhe e vranë. Gjatë përleshjes, bisha ka rënë në greminë dhe ka humbur syrin e tij, duke krijuar basenin me ujë të ftohtë. Për të shkuar nga Krraba te Syri i Cikllopit duhet ecur këmbë rreth një orë nëpër një rrugë të ngushtë e të vështirë. Shpella e Mbytjes, pranë Krrabës, është mjaft interesante për ta vizituar. Brenda saj ka një larmi stalaktitesh dhe stalakmitesh me forma dhe ngjyra të ndryshme. Një perlë tjetër është edhe Ujëvara e Krrabës, 10 metra e lartë nga baza e saj, e cila është sezonale, ngase furnizohet me ujë nga një përrua që shteron gjatë verës.
Krraba e varfër është e njohur për ansamblin e njohur artistik “Visaret e Krrabës”, është e njehur edhe për vallet popullore dhe për kostumin karakteristik, që punohet në tezgjah. Madje, ky fshat me sukses organizon festivalin e përvitshëm folklorik kombëtar “Ritet pranverore”. Gjithashtu, Krraba është në festë të madhe kur organizohet panairi agro-ushqimor me prodhime të vendit.
Krraba gjithnjë e më shumë po kthehet në një pikë të pëlqyer turistike. Veçanërisht, Krraba ka rëndësi turistike për banorët e Tiranës milionëshe. Aty, si rrallë kund, mund të shijohet bukuria e natyrës, ajri i pastër, ushqimet tradicionale. Ky fshat mbetet vendi më i pëlqyer për ata që e adhurojnë daljen në natyrë, por edhe sportet e aventurës, piknikun, alpinizmin, ecjen në natyrë, kanoen, raftingun etj.