Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCLXXXVI) ZYMI – FSHATI (TURISTIK) I KULTURËS DHE I BUKËPJEKËSVE

Shtegtime nëpër Atdhe (CCLXXXVI)
ZYMI – FSHATI (TURISTIK) I KULTURËS DHE I BUKËPJEKËSVE
Fshati Zym ndodhet në shpatet e gurta lindore të malit të Pashtrikut, rreth 16 km në verilindje të qytetit të Prizerenit. Zymi është vendbanim kodrinor – malor, qendër e fshatrave të gjysmës së krahinës së Hasit dhe qendër famullitare, i quajtur si Zymi i Hasit dhe Zymi i Prizerenit, komuna e Prizerenit.
Të shkosh në Zym të Hasit nuk sheh njeri në rrugë. Apo, mund të shihen shumë pak njerëz të moshës së tretë. Shumica e popullsisë së fshatit kanë marrë rrugët e kurbetit. Fshat i bukur, por tash duket si një fshat i zbrazur. Dikur kishte rreth 5000 banorë, sot nuk është as një e treta e këtij numri. Ishte fshat në zë, fshat i përparuar, qendër kulturore e arsimore, por sot e gjejmë të heshtur. Gjallëria kthehet vetëm gjatë ditëve të festave, në vjeshtë dhe në pranverë, kur kurbetçarët kthehen nëpër vatrat e veta.
Fshati Zym njihet për furrtarë të zotët, ndaj në kurbet zymjanët shkojnë kryesisht si bukëpjekës, duke hapur furra buke gjithandej. Për zanatin e bukëpjekësit zymjanëve u ka dalë emri, jo vetëm në Kosovë, por në tërë Gadishullin Ilirik, në Evropë e deri në Amerikë. Për nderë të kësaj zeje, në Zym mbahet manifestimi trafdicional, “Dita e bukës”.
I rrethuar nga një natyrë e mrekullueshme, Zymi përbëhet nga shtatë lagje dhe shtrihet në shtatë kodrina. Është quajtur “Roma e vogël”, sikur Roma që shtrihet në shtatë kodrina. Madje, Zymi krenohet me “shtatë mrekullitë” e tij, që janë; 1. Zymjanët kanë marrë pjesë në Betejën e Kosovës (1389), 2. Hipoteza për origjinën e Skënderbeut nga Hasi, 3. Vendlindja e Pal Hasit dhe e Bogdanëve (Ndre, Pjetër, Gjon, Lukë Bogdani), 4. Në Zym kanë shërbyer Lazër Lumezi, Pjetër Mazreku, Gjon Nikollë Kazazi etj., 5. Zymi ishte seli e Ipeshkvisë Shkup – Prizeren (1702 – 1725), 6. Shtjefën Gjeçovi i Kanunit të Lekë Dukagjinit, 7. Abetarja e Zymit.
Edhe pse një fshat mjaft i zbrazur, në të është ruajtur tradita dhe kultura më shumë se kudo tjetër. Shoqëria kulturore artistike “Katarina Josipi” kultivon vlerat vendore dhe kombëtare artistike. Në Zym mbahen manifestime të shumta kulturore, siç janë: Takimet e Gjeçovit, “Ditët e Rakisë”, “Dita e Bukës”, “Ditët e Diasporës”. Pastaj, Zymi është ndër fshatrat e rralla që ka bibliotekë, shkollë të mesme, muzeun e fshatit, ku gjenden veladoni origjinal dhe arka e kishës e Shtjefën Gjeçovit etj.
Me emrin e Zymit të Hasit lidhen shumë ngjarje historike për mbrojtjen e identitetit kombëtar. Me këtë fshati lidhet veprimtaria e dy priftërinjve atdhetarë, Shtjefën Gjeçovit dhe Luigj Palajt, të dy të vrarë pabesisht nga regjimi i Jugosllavisë së vjetër, pastaj mësuesi, prifti e shkrimtari Gjon Nikollë Kazazi, shkrimtari Anton Pashku, aktorja e teatrit, Katarina Josipi, e cila ishte ndër themelueset e teatrit shqiptar në Kosovë. Zymi i ka ndërtuar monument madhështor Shtjefën Gjeçovit, para të cilit mbahen “Takimet e Gjeçovit”, si manifestim tradicional kulturor, letrar e shkencor, i organizuar që nga viti 1971. Në kuadër të “Vitit të Skënderbeut”, më 2018, mërgimtarët zymjanë i kanë ngritur monument – shtatore edhe Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, ndërsa pritet të vendoset edhe monumenti i Pjetër Bogdanit. Shtëpia e aktores Katarina Josipi, e shpallur monument i trashëgimisë kulturore, është rinovuar dhe shndërruar në një shtëpi – muze. Në qendër të fshatit është vendosur lapidari “Guri i Kurbetçarit”, në nderim të mijëra kurbetçarëve zymjanë, të shpërndarë nëpër botë. Në qendër të fshatit kemi edhe amfiteatrin e hapur me 1000 vende, pastaj obeliskun e Abetares etj.
Në vitin 1880 Zymi ka hapur shkollë shqipe në kishën e Zymit, që është mbajtur nga priftërinjtë françeskan. Gjithashtu, shkolla ka punuar edhe në vitet 1880 – 1900. Nga viti 1900 deri në vitin 1920 mësimi ka vazhduar nëpër shtëpi private. Më 20 maj 1900 në Prizeren është gjetur abetarja e Zymit, më e vjetra në Kosovë, që kishte 80 faqe të shkruara me 33 shkronja dhe tinguj. Kjo abetare pa autorë, e shkruar me shkronja latine sipas alfabetit të Stambollit, i përket shek. XIX. Abetarja e Zymit, të cilës i mungojnë kopertinat, paraqet një dëshmi se arsimi në gjuhën shqipe është zhvilluar edhe përkundër ndalimit dhe të kushteve të rënda nën pushtimin osman. Në nderim të këtij dokumenti arsimor zymjanët kanë ndërtuar lapidarin e “Abetares së Zymit”.
Zymi i Hasit është nga fshatrat e rralla, në mos i vetmi në Kosovë, për të cilin Kuvendi i Republikës së Kosovës, në vitin 2013, ka miratuar një ligj, Ligjin për fshatin Zym. Ky ligj ka qëllim mbrojtjen, konservimin dhe ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore, historike e fetare të fshatit dhe përurimin e vlerave të tij.
Natyra e mrekullueshme, peizazhi mahnitës, monumentet e trashëgimisë kulturore e arsimore, manifestimet tradicionale kulturore kanë bërë që Zymi të kthehet në një qendër të rëndësishme për krahinën e Hasit, për komunën e Prizerenit dhe për Kosovën e Shqipërinë.