Shtegtime nëpër Atdhe (CCLXI)
SHKODRA – QYTETI 2500-VJEÇAR I HISTORISË DHE I TRADITAVE SHQIPTARE
Shkodra është qytet zulmëmadh, ndër qytetet më të vjetra dhe më të mëdha të Shqipërisë, kryeqendër e veriut të Shqipërisë, qendër e bashkisë, e rrethit, e qarkut dhe e prefekturës, si dhe qendër e rëndësishme ekonomike, kulturore, arsimore. Qyteti 2500-vjeçar i Shkodrës është një pikë gjeostrategjike në rrëzë të malit, në skaj të fushës, në breg të liqenit, në afërsi të detit… Ai paraqet një nyje rrugore me rëndësi kombëtare dhe rajonale. I ndodhur në skajin jugor të fushës së Mbishkodrës, pranë liqenit, që ia ka dhënë emrin, mes lumenjve Drin, Bunë dhe Kir dhe në afërsi të malit të Taraboshit, është larg Tiranës 100 km, Ulqinit – 42 km, Podgoricës – 60 km. I rrethuar nga ujërat e liqenit dhe të tre lumenjve, qyteti shtrihet në një reliev fushor, me lartësi mbidetare 10 – 12 m.
Në lashtësi Shkodra është quajtur në formën Skodra. Është gjetur në monedha të shek. II p.e.r. edhe me emrin Scodaris, kurse në monedha të vitit 230 p.e.r. mbante emrin Scodrinon. Nga viti 1287 emri i qytetit gjendet në format Scutarum (lat), Scutari (it), Skadar (sll), Ishkodra, Ishkenderije, Ishkender (turq), Scobre, Scodrai, Skodre, Skydreonopolis, Scodrinon.
Shkodra është themeluar në shek. IV p.e.r. nga fisi ilir i Labeatëve. Si një vendbanim i këtij fisi, gjatë sundimit të mbretit Gent (181 – 168 p.e.r.) ishte qendër e Mbretërisë Ilire, ndërsa në mes të shek. III p.e.r., bëhet qendër e Mbretërisë së Ardianëve me mbretërit Teuta, Agroni e Genti. Në vitin 168 p.e.r. Shkodra pushtohet nga Roma e nga viti 395 bie nën kontrollin e Bizantit dhe bëhet pjesë e Dioqezës së Dakisë. Nga serbët u pushtua në vitin 1040, të cilët e shpallën kryeqendër të Zetës. Pastaj bie nën bullgarët deri në shek. XIV dhe nën Bizantin. Kryeqendër e Principatës së Balshajve bëhet në vitin 1360, por pas humbjes në betejën e Savrës, në vitin 1396, qytetin ia dorëzojnë Venedikut. Rrethimi i parë i Shkodrës nga Bejlerbeu i Rumelisë ndodhi në vitin 1474, kur qyteti u mbrojt heroikisht, ndërsa në rrethimin e dytë të vitit 1478, që udhëhiqej nga Sulltan Mehmeti II, qyteti ra në duar të osmanëve. Atëherë, në vitin 1485, Shkodra u bë qendër e Sanxhakut, pastaj qendër e pashallëkut e qendër e vilajetit. Në gjysmën e dytë të shek. XVIII bëhet qendër e familjes (gjysmë të pavarur) të vezirëve Bushatlinj, familje që sundoi gjatë viteve 1756 – 1831 dhe tentoi të krijonte një principatë të pavarur, por që është shtypur nga Perandoria Osmane.
Gjatë Luftërave Ballkanike Shkodra u sulmua nga serbët e malazezët. Shtatë muaj ishte e rrethuar nga ushtria malazeze, kur populli rezistoi heroikisht. Por, më 24 prill 1913, pas tradhtisë së Esad Pashës, u pushtua nga Mali i Zi, me qëllim që ta bënte kryeqytet të vetin. Pas presionit të Fuqive të Mëdha, më 14 maj 1913, qyteti iu dorëzua një Komisioni të Admiralëve të Flotës Ndërkombëtare. Kur filloi Lufta e Parë Botërore Fuqitë e Mëdha qytetin ia dorëzuan një komisioni tjetër 12 anëtarësh, i quajtur Komisioni i Shkodrës. Në janar të vitit 1916 në Shkodër hyri ushtria austro-hungareze.Në këtë kohë u hap Komisia Letrare e Shkodrës dhe filloi të zhvillohet arsimi shqip. Tek më 11 mars 1920 xhandarmëria e shtetit shqiptar mori në dorëzim përfundimisht qytetin e Shkodrës. Në Luftën Nacionalçlirimtare Shkodra ka dhënë kontribut të madh, deri në çlirimin e saj nga forcat gjermane, më 29 nëntor 1944.
