Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCLXXXVIII) SLLUPÇANI – FSHATI QË ISHTE BËRË MBUROJË DHE ÇERDHE E UÇK-së

Shtegtime nëpër Atdhe (CCLXXXVIII)
SLLUPÇANI – FSHATI QË ISHTE BËRË MBUROJË DHE ÇERDHE E UÇK-së
Sllupçani është fshati më i madh i komunës së Likovës, madje më i madh edhe se qendra komunale, Likova. Në regjistrimin e popullsisë të vitit 2002, fshati kishte 3800 banorë, ndërsa sot llogaritet që ka rreth 1000 familje me rreth 5000 banorë. Fshati Sllupçan shtrihet në fushën e Kumanovës, rrëzë maleve të Karadakut, 5 km nga Likova, 9 km nga Kumanova, 17 km nga Presheva dhe 40 km nga Gjilani. Me ndërtimin e rrugëve lokale fshati Sllupçan paraqitet si një udhëkryq, nga ndahen rrugët për Gjilan, Preshevë, Kumanovë e Likovë. I shtrirë në lartësi mbidetare 415 metra, Sllupçani është fshat fushor – kodrinor i tipit të grumbulluar, mbi të cilin ngrihen malet e Karadakut, që shkojnë në lartësi deri mbi 1000 metra.
Në të kaluarën jo të largët popullsia e Sllupçanit, si edhe e fshatrave tjerë shqiptarë në Republikën e Maqedonisë Veriore, është përbuzur e nëpërkëmbur, duke u ballafaquar me trysni e përndjekje politike, me shtypje e burgosje, me dënime e diferencime ideo-politike, me largime nga puna e përjashtime nga shkollat. Veçanërisht, kanë qenë të përndjekur intelektualët, duke përfshirë edhe arsimtarët e shkollës së fshatit.
Edhe sot duket se ky fshat i madh shqiptar ka mbetur i harruar, sepse kanë munguar investimet e nevojshme infrastrukturore, sidomos ato në rrugë dhe në sistemin e ujësjellësit e kanalizimit. Banorët e fshatit ende furnizohen me ujë nga bunarët, edhe pse janë afër liqenit të Likovës, nga ku furnizohet me ujë qyteti i Kumanovës.
Fshati Sllupçan është një qendër kulturore e historike e komunës së Likovës. E veçantë e tij është kështjella e kohës romake “Hisar”. Në kodër, mbi fshat, ndodhen Varrezat e Dëshmorëve të zonës së Karadakut të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, një kompleks përkujtimor që ka edhe një lapidar apo kullë, me shqiponjën e flamurit në krye të saj. Gjithashtu, në vendin Te Pishat, mbi fshat, është ndërtuar shtegu i këmbësorëve, një vend i përshtatshëm për pushim e këndellje shëndetësore.
Në Sllupçan janë dy vatra diturie, shkolla fillore “Faik Konica” dhe shkolla fillore “Shaban Beqiri”. Dhe, Sllupçani është ndër fshatrat e rrallë që ka edhe muzeun e dëshmorëve të lirisë. Në këtë fshat të përparuar veprojnë shoqëria kulturore – artistike “Jeta e Re” (e themeluar në vitin 1982), klubi i futbollit “Besa” e klubi i karatesë “Besa”. Në kuadër të shoqërisë “Jeta e Re” kanë vepruar, pos seksionit të këngëve e valleve popullore, edhe seksioni dramatik dhe seksioni letrar. Seksioni letrar ka nxjerrë revistën “Doruntina”. Sllupçani ka ndërtuar stadiumin komunal të futbollit “Abdulmexhid Shaini”.
Për çdo 2 maj në Sllupçan mbahet manifestimi tradicional “Zona e lirë në Karadakun e pamposhtur”. Këtë datë të vitit 2001 brigada 113 “Ismet Jashari” e ka shpallur malin e Karadakut zonë të lirë, që shënon fillimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare për komunën e Likovës. Gjatë luftës edhe Sllupçani ishte bërë një mburojë dhe çerdhe e UÇK-së, ndaj disa herë është granatuar nga toka e ajri, ndërsa popullsia e tij i është bashkangjitur UÇK-së, duke qëndruar gjithnjë e pamposhtur dhe krenare.
Gjatë kësaj lufte forcat terroriste shtetërore po shkatërronin çdo gjë shqiptare. Më 24 maj 2001 në fshat po zhvilloheshin luftime të ashpra mes forcave të sigurisë të shtetit maqedonas dhe UÇK-së. Duke e granatuar fshatin nga toka e ajri, në kohën kur familja Zymberi po strehohej në bodrumin e shtëpisë së saj, një predhë e kishte goditur njërën pjesë të shtëpisë dhe kishte përfshirë edhe bodrumin, duke vrarë përnjëherë 10 anëtarë të familjes, fëmijë e gra. Për këtë krim ndaj popullsisë civile deri tash nuk është përgjigjur askush para drejtësisë. Gjatë kësaj lufte të pabarabartë janë granatuar e shkatërruar 73 shtëpi të fshatit, është djegur shkolla, janë vrarë disa qytetarë.
Sllupçani është fshat përparimtar, me shumë kuadro të përgatitura e të shkolluara në të gjitha lëmenjtë e jetës. Në pamundësi të punësohen në vendlindje, rinia e fshatit, duke përfshirë edhe kuadrot e përgatitura profesionale, gjithnjë e më shumë po ikin në shtetet perëndimore, duke kërkuar jetë më të mirë. Emigrimi i popullsisë jashtë vendit ka ndikuar edhe në uljen e numrit të nxënësve në shkollat e fshatit.
Sllupçanasit krenohen për bujari e trimëri, veçanërisht për kontributin e tyre në luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe, përgjithësisht, për historinë e kulturën kombëtare. Fshati është i pasur, sepse ka natyrë të shëndoshë, tokë pjellore e male të begatshme dhe, që është kryesorja, ka njerëz të mirë dhe rini të shëndoshë.