Shtegtime nëpër Atdhe (CCXCI)
PLAZHI I DURRËSIT – PLAZHI I SHNDËRRUAR NË NJË QYTET TË MADH
Plazhi i Durrësit, rreth 5 km nga Durrësi, tashmë është një vendbanim i veçantë, një qytet i madh në bregun e Adriatikut. Ky plazh, i gjatë rreth 12 km, është plazhi më i vjetër, më i madh, më masivi dhe më i vizituari në Shqipëri. Plazhi është pjesë e Gjirit të Durrësit, me vijë bregdetare rreth 60 km. Karakteristikë e Plazhit të Durrësit është rëra e imët, gjerësia e shfrytëzueshme natyrore, cektësia e madhe dhe thellësia, që rritet gradualisht. Si i tillë është i përshtatshëm për larje, sidomos të fëmijëve. Plazhi ka kapacitet të vendosjes për 400 – 500 mijë pushues brenda vitit.
Kombinimi i tre faktorëve natyrorë në plazh; i ujit të detit, me përqindje të lartë të kripës dhe të jodit, i rërës së imët të cilësisë së lartë dhe i ajrit të freskët që ndikon në shërimin e sëmundjeve të reumës, të tiroideve, të mushkërive e të sëmundjeve tjera.
Në fillim të shekullit të kaluar zona e plazhit ishte tokë me duna të rërës, e mbuluar me ferra e barishte. Në vitet 30-ta të shekullit të kaluar për herë të parë është hartuar një plan rregullator, që përfshinte territorin mes rrugës Durrës – Kavajë deri në bregun e detit, me gjatësi 4 km dhe me gjerësi prej 200 deri 800 metra. Atë kohë për pushues kishte filluar të ndërtoheshin shtëpizat e para një e dykatëshe. Ndërsa frekuentimi masiv i Plazhit ka filluar në fillim të viteve 60-ta të shek. të kaluar. Në këtë kohë është sistemuar plazhi dhe janë ndërtuar godinat e para të mëdha, siç janë hotelet “Adriatiku”, “Butrinti”, “Durrësi”, “Kruja” dhe “Apolonia”, Shtëpia e Pushimit të Punëtorëve, me rreth 600 shtretër etj.
Plazhi i Durrësit, me shtrirje të gjerë e të gjatë, ndahet në disa sektorë, siç janë: “Iliria” (plazh popullor), “Teuta”, Hekurudha, Plepat, Kovaleshenca (plazh i ministrive të Brendshme dhe të Mbrojtjes), Kampi i Pionierëve etj. Pastaj, janë ndërtuar edhe një mori kabinash (baraka) për pushues. Në vitet 80-ta plazhi u sistemua, por projekti nuk kishte përfunduar për shkak të ndryshimit të sistemit politik.
Plazhi i Durrësit ka qenë dhe mbetet plazhi më i vizituar dhe me traditë më të gjatë të pushimeve në det në Shqipëri. Pas vitit 1990 interesimi i pushuesve për këtë plazh është rritur nga viti në vit, veçanërisht nga shqiptarët që vijnë rregullisht nga R. e Kosovës, Republika e Maqedonisë së Veriut dhe nga mërgata shqiptare e të gjitha trojeve tona. Gjithnjë e më shumë turistë vijnë edhe nga tërë Evropa e më gjerë. Plazhi i Durrësit ofron kushte të mira dhe të lira të vendosjes, ndaj tërheq turistë të shumtë vendorë dhe të huaj. Veçanërisht plazhi mbipopullohet fundjavës, kur plazhi mbushet me pushues njëditor nga Durrësi e Tirana. Vetëm verën e kaluar në Plazhin e Durrësit kanë pushuar rreth 1 milion turistë.
Mrekullia natyrore, e quajtur Plazhi i Durrësit, ka mbetur si shembulli më i keq i shkatërrimit mjedisor, turistik e urbanistik. Sot në Plazhin e Durrësit kemi qindra, ndoshta edhe mijëra ndërtime, që kanë shkatërruar plazhin, duke iu afruar bregut të detit dhe duke e zhdukur gjelbërimin. Dëmet e bëra janë pasojë e pangopësisë së njeriut dhe papërgjegjshmërisë së pushtetit gjatë viteve të tranzicionit të shoqërisë shqiptare. Ndotja dhe shkatërrimi i mjedisit, betonizimi dhe asfaltimi, ndërtimet pa kritere e kishin dëmtuar rëndë imazhin e plazhit. Plazhi kishte një brez të gjerë të rërës prej rreth 150 – 200 metra dhe ka mbetur me 50 – 60 metra, ndërsa brezi i pishave është zhdukur në tërësi. Janë prerë pishat dhe në vend të tyre janë ngulur pallatet dhe hotelet e shumta shumëkatëshe, shumë prej tyre pa plan të ndërtimit e pa kritere urbanistike, madje duke e uzurpuar edhe brezin e rërës. Plazhi ishte i mbushur me tregtime ambulatore, pa kritere higjienike – sanitare, me rrjedhje të ujërave të zeza, me mushkonja e insekte tjera. Nuk kishte infrastrukturë urbane e turistike dhe kanë munguar banjat publike, dushet, parkingjet, ka munguar energjia elektrike dhe uji i pijshëm. Dëmi i krijuar në shkallë të gjerë vite me radhë është vështirë të riparohet. Edhe tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019, me humbje edhe të jetëve njerëzore, ka treguar më së miri për abuzimet që janë bërë në ndërtim, duke krijuar në Plazhin e Durrësit katrahurën ndërtimore shkatërrimtare.
Megjithëse viteve të fundit janë bërë përmirësime të dukshme të plazhit, sidomos në rregullimin e rrugëve dhe mirëmbajtjen e pastërtisë, ka mbetur edhe shumëçka për të dëshiruar. Ende ka probleme me pastrimin dhe plugimin e plazhit. Tash për tash 30 për qind e hapësirës me rërë do të jetë plazh publik dhe 70 për qind të sipërfaqes do të udhëhiqet nga hotelet dhe restorantet buzë detit. Një projekt i ri, që po realizohet këto ditë, është ndërtimi i shëtitores (lungomares), që nga Ura e Dajlanit deri te Kavaleshenca, ku do të ketë edhe kënde lojërash për fëmijë, fusha sportive, objekte higjienike – sanitare, pistë vrapimi e pistë biçikletash, kulla vrojtimi etj.
add a comment