Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCLXXXII) BANJA – FSHATI PËR TË CILIN SHKRUAJNË EDHE MEDIET BOTËRORE

Shtegtime nëpër Atdhe (CCLXXXII)
BANJSKA – FSHATI PËR TË CILIN SHKRUAJNË EDHE MEDIET BOTËRORE
Një fshat i vogël në veriun e Kosovës kohëve të fundit është bërë temë mediale dhe politike në përmasa kombëtare e ndërkombëtare. Ky fshat quhet Banjska ose Banja, në saje të burimeve minerale dhe banjës, që ndodhet në të. Banjska shtrihet në luginën e lumit Ibër, në bregun e majtë të tij dhe nën malin e Rogoznës, 10 km në veri të Zveçanit dhe 15 km nga Mitrovica. Ky fshat, me pozitë të përshtatshme gjeografike, nga kalonin rrugë të rëndësishme dhe qarkullim i njerëzve dhe karvanëve tregtare nga Kosova në drejtim të Bosnjës, në të kaluarën kishte një rëndësi të posaçme strategjike. Gjatë pushtimit osman, deri në vitin 1619, Banjska njihej si një fshat derbexhinjësh (roje kështjellash), më vonë e ka fituar statusin e kasabasë (qytetit) nga shqiptari Mustafa Pasha, ish-vali i Bosnjës, i vrarë në Luftën e Bagdadit në vitin 1636.
Banjska ishte vendbanim antik iliro – dardan. Aty janë gjetur mbishkrime në gurë që nga koha romake. Nën sundimin osman ka rënë në vitin 1422, kur fshati ishte i banuar nga popullsia shqiptare e ritit ortodoks. Udhëpërshkruesi osman, Evlia Çelebia, në vitin 1660 e ka vizituar edhe Banjskën, për të cilën ka shkruar: “Banjska është një fortesë katërfaqësore, e ngritur në vitin 1618. Kjo fortesë ka rojën prej 50 ushtarëve me komandantin (dizdarin), ka topa, depo municioni, xhami… Në qytet gjenden 300 shtëpi varfanjakësh, të mbuluara me tjegulla”. Ndërkaq, udhëpërshkruesi Engelov, në vitin 1782, e ka përmend Banjskën si vend ku mbaron Bosnja dhe ku fillon Rumelia. Ami Bue e përmend si fshat me 50 shtëpi që ndodhet në rrugën postare mes Mitrovicës e Jeni Pazarit. Banjska, në vitin 1891, kishte 60 shtëpi shqiptare dhe asnjë serbe. Sipas sallnames (vjetarit) osmane të vitit 1900, fshati kishte 50 – 60 shtëpi me rreth 400 – 480 banorë dhe kishte një xhami, një shkollë, banjë, dyqane, kafene. Sipas kësaj sallnameje, Banjska ndodhej tri orë larg Mitrovicës, ku buron ujë i nxehtë mineral e ku kishte 60 – 70 familje, xhami, shkollë, disa dyqane, kafene, një kala e rrënuar. Gjatë sundimit osman Banjska ishte një qendër ekonomike e kulturore dhe një udhëkryq nga kalonin tregtarët dhe karvanet që lëviznin mes Kosovës e Bosnjës. Pas luftës austro – osmane të vitit 1689, Banjska u shkatërrua, ndërsa prania e popullsisë shqiptare u reduktua tepër shumë. Kështu, në vitin 1831 fshati kishte rreth 20 shtëpi me rreth 120 banorë.
Deri në vitin 1912 në Banjskë ka jetuar vetëm popullsi shqiptare. Pas këtij viti popullsia shqiptare ka filluar të shpërngulet në Turqi, ndërsa në vend të tyre të vendoset popullsia sllave. Nga viti 1912 deri në vitin 1923 nga Banjska në Turqi janë shpërngulur 54 familje shqiptare. Me trysni nga regjimi, në vitet 1944 – 1945, nga Banjska në Mitrovicë, janë shpërngulur 17 shtëpitë e fundit shqiptare. Gjithsej, nga ky vendbanim janë larguar 121 familje me 1084 anëtarë. Sipas regjistrimit të vitit 1991 në Banjskë kishte 326 serbë dhe dy shqiptarë, ndërsa në vitin 2011 Banjska kishte 465 banorë.
Që nga fillimi i përhapjes së krishterimit në Banjskë është ngritur faltorja ilire. Me ndarjen e kishës së krishter në Perëndim dhe Lindje, faltorja ilire është përshtatur në kishë ortodokse. Për kishën e Banjskës historiografia serbe thotë se e ka ndërtuar mbreti Milutin brenda viteve 1313 – 1317, ku edhe është varrosur. Kisha, për një kohë në shek. XIX është shndërruar në xhami.
Mustafë Pasha, themeluesi i kasabasë së Banjskës, e ka ndërtuar një kështjellë katërkëndëshe dhe brenda saj kishte ndërtuar disa shtëpi, një xhami të vogël, konakun e dizdarit (komandantit), kazermën për ushtarët, magazinën e drithit, depon e municionit, sallën e bandës etj., ndërsa jashtë kështjellës e ndërtoi një xhami më të madhe, një han, disa dyqane, pishinën e banjës me ujë të nxehtë.
Në fshatin Banjskë, më 24 shtator 2023, një grup i organizuar serb ka sulmuar Policinë e Kosovës, duke e bllokuar fshatin, duke vrarë një oficer policie dhe duke u izoluar e barrikaduar në Manastirin e Banjskës. Në këtë konfrontim të armatosur mes policisë dhe grupit terrorist serb janë vrarë tre serbë, janë plagosur, janë arrestuar dhe kanë ikur nga vendi i ngjarjes rreth 80 terroristë. Pas sulmit policia ka gjetur dhe ka konfiskuar një sasi të madhe të armatimit të municionit e eksplozivit. Autoritetet e Republikës së Kosovës, të Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së sulmin e klasifikuan si sulm terrorist dhe si incidenti më i rëndë i viteve të fundit, që ka ngritur tensione të larta mes R. së Kosovës e R. së Serbisë. Kurse, Serbia i ka mohuar akuzat për përzierje në sulmin në Banjskë. Përkundrazi, pas sulmit Serbia ka grumbulluar forca ushtarake në kufi me Kosovën, për çka është gjykuar nga BE dhe SHBA, kurse NATO ka shtuar praninë e forcave të veta në veriun e Kosovës në kuadër të misionit KFOR.
Duhet të theksojmë se banorët e Banjskës nuk janë përfshirë fare në këtë sulm të inskenuar terrorist nga shteti serb. Ata kanë qëndruar anash konfliktit, edhe pse të frikësuar për çka ka ndodhur. Ndryshe, Banjska ka potencial të madh ekonomik dhe turistik, veçanërisht për banjën e njohur, për kishën e vjetër, për natyrën e pasur dhe të paprekur, për lumin, për malet…