Krenaria e qytetit të Shkodrës është kështjella, e ndërtuar me gurë ciklopik në shek. V – IV p.e.r. mbi një kodër të lartë 130 m në hyrje të Shkodrës, si monumenti më i vjetër historik dhe si një pikë e rëndësishme turistike. Kjo kështjellë mbartë në vete, pos historisë së rëndë e të lavdishme, edhe Legjendën e Rozafës. Kështjella ndodhet në hyrje të qytetit dhe mes të lumenjve Drin, Bunë dhe Kir. Brenda mureve ndodhet muzeu, që i kushtohet historisë së kështjellës.
Shkodra në shek. XVII kishte rreth 1800 shtëpi, 15 lagje dhe 25 mijë banorë, ndërsa në vitin 1870 kishte 40 mijë banorë, në vitin 1939 – 30 mijë banorë, në vitin 2011 – 115 mijë banorë.
Pozita gjeografike dhe klimatike e qytetit dhe e bashkisë së Shkodrës krijojnë kushte shumë të mira për zhvillimin e bujqësisë dhe të turizmit. Në këtë bashki zhvillohet turizëm bregdetar, liqenor, lumor, malor, kulturor, historik, i aventurës, mjedisor. Vendet më turistike të bashkisë së Shkodrës, pos qytetit, janë Razma (42 km), Boga (48 km), Velipoja (29 km), Shiroka (7 km) dhe Zogaj (11 km). Shkodra kishte pazarin (bexhistanin) më të madh në Ilirik, i ndërtuar në vitet 1807 – 1809, me rreth 300 dyqane. Nga viti 1718 në Shkodër janë hapur shtatë konsullata të vendeve të fuqishme evropiane, tri banka të huaja e në vitin 1863 është themeluar edhe banka e parë vendore. Oda e Tregtisë e Shkodrës ishte hapur në shek. XVIII, që paraqiste në një mënyrë Bursën e Ilirikut. Dikur Shkodra kishte edhe port lumor, ngase Buna ishte lumë i lundrueshëm, përmes të cilës qyteti lidhej me Detin Adriatik. Qyteti verior lidhet me botën edhe përmes hekurudhës ndërshtetërore Vorë – Hani i Hotit – Podgoricë, e cila tash për tash nuk është funksionale.
Qyteti i Shkodrës, i njohur si “djepi i kulturës shqiptare”, ka tradita të lashta e të pasura kulturore. Në Shkodër u themeluan disa shoqëri dhe institucione letrare, kulturore e sportive. Dokumenti i parë në gjuhën shqipe “Formula e Pagëzimit” është shkruar nga Pal Engjulli në vitin 1462, libri i parë i historisë së letërsisë shqipe është shkruar nga Marin Barleti në vitin 1504, biblioteka e Bushatlinjve, me 3000 libra, është themeluar në vitin 1840, shtypshkronja e parë ka ardhur në vitin 1870, kur bëhet edhe fotografia e parë, në vitin 1876 është krijuar banda e parë muzikore. Pjetër Marubi punoi fotografinë e parë në vitin 1858, Kolë Idromeno shfaqi filmin e parë artistik në vitin 1912, Prenk Jakova krijoi operën e parë, “Mrika”. Institucioni i bashkisë, me emrin Beledie, është themeluar në vitin 1865. Në vitin 1913 është hapur shkolla e parë laike shqipe, ndërsa sot Shkodra është qytet universitar. Nga institucionet kulturore që ka Shkodra përmendim bibliotekën “Marin Barleti”, muzeun apo fototekën “Marubi”, Muzeun Historik të qytetit në shtëpinë e Oso Kukës, teatrin “Migjeni”, Galerinë e Arteve, orkestrën simfonike, filharmoninë etj. Shkodra ka njërin ndër klubet më të suksesshme të futbollit, “Vëllaznia” dhe stadiumin “Loro Boriçi”. Është vendlindja apo në Shkodër kanë vepruar të mëdhenjtë e kombit: Teuta, Agroni, Genti, Pal Engjulli, Marin Barleti, Marin Beçikemi, Kolë Idromeno, Pashko Vasa, Zef Jubani, Luigj Gurakuqi, Oso Kuka, Filip Shiroka, Gjergj Fishta, Ndre Mjedja, Migjeni, Marie Kraja…
Është traditë që shumë njerëz në Shkodër të udhëtojnë me biçikleta. Përdorimi i biçikletave paraqet një atraksion turistik dhe sportiv. Tradita e biçikletës daton që nga viti 1897, ndërsa në vitet 50-ta të shek. të kaluar në Shkodër kishte rreth 10 mijë biçikleta. Në vitin 1920 në Shkodër është zhvilluar gara e parë çiklistike në Ilirik dhe e treta në Evropë.
Në Shkodër ndërlidhen, si askund tjetër, natyra, e kaluara dhe e tashmja. Shkodra është qyteti i kulturës kombëtare, qyteti i biçikletave dhe qyteti i humorit. Gjithashtu, është qytet i vlerave, i nderit dhe i krenarisë kombëtare, qyteti me kontribut të madh në histori, në kulturë, në sport. Në Shkodër janë shkruar librat e parë, janë luajtur dramat e para, janë shfaqur filmat e parë, është luajtur së pari futbolli, janë kompozuar operat e para, janë bërë fotografitë e para…
add a comment