Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCLXXIII) KALIMASHI – FSHATI ME TUNELIN MË TË GJATË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

Shtegtime nëpër Atdhe (CCLXXIII)
KALIMASHI – FSHATI ME TUNELIN MË TË GJATË NË SHQIPËRI
Kalimashin e njohim dhe e kujtojmë për tunelin e gjatë përgjatë Rrugës së Kombit, dhe për minierën e madhe të kromit. Rruga e Kombit iu ka shmangur këtij fshati të bukur malor, duke përshkuar vetëm periferinë e tij. Ky fshat i njohur ndodhet mes Rrugës së Kombit dhe Liqenit të Fierzës, në rrugën e vjetër Kukës – Pukë, rreth 35 km nga Kukësi. Kalimashi, me rreth 800 banorë, është njëri ndër 13 fshatrat e krahinës Malzi, pjesë e bashkisë së Kukësit.
Tuneli i Kalimashit ose Tuneli i Thirrës (Tuneli Thirrë – Kalimash), me gjatësi 5.65 km, është pjesa më e rëndësishme e rrugës 7 të Evropës Juglindore ose e Rrugës së Kombit, në gjatësi prej 60.86 km. Ky tunel automobilistik me katër korsi ose me dy tunele paralele, që kalon përmes malit të Runës nga fshati Kalimash në fshatin Thirrë të Mirditës, i ndërtuar në lartësinë mbidetare 750 – 831 m., ka rëndësi të madhe për Shqipërinë dhe Kosovën, por edhe për tërë rajonin, duke krijuar kushte të mira të kalimit dhe duke shkurtuar distancën dhe kohëzgjatjen e kalimit përmes një natyre mahnitëse. Ndërtimi i Tunelit të Kalimashit ka krijuar mundësinë e zhvillimit më të shpejtë edhe të turizmit, sidomos duke ua afruar plazhet e Adriatikut e të Jonit turistëve kosovarë, që shpesh trajtohej si “turizëm patriotik”. Për ndërtimin e tunelit kanë punuar rreth 2400 punëtorë vendorë dhe të huaj, të pajisur me rreth 1300 mekanizma të ndryshme të teknologjisë bashkëkohore të dy kompanive ndërkombëtare; kompanisë turke “Enka” dhe kompanisë amerikane “Bechtel” (Bechtel-Enka).
Ndërtimi i tunelit, si një vepër gjigante, i kushtueshëm 280 milionë euro, ka zgjatur dy vjet. Hapja simbolike e tij është bërë më 4 shkurt 2007, një javë para zgjedhjeve lokale. Mirëpo, më 5 nëntor 2009 në njërin tub ka ndodhur shembje në gjatësi 50 m., pasi tubi nuk ishte i betonuar dhe nuk ishte i përgatitur për qarkullim, që shkaktoi mbylljen e gjatë dhe investimet shtesë për riparim. Duhej të kalonin edhe disa muaj dhe të investoheshin edhe 30 milionë euro shtesë deri te riparimi, përgatitja dhe rihapja e plotë e tunelit për qarkullim normal. Tuneli, bashkë me Rrugën e Kombit është përuruar sërish dhe përfundimisht më 25 qershor 2009, tri ditë para zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri.
Në dhjetor të vitit 2011 Qeveria shqiptare kishte miratuar një plan për dhënie me koncesion të tunelit të Kalimashit me qëllim të mirëmbajtjes së tunelit. Pagesa për kalimin e tunelit për vetura do të ishte 5 euro, për mjete të rënda 10 euro. Meqenëse ky plan nuk ishte realizuar, në vitin 2019 Qeveria shqiptare e dha Rrugën e Kombit me koncesion për mirëmbajtje, duke përfshirë edhe Tunelin e Kalimashit, kur u vendos trau dhe sportelet e pagesës së tarifës për kalimin e rrugës. Në shenjë pakënaqësie ndaj këtij vendimi shpërthyen protesta, trazira dhe përplasje të dhunshme, të pasuara me djegien e shkatërrimin e sporteleve, lëndimin e policëve dhe arrestimin e protestuesve.
Kalimashi kishte një objekt të rëndësishëm ekonomik, minierat e kromit Kalimashi 1 dhe 2, të hapura në vitin 1978, që është miniera e dytë më e madhe në Shqipëri, pas minierës së Bulqizës. Fshati dhe miniera bashkëjetonin si një binom i pandashëm për shumë kohë. Në vitet 80-ta minierës iu shtua edhe fabrika për pasurimit të kromit. Mirëpo, pas viteve 90-ta numri i punëtorëve, mbi 1500, binte vazhdimisht, derisa miniera dhe fabrika u mbyllën në tërësi, duke i lënë mijëra punëtorë pa punë. Vagonetat dhe shinat e binarëve janë shitur për skrap. Kështu, ish-punëtorët kanë ikur e po ikin nga fshati që po vdes. Megjithatë, në këtë gjendje kaotike minierat u uzurpuan nga njerëz të fuqishëm, kur filloi të zhvillohet veprimtari ekonomike e pakontrolluar. Një projekt për rigjallërimin e minierës dhe fabrikës ishte bërë, por është harruar diku. Në vitin 2010 miniera i dha me koncesion një kompanie kinezo – turke (Kurum – Sichuan), por licenca iu mor nga Ministria e Energjisë, pasi kompanitë e huaja nuk i kishin përmbushur kushtet e kontratës. Më në fund, një investim i mirëpritur shqiptar – austriak – suedez, është fabrika e pasurimit të kromit “Eurochrome”, e cila ka filluar punën.
Banorët e Kalimashit, pos si minatorë, merren me bujqësi, blegtori e pemëtari. Nga mali i Runës, nëpër fshatin Kalimash drejt liqenit të Fierzës zbret rrëmbyeshëm Përroi i Kalimashit, i cili ujitë tokat e punës.
Fshati Kalimash ka shkollë 9-vjeçare dhe qendër shëndetësore. Në fshat ndodhen minierat e kromit dhe fabrika për pasurimin e kromit, dikur ndërmarrje të mëdha ekonomike.
Ta vizitosh dhe ta njohësh Kalimashin është një përjetim i veçantë dhe i dobishëm. Aty do ta njohësh jetën lakuriq, pa lustër, ashtu siç e përjetojnë kalimashësit, të cilët gjithnjë e më shumë po ikin nga fshati i tyre.