Shtegtime nëpër Atdhe (CCLVIII)
SELCA – FSHATI ME NATYRËN, KULTURËN E TRADITAT MALËSORE
Në Malësinë e Madhe, në mes të Alpeve Shqiptare, në rrjedