Shtegtime nëpër Atdhe (CCLXX)
VALIKARDHA – FSHATI NGA KALON HISTORIA
Rruga e Arbrit të dërgon edhe në Valikardhë, në fshatin nga kalon historia. Valikardha (Valikardi) ndodhet mes Peshkopisë e Bulqizës, në Dibër të Vogël, aty ku krahina e Dibrës ndahet me krahinën e Matit. Valikardha bën pjesë në Njësinë Administrative të Zerqanit dhe në Bashkinë e Bulqizës, rreth 10 km nga Bulqiza dhe rreth 35 km nga Peshkopia.
Në hershmëri te Ura shekullore e Qytetit në Valikardhë ndodhej një qytet antik, që e kishin rrënuar dyndjet e barbarëve. Ndërsa, në afërsi të fshatit ndodhen rrënojat e qytezës mesjetare të Geties të shek. V – VI, si dhe muret e periudhës së sundimit të Justinianit dhe muret nga epoka e Skënderbeut. Gojëdhënat thonë se në rrënojat e ish-qytezës së Getias gjendet flori i fshehur në tokë, për çka kanë munguar gërmimet institucionale, por nuk kanë munguar gërmimet pirateske e pa kriter të personave të panjohur për gjetjen e thesarit të fshehur.
Rëndësia historike e Valikardhës lidhet me epokën e Skënderbeut. Në fushën e Valikardhës, në qershor të vitit 1444, është zhvilluar beteja e parë dhe ndër betejat e mëdha e të rëndësishme të Skënderbeut (pas Besëlidhjes së Lezhës) me hordhitë osmane, kur arbërorët shënuan fitore të thellë. Kjo betejë në histori njihet si beteja e Valikardit.
Në afërsi të Valikardhës, në vitin 1465, është zhvilluar edhe një betejë, njëra ndër betejat më të mëdha e më të përgjakshme mes forcave arbërore dhe dy ushtrive osmane, të ardhura nga anë të ndryshme, e njohur në histori si Beteja e Vajkalit. Skënderbeu u përballoi dhe i mundi njëkohësisht dhe në të njëjtin vend të dy ushtritë osmane Në këtë betejë, që është zhvilluar nga fshati Vajkal e deri te fshati Valikardhë, osmanët kanë kapur rob tetë komandantë arbërorë, të cilët i vranë, ndër ta edhe gjeneralin Moisi Golemi, të cilin e dërguan në Stamboll dhe e rrjepën të gjallë.
Përballë Urës së Qytetit në Valikardhë ndodhet edhe sot Shkëmbi i Skënderbeut dhe në maje të shkëmbit ndodhet Sofra e Skënderbeut, si një vendkomandë e luftës, nga ku kryetrimi vështronte zhvillimin e betejës. Te vendi Pishat e Reja ndodhen disa gurë të mëdhenj, në të cilët ka qëndruar Skënderbeu me trimat e tij, duke e vështruar kalimin e ushtrive osmane dhe për t’i shembur ata mbi kokat e ushtarëve të huaj. Këta gurë edhe sot quhen “Gurët e Skënderbeut”. Ndërsa në fushën e Valikardhës, te Ura e Qytetit, edhe sot ndodhet lapidari, megjithëse i dëmtuar rëndë, kushtuar betejave fitimtare të ushtrisë arbërore.
Në afërsi të fshatit ndodhet shpella karstike e Xixëlles, 30 m. e gjatë, 15 m. e gjerë dhe 30 m. e lartë, por që ende nuk është hulumtuar e tëra. Shpella ka vlera gjeologjike, gjeomorfologjike, fetare, mjedisore e kulturore dhe ka shërbyer edhe si faltore për besimtarë. Në fshat ndodhen rrënojat e një qyteti antik dhe muret e një kështjelle mesjetare, ku është zbuluar material i pasur arkeologjik. Në Valikardhë ruhen ende ritet pagane, siç është festa e Ditës së Verës.
Pas tërheqjes së Perandorisë Osmane nga Gadishulli Ilirik, në vitin 1912, fqinjët e shqiptarëve shfaqën pretendimet e tyre për zaptimin e tokave shqiptare. Kështu, edhe Dibra ishte pjesë e pretendimeve dhe pre e ushtrive serbe, të shfaqura me ofensiva shkatërruese dhe me masakra, vrasje e plaçkitje. Në Valikardhë, gjatë vitit 1913, një ekspeditë serbe ka prerë me bajoneta, në pikë të ditës dhe në prani të të gjithë banorëve të fshatit, pesë fshatarë, duke ua djegur e plaçkitur edhe shtëpitë.
Ky është fshati që dikur ishte qytet, por që sot mbijeton me pak bujqësi e blegtori, si dhe me bletari e pemëtari. Ka terren kodrinor – malor në lartësi mbidetare 500 – 600 m. Me hapjen e kanalit ujitës në gjatësi prej 15 km, të gjitha toka e punuara të fshatit tashmë janë në sistemin e ujitjes. Pyjet e Valikardhës janë të pasura me pisha e dëllinja, por ka edhe thana, sherbelë etj. Fshati është i pasur me ujëra; me lumin Zalli i Bulqizës, me Liqenin e Zi, me kanalin ujitës.
Valikardha, e rrethuar me male, nëpër të cilën rrjedhë i qetë lumi Zalli i Bulqizës, është një fshat i bukur dhe shumë interesant, ku ka natyrë të paprekur e histori të pasur, ku ka filluar të zhvillohet turizëm malor dhe kulturor.
add a comment