Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCLXIV) LEZHA – QYTETI I BESËLIDHJES, KU LINDI SHTETI I PARË ARBËROR

Shtegtime nëpër Atdhe (CCLXIV)
LEZHA – QYTETI I BESËLIDHJES, KU LINDI SHTETI I PARË ARBËROR
Në afërsi të Detit Adriatik, vetëm 8 km larg tij, në brigjet e njërës degë të lumit Drin, nën bedenat e kalasë mesjetare dhe rrëzë malit të Shelbunit ndodhet qyteti i lashtë i Lezhës. Qyteti i Lezhës shtrihet mes të fushës së Zadrimës dhe Bregut të Matit, në një zonë të ulët bregdetare në lartësi mbidetare vetëm 3 metra, nga Tirana 55 km, nga Shkodra 35 km dhe vetëm 6 km nga Shëngjini.
Qyteti i Lezhës ka ekzistuar që nga periudha parahistorike, nga epoka e bronzit dhe e hekurit. Mendohet se është themeluar në vitin 385 p.e.r., ndërsa është banuar që në shek. VIII p.e.r. Në antikitet qyteti njihej me emrin ilir Lissitan, e në dokumente përmendet edhe me emrat Lis, Lissos, Lisso, Lissum, Lissios, Lisseus, kurse në mesjetë edhe me emrin si Alessio. Për herë të parë është shënuar nga historiani Polibi në shek. II p.e.r., si qytet i mbretit të fundit ilir, Gentit. Mbreti Gent, në vitin 168 p.e.r organizoi luftë kundër romakëve por, pasi luftën e humbi, qytetin ua dorëzoi romakëve. Si qytet afër bregut të detit, në hershmëri ishte edhe një nyje rrugore, nga kishin pikënisjen dy rrugë të rëndësisë së veçantë; rruga për Durrës dhe rruga për Nais (Nish).
Lezha ishte ndër qytetet më të mëdha e më të fortifikuara të Ilirisë antike. Kështjella është ndërtuar në shek. VIII mbi themelet e Akropolit antik. Muret rrethuese i ka në gjatësi 2600 m., me trashësi deri 4.30 metra dhe me sipërfaqe prej 20 ha. Kështjella është një përzierje ndërtimore ilire, romake dhe bizantine. Në shek. VI, kështjellën e rindërtoi perandori ilir, Justiniani i Madh.
Si një pikë strategjike e Flotës Ushtarake Detare Ilire, Lezha ishte qendër e rëndësishme e kohës së mbretëreshës Teuta. Këtu është lidhur traktati i paqes mes Mbretëreshës Teuta dhe Romës në vitin 229 p.e.r. Në vitin 213 p.e.r., pas luftërave të mëdha mbrojtëse, Filipi V i Maqedonisë kishte arritur ta pushtonte Lezhën dhe Akrolisin.
Në shek. I e.r. Lezha bënte pjesë në provincën e Prevalit, me qendër në Shkodër, ndërsa në shekujt e mëvonshëm e gjejmë të përfshirë në Principatën e Arbërisë. Në vitin 1393 Progon Dukagjini Lezhën ia ka dorëzuar Republikës së Venedikut, ndërsa në vitin 1478 qyteti është pushtuar nga osmanët, me ç’rast është djegur e shkatërruar i tëri dhe banorët janë detyruar të zhvendosen disa kilometra më larg, në Ishullin e Lezhës. Në Ishullin e Lezhës, më 5 mars 1501, me trupa ushtarake nga Italia ka zbarkuar nipi i Gjergj Kastriotit, i njohur si Skënderbeu i Ri, por përpjekja e tij është thyer shpejt nga osmanët.
Kronistja bizantine, Ana Komnena e shek. XII, ka shkruar: “Lezha është një qytet i ngritur në ajër, që mund të shihet nga të katër anët. Si rrallë në ndonjë vend tjetër, brenda pak kilometrash, në Lezhë rrinë bashkë, si syri pranë syrit, deti me rërën, mali me pyjet, Drini me lagunat dhe historia me kulturën”.
Sot në Lezhë ndodhen monumentet historike e kulturore; Përkujtimorja (vendvarrimi) e Skënderbeut, Kështjella e Lezhës, qyteti antik Lissus, gërmadhat e Akrolisit, përmendorja e Besëlidhjes në qendër të qytetit, Ura e vjetër etj. Vendvarrimi i Skënderbeut është ndër monumentet më të rëndësishme të historisë shqiptare, vendi ku kryetrimi u kërkoi besë princërve shqiptarë për të themeluar, mbi bazën e principatave, shtetin e parë arbëror. Më 2 mars 1444, në katedralen e Shënkollit në qytetin e Lezhës, që ishte atëherë nën zotërimin e Venedikut, u mbajt Kuvendi i Lidhjes Shqiptare apo Besëlidhja e Lezhës, ku morën pjesë dhjetëra princër arbërorë, në krye me “Kapitenin e Përgjithshëm”, Gjergj Kastriotin. Në Kuvend princat shqiptarë i bashkuan forcat për t’i bërë ballë pushtimit osman, që paraqet ngjarjen më të madhe përbashkuese të shqiptarëve. Sipas Barletit, ushtarët osmanë i kanë nxjerrë nga varri, në copa të vogla, eshtrat e Skënderbeut për t’i përdorur si hajmali, ngase besonin se me to nuk do t’i nxinte vdekja. Katedralja historike, ku është mbajtur Kuvendi i Arbrit dhe ku është varrosur Skënderbeu, në shek. XVII ishte kthyer në një xhami. Mbi rrënojat e katedrales është vendosur Përkujtimorja e Gjergj Kastriotit me varrin e kryetrimit brenda saj, tashmë e shndërruar në një vend të rëndësishëm pelegrinazhi.
Në fshatin Merqi, afër Lezhës, në janar të vitit 1703, u mbajt Kuvendi i Arbnit, i njohur edhe me emrin Koncili i Arbnit, në të cilin u morën vendime të rëndësishme politike, atdhetare dhe fetare, që kishte mbrojtur gjuhën dhe arsimin shqip dhe që kishte edhe karakter letrar, kulturor, artistik, etnografik e filozofik.
Lezha është qytet me rreth 30 mijë banorë. Bashkia e Lezhës ka rreth 105 mijë banorë dhe përbëhet nga dy qytete (Lezha dhe Shëngjini), 10 njësi administrative dhe 65 fshatra. Qyteti i Lezhës është qendër e bashkisë, e rrethit, e qarkut dhe e prefekturës.
Zona e Lezhës është e njohur për prodhime bujqësore e blegtorale, për kultivimin e perimeve të hershme, të patates e të bostanit. Pastaj njihet edhe për prodhimin e verës e rakisë, për peshkim, për rritjen e gjeldetit, të fazanit e të rosave të egra. Çka është më interesant, kohëve të fundit në fushat e bashkisë së Lezhës kultivohet, në qindra hektarë, kultura e kikirikut. Fushat pjellore të Zadrimës dhe të Bregut të Matit, që e rrethojnë Lezhën, krijojnë kushte shumë të mira edhe për zhvillimin e agroturizmit.
Lezha është ndër qytetet më të mëdha të Shqipërisë, ku veprojnë institucionet administrative, kulturore, arsimore etj. Të gjitha veprimtaritë kulturore zhvillohen në Pallatin e Kulturës, ku organizohen me sukses Festivali tradicional i Rapsodëve dhe Instrumentistëve Popullor, Festivali i Gastronomisë, Dita e Shtegtarit etj. Nga institucionet tjera dallojmë Bibliotekën publike të qytetit, Galerinë e Arteve, Qendrën Kulturore të Fëmijëve, spitalin, shtëpinë e lindjes, Poliklinikën etj. Xhubleta malësore 4000-vjeçare, pjesë e kostumografisë etnografike të Lezhës me rrethinë, është e regjistruar në listën e UNESCO-s. Ndërsa në sport prinë ekipi i futbollit “Besëlidhja” me stadiumin e tij. Janë edhe ekipet e atletikës, mundjes, çiklizmit etj.
Si një qytet i lashtë dhe i rëndësishëm historik, qyteti i Lezhës është i pasur me trashëgimi të shumtë historike dhe kulturore. Në Torovicë, 13 km nga Lezha, janë gjetur 120 sëpata bronzi të epokës së bronzit, si dhe armë e vegla pune nga shek. X p.e.r., shumë amfora etj. Me trashëgimi të pasur kulturore dhe historike, me bukuri të larmishme natyrore dhe me klimë të përshtatshme, bashkia e Lezhës është një vend shumë tërheqës për zhvillimin e turizmit. Klima e butë mesdhetare, me verë të nxehtë e me dimër të butë, me 260 ditë me diell në vit, ka krijuar kushte që në Lezhë e rrethinë të zhvillohet turizmi dhe të bëhet një vend shumë i përshtatshëm për pushime.
Rrethina e Lezhës ka diell, det e plazhe me rërë shëruese, ka laguna të gjera, florë e faunë të pasur, qetësi dhe siguri, ka kulturë dhe histori dhe, mbi të gjitha, ka bukuri të shumta natyrore, si dhe kuzhinë tradicionale e mikpritje të traditës shqiptare. Vetëm në Lezhë gjendet turizëm detar, malor dhe lagunor. Mali, fusha, deti, pylli, laguna, pastaj edhe monumentet kulturore e historike, krijojnë tërësinë e harmonishme të zonës, krijojnë mrekullinë natyrore të Lezhës me rrethinë.