Shtegtime nëpër Atdhe (CCLXXX)
BERISHA – FSHATI I HISTORISË DHE I BURRAVE TË ZGJUAR
Vargmalet e Drenicës, që shtrihen nga jugu në veri dhe që shkojnë në lartësi deri 1000 metra, kufizohen nga jugu me Grykën e Carralevës, në veri me Grykën e Llapushnikut dhe gjendet mes lumenjve të vegjël Drenica dhe Mirusha. Në mesin e tetë fshatrave të bukura malore, të shtrira në kurrizin e këtyre vargmaleve, ndodhet edhe fshati Berishë, një fshat i vogël por me emër të madh.
Berisha është një fshat i tipit të shpërndarë në krahinën e Drenicës, e ndodhur në kurrizin ujëndarës të Maleve të Drenicës, komuna e Malishevës. Në një shtëpi në Berishë, njëra faqe e kulmit të saj ujin e shiut e të borës e rrjedhtë në ujëmbledhësin e Detit të Zi dhe faqja tjetër në ujëmbledhësin e Detin Adriatik. Fshati Berishë ndodhet në zonën qendrore të Kosovës, në lartësi mbidetare 990 deri 1020 metra, rreth 15 km nga qendra e komunës, Malisheva.
Fshatin Berishë, me dy lagje, vazhdimisht e ka zbrazur shpërngulja e banorëve në qytete dhe sidomos emigrimi në botën e jashtme. Në vitin 1948 kishte 14 shtëpi me 102 banorë, në vitin 2011 kishte 25 shtëpi me 136 banorë. Banorët e Berishës,të gjithë me mbiemrin Berisha, tradicionalisht janë marrë me bujqësi, blegtori e pylltari, edhe pse kishte shumë pak tokë bujqësore.
Fshati ka tradita të pasura atdhetare e luftarake. Kënga thotë:
Moj Berishë ti nën kala
Hije t’paska për me t’pa,
Fjalë e pushkë i ke sevda
E ke bjeshkën vet kala.
Gjatë luftës çlirimtare të UÇK-së Berisha ishte bërë strehë e sigurt për mijëra banorë të shpërngulur nga fshatrat e afërta fushore. Gjithashtu, ishte bërë edhe një çerdhe e ngrohtë e luftëtarëve të lirisë. Sepse forcat terroriste serbe nuk kishin arritur asnjëherë ta shkelnin këtë fshat, pos që e kanë gjuajtur nga ajri me aeroplanë dhe nga largësia me raketa. Në këtë luftë është vrarë një person, janë plagosur disa të tjerë dhe janë shkatërruar apo dëmtuar pesë shtëpi.
Me rëndësi të veçantë për Berishën dhe për tërë Kosovën, veçanërisht për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, është themelimi dhe funksionimi i dy mediave të luftës; agjencisë shtetërore informative “Kosovapress” dhe radios “Kosova e lirë”. Këto media, si dy institucione të para të shtetësisë së Kosovës dhe si ndihmëse e luftës çlirimtare janë sulmuar me dy aeroplanë jugosllavë me bomba “kasetë”, me ç’rast ka humbur jetën djaloshi 15-vjeçar, Elbasan Berisha, nga fshati Berishë dhe janë plagosur disa anëtarë tjerë të të njëjtës familje.
Veçanërisht, në Berishë është e njohur familja e Tahir Berishës, një familje e njohur në Kosovë për urtësi e trimëri. Vetë Tahiri ishte një personalitet i njohur, i dëgjuar dhe i respektuar në tërë Kosovën, ishte një enciklopedi e gjallë, edhe pse ishte analfabet. Si njeri i urtë dhe i ditur, si pleqnar dhe person inteligjent, prognozues i saktë ishte sinonim i një filozofie dhe i një mendimi të thellë popullor. Në odën e tij mblidheshin njerëz të shquar dhe të ditur për kohën, njerëz që i dilnin zot Atdheut. Ndërsa familja e tij, si derë e madhe dhe derë atdhetarie, ishte e izoluar dhe e anatemuar kohë të gjatë.
Nipi i Tahir Berishës ishte luftëtari i madh i çështjes kombëtare, Rifat Berisha (1910 – 1949). Pasi e ka kryer medresenë në Gjakovë, me ndihmën e xhaxhait, Tahirit, në vitin 1926 Rifati ka shkuar në Shqipëri për t’u shkolluar. Në vitin 1931 në Tiranë e ka kryer Akademinë Ushtarake, pastaj ka shërbyer oficer ushtrie në Gjirokastër, Kukës, Lushnje, Pukë, Sarandë, Shkodër, Tiranë e Vlorë. Gjatë LDB është kthyer në Kosovë dhe është emëruar nënprefekt i rrethit të Gjilanit, pastaj edhe nënprefekt i rrethit të Rahovecit. Në këtë kohë u lidh me Luftën Nacionalçlirimtare, duke marrë në mbrojtje shumë luftëtarë antifashistë shqiptarë. Në vitin 1943 është arrestuar nga karabinieria italiane. Ishte pjesëmarrës dhe i zgjedhur nënkryetar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar për Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit në Konferencën e Bujanit. Në mars 1945 Konferenca themeluese e Komitetit Kombëtar Shqiptar, Rifat Berishën e ka zgjedh nënkryetar të Komitetit. Edhe pse pas luftës kishte pozitën e lartë të kryetarit të Frontit Popullor të Kosovës, asnjëherë nuk u pajtua, por në forma të ndryshme i rezistoi ripushtimit të Kosovës. Për t’i ikur arrestimit, në vitin 1947 ka dal në ilegalitet, ndërsa më 17 maj 1949 është rrethuar në fshatin Gajrak, ku ishte i strehuar dhe, në ballafaqim të armatosur me forcat shtetërore, ka rënë heroikisht.
Si një fshat me tradita të pasura historike dhe me natyrë shumë të bukur, tashmë edhe me infrastrukturë të duhur, Berisha i ka të gjitha kushtet për zhvillimin e turizmit malor e fshatar.
add a comment