Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCLXV) LAÇI – QYTETI I LINDUR NGA FABRIKAT, TË CILAT U KTHYEN NË GËRMADHA

Shtegtime nëpër Atdhe (CCLXV)
LAÇI – QYTETI I LINDUR NGA FABRIKAT, TË CILAT U KTHYEN NË GËRMADHA
Qyteti i Laçit (dikur qyteti Sebaste) është qendër e Bashkisë së Kurbinit dhe qendër e Rrethit të Kurbinit, në kuadër të Qarkut të Lezhës. Ndodhet në korridorin rrugor dhe hekurudhor veri – jug, në rrugën e vjetër Tiranë – Shkodër dhe në hekurudhën (tash jofunksionale) Vorë – Shkodër. Është larg bregdetit Adriatik 11 km, nga Tirana 52 km dhe nga Lezha 22 km.
Laçi, sot një qytet me rreth 30 mijë banorë, dikur ishte një vendbanim i vjetër ilir. Aty janë gjetur, kryesisht në varrezat apo tumat ilire, objekte të ndryshme arkeologjike. Në një mbishkrim të shek. I vendi përmendet me emrin Latio. Në mesjetë Laçi ishte pjesë e Principatës së Arbrit (1190 – 1255), si shteti i parë feudal shqiptar, në krye të cilës ishin Skurajt e Kurbinit; Progoni, Gjini e Dhimitri. Gjithashtu, Laçi ka qenë qendër e rëndësishme e Kryengritjes së Kurbinit të viteve 1903 – 1912 kundër pushtimit osman.
Nga Laçi e kishte origjinën Papa Klementi XI. Familja e tij ishte shpërngulur nga Laçi në Urbino të Italisë në vitin 1464. Papa Klementi, në detyrë nga viti 1700 deri në vitin 1721, ishte nismëtar i Kuvendit të Arbrit të vitit 1703. Nga fshati Skuraj i Kurbinit ishte Kokë Malçi, një këshilltar i Skënderbeut.
Në kodrën mbi qytetin e Laçit ndodhet kisha e Shna Ndout, që ka vlera fetare, historike e kulturore, si një ballkon mbi qytetin, e shndërruar në një vend pelegrinazhi dhe në një destinim turistik. Pelegrinët tregojnë për mrekullitë, për besimin e të shëruarit nga kjo kishë, për historinë, magjinë dhe misterin që krijon ky vend. Në afërsi të kishës pelegrinët mund të vizitojnë shpellën e Shën Vlashit dhe rrënojat e kështjellës së Sebastesë. Kështjella e Sebastes nga shek. IV- III p.e.r. ishte një pikë kontrolli në rrugën Dyrrah – Lis – Shkodër. Sebaste (Sanbasto), sipas një relacioni të vitit 1614, mund të jepte 100 burra nën armë. Në kuotën prej 300 metra mbi nivelin e qytetit, nga kisha dhe kështjella shihet qyteti dhe tërë fusha, deri në Detin Adriatik
Deri në vitin 1959 Laçi ishte një fshat i zakonshëm. Nga ky vit fillon urbanizimi i tij, duke u bërë një qytet i ri industrial. Në Laç ishin ndërtuar disa fabrika, të cilat sot janë të mbyllura dhe të rrënuara. Kështu, në Laç ishte ndërtuar fabrika e superfosfatit dhe e acidit sulfurik (1967), Uzina e Shkrirjes së Bakrit (1978), ndërmarrja ndërtimore – industriale, kombinati kimik – metalurgjik, kombinati i drurit etj. Veçanërisht ishte me rëndësi ndërtimi i fabrikës së superfosfatit, një vepër madhore për tërë Shqipërinë, e cila Laçin e bëri qytet. Edhe sot, pas më shumë se 30 vjet, që është rrënuar industria e Laçit, oxhaqet e larta, të ngritura drejt qiellit, nuk vjellin tym, por kanë mbetur si përmendore të së kaluarës.
Shkollën e parë shqipe në Laç e hapi Shtjefën Gjeçovi në vitin 1902. Sot Laçi ka një shkollë të mesme dhe pesë shkolla publike dhe private 9-vjeçare.
Në tërmetin e 26 nëntorit 2019 edhe qyteti i Laçit pësoi dëme të mëdha. Ishin dëmtuar rreth 300 shtëpi dhe janë rrënuar në tërësi shtatë pallate të dëmtuara e të shpallura si të pabanuara. Gjithashtu, është dëmtuar rëndë ujësjellësi i qytetit dhe është rrënuar edhe spitali i qytetit. Pas tërmetit janë ndërtuar 727 banesa të reja, ujësjellësi i ri, katër shkolla të reja, dy kopshte, spitali, bashkia, që e kthyen Laçin në një qytet të bukur e bashkëkohor. Me fonde nga qeveria e Turqisë për të dëmtuarit nga tërmeti është ndërtuar një lagje e tërë me 524 banesa.
Bashkia e Kurbinit ka tri qytete; Laçin, Milotin dhe Mamurrasin, si dhe 27 fshatra. Territori i bashkisë është kryesisht zonë e rrafshët bujqësore, me tokë pjellore, ndërsa një pjesa tjetër më e vogël është zonë malore. Në këtë zonë shtrihet rezervati natyror Patok – Fushë-Kuqe dhe Laguna e Patokut, që është një qendër e madhe peshkimi dhe e turizmit ditor.
Ndryshe, zona e Laçit apo zona e Kurbinit paraqet histori, tradita dhe mikpritje shqiptare. Laguna e Patokut, kështjella e Skënderbeut, kështjella e Sebastesë, kishat, shkolla e parë shqipe në Kurbin, ulliri monumental i Gjormit, Ura e Zogut në lumin Mat janë objekte me vlerë të lartë të trashëgimisë kulturore, natyrore e fetare, të vizituara nga turistë të vendit e të huaj.
Ushqimet bio, tradita e mikpritjes, mjedisi natyror, klima mesdhetare, bregdeti e laguna, flora e fauna e zhvilluar, malet e kodrinat e buta, fusha të gjera e pyje të dendura i plotësojnë plotësisht kushtet për zhvillim të shpejt ekonomik, veçanërisht të turizmit, duke i plotësuar kërkesat e turistëve për një natyrë të pasur dhe të paprekur.
+4
Toutes les réactions :

Xhavit Sylejmani, Kreshnik Krasniqi et 69 autres personnes

Postimet e fundit !