Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCVIII) – GJILANI – DIKUR QYTET “VIRAN”, SOT QYTET UNIVERSITAR

Shtegtime nëpër Atdhe (CCVIII)
GJILANI – DIKUR QYTET “VIRAN”, SOT QYTET UNIVERSITAR
Qyteti i radhës, Gjilani, është një vend me histori e tradita të veçanta. Gjilani është qendra kryesore e krahinës së Moravës dhe njëri ndër shtatë qytetet më të mëdha të R. së Kosovës. Rreth tre – katër kilometra larg qytetit, që ka lartësi mbidetare 500 – 590 metra, rrjedh lumi Morava, prej të cilit dikur e ka marrë emrin qyteti e sot e mbanë këtë emër tërë krahina. Emri i vjetër i lumit Morava është Angros, të cilin Herodoti e përmend në shek. V p.e.r. Pozita gjeografike ia ka mundësuar Gjilanit lidhjet e mira rrugore me qytetet Ferizaj (34 km), Prishtinë (48 km), Kumanovë (52 km), Bujanocë (40 km) e Preshevë (33 km).
Gjilani përmendet si vendbanim në vitin 1342. Thuhet se aty ka qëndruar Car Dushani. Kontesha Milica e ka përmend me emrin Gnivlani në vitet 1394 – 1402. Sipas defterit osman të vitit 1455 vendbanimi kishte 41 shtëpi, kurse sipas defterit kadastral të vitit 1566, kishte 38 shtëpi. Në shek. XVIII Gjilani përmendet me emrin Murava, si kadillëk në kuadër të Sanxhakut të Vushtrrisë. Edhe E.Çelebia e përmend Gjilanin, në shek. XVII, por me emrin Morava. Sipas një raporti të konsullit francez në Shkodër të vitit 1866, Gjilani ishte i banuar me popullsi turke (lexo: shqiptare) dhe me popullsi greke (lexo: ortodokse ose sllave). Vjetari i vitit 1873/1874 tregon se Gjilani kishte 527 shtëpi me 3000 banorë, shumica myslimanë (shqiptarë). Sami Frashëri e përkufizon Gjilanin me 35 km larg Prishtinës dhe me popullsi prej 4500 banorëve. Ndërsa, në vitin 1900/1901 qyteti kishte 1000 shtëpi. Sipas regjistrimit të vitit 1931 në Gjilan kanë jetuar 7200 banorë, ndërsa në vitin 2011 janë regjistruar 55 mijë banorë (komuna e Gjilanit kishte mbi 90 mijë banorë). Popullsia e Gjilanit dhe e rrethinës është e përzier, shqiptare dhe serbe, por gjithmonë ka qenë me shumicë dominuese shqiptare.
Thuhet se Gjilanin e ka themeluar familja shqiptare Gjinolli rreth vitit 1750, kurse qendër administrative u bë në vitin 1772. Familje Gjinolli ka sunduar në Moravë e më gjerë nga viti 1737 deri në fund të shek. XIX. Ngritja e Gjilanit lidhet me shkatërrimin e qytetit mesjetar të Artanës, si qendër tregtare, ekonomike dhe minerare dhe zhvendosja e familjes Gjinolli nga Artana në vendin ku sot është Gjilani. Vendbanimi u dogj në vitin 1850, kurse zhvillim dhe rritje më të hovshme ka pas viteve 1877/1878, kur popullzohet nga banorët që shpërngulen nga fshatrat dhe nga shqiptarët e dëbuar nga Sanxhaku i Nishit. Në këtë kohë qyteti merr formën e një kasabaje turke, duke formuar çarshinë e tipit oriental.
Deri në vitin 2010 komuna kishte 63 vendbanime me sipërfaqe prej 515 km2. Mirëpo, pas “decentralizimit”, sipërfaqja e komunës ka rënë në 392 km2 dhe numri i fshatrave në 42. Me procesin e “decentralizimit” komuna e Gjilanit ka humbur në sipërfaqe, në popullsi dhe në fshatra. Kështu, në territorin e komunës së Gjilanit u formua komuna (serbe) e Parteshit, me vetëm tri fshatra, ndërsa komuna e Artanës u zgjerua dhe ia mori Gjilanit nëntë fshatra.
Edhe pse ka kushte shumë të mira për bujqësi, si një fushë e begatshme e rrethuar me male, popullsia e komunës së sotme të Gjilanit në të kaluarën kishte prapambetje të madhe ekonomike, ku mbisundonte ekonomia e prodhimit në natyrë, kryesisht e punimit primitiv të tokës. Këtë gjendje të rëndë më së miri e ilustron thënia e vjetër për Gjilanin: “Gillan, he viran, tri mejhane e nji han, mos mu kanë shadërvani, shka kish ba Gillani”. Në qytet, që nga shek. XIX dhe deri në ditët e sotme është zhvilluar zejtaria me lloj – lloj zejesh, si saraç, këpucëtarë, berberë, zdrukthëtarë, vorbëtarë, teneqexhi, kallajxhi, kujunxhi etj. Pas Luftës së Dytë Botërore, nga viti 1947, fillon të ndërtohen edhe objekte industriale, fillimisht me ndërtimin e Kombinatit të Duhanit. Ky kombinati, pos punësimit të një numri të madh të punëtorëve, mundësoi dhe stimuloi edhe kultivimin e duhanit nga bujqit e kësaj ane. Më vonë, në vitin 1962, fillon ndërtimi i industrisë së tekstilit “Integj”, ndërmarrje e madhe e njohur edhe në tregun e jashtëm. Deri në vitin 1990 Gjilani kishte tetë fabrika dhe 10 ndërmarrje “shoqërore”. Mirëpo, pothuaj të gjitha këto fabrika e ndërmarrje u privatizuan, u mbyllën apo e ndërruan destinimin fillestar. Sot komuna e Gjilanit është nga komunat me papunësi më madhe. Shkaku i papunësisë dhe i varfërisë, vetëm gjatë vitit të kaluar e kanë marrë botën në sy 4320 banorë të kësaj komune.
Në kohën e Perandorisë Osmane nuk kishte shkollë shqipe, por kishte mejtepe e medrese, të cilat vazhduan edhe gjatë regjimit serb. Mes luftërave botërore regjimi serb hapi shkolla fillore në gjuhën serbe, në të cilat nuk mund të vijonin shkollën fëmijët shqiptarë. Arsimi shqip në komunën e Gjilanit ka filluar në vitin 1941, por themelet e sistemit arsimor janë vënë pas LDB, në vitin 1945. Sot në Gjilan funksionojnë pesë shkolla fillore dhe pesë shkolla të mesme. Me hapjen e Universitetit (publik) “Kadri Zeka” pas luftës çlirimtare të UÇK-së, Gjilani u bë edhe qytet universitar.
Në fushën e kulturës Gjilani ka disa shoqëri artistike, Teatrin (profesionist) të qytetit, bibliotekën “Fan S. Noli”, Arkivin Historik, Qendrën për Trashëgimi Kulturore, muzeun e qytetit etj. Që nga viti 1992 në Gjilan organizohet manifestimi kulturor tradicional “Flaka e Janarit”, me muzikë, art figurativ, art dramatik dhe poezi, që i kushtohet dëshmorëve të komunës së Gjilanit të rënë në muajin janar. Nga sporti Gjilani njihet veçanërisht për adhurimin e futbollit, ndaj sot ka dy klube në kategorinë e parë; KF “Drita” dhe KF “Gjilani”. Gjithashtu, funksionojnë klubet sportive në basketboll, volejboll, hendboll etj. Gjithashtu, qyteti ka një spital regjional me 17 reparte, shtëpinë e shëndetit dhe 30 ambulanca në terren. Nga viti 2003 janë hapur edhe qendrat për Shërim Mental dhe për Rehabilitim Mental.
Pos lumit Morava, që është nga lumenjtë më të mëdhenj të Kosovës dhe të shumë lumenjve më të vegjël, në komunën e Gjilanit ekzistojnë edhe dy liqene ujëmbledhëse; Liqeni i Livoçit dhe Liqeni i Përlepnicës. Liqeni i Përlepnicës, i ngritur në vitin 1966, shfrytëzohet për ujitje të tokës bujqësore dhe për furnizim me ujë të pijes për qytetin e Gjilanit dhe të fshatrave përreth. Mes fshatrave Kmetoc e Miresh, në rrugën Gjilan – Bujanocë, ndodhet banja me ujë mineral, e njohur për shërimin e shumë sëmundjeve. Nga ana lindore e Gjilanit shtrihen vargmalet e Karadakut , kurse nga ana lindore, malet e Zhegocit. Këto male krijojnë kushte shumë të mira për zhvillimin e turizmit fshatar e malor.
Komuna e Gjilanit është e pasur me monumente natyrore, historike e kulturore, pjesë e trashëgimisë sonë shekullore. Nëpër lokalitete arkeologjike të Velekincës e Pogragjës, në tumat ilire në Llashticë e Lipovicë është gjetur material i pasur nga antika, si varreza ilire, veshje ilire, vazo të ndryshme, monedha, pulla, stoli etj. Para së gjithash duhet përmendur kalanë e Pogragjës, e vjetër 1500 vjet, si dhe kalanë e Resulës dhe kalanë e Mireshit, pastaj shpellat e pa hulumtuara të Resulës dhe Bresalcit, tumat ilire në Llashticë etj. Monument i trashëgimisë kulturore është edhe shtëpia e familjes Gjinolli, e ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XVIII, kullat e familjeve Hajdini dhe Terziaj nga shek. XIX, xhamia e Medresesë e vitit 1604, ndërtesa e komunës, shkolla e muzikës, muzeu i qytetit, kisha katolike, kishat ortodokse, teqeja etj.
Gjilani është një qytet interesant për ta vizituar! Është një qytet i bukur, ku gërshetohet aq mirë e kaluara me të tashmen, një qytet që po ecën përpara me hapa të shpejtë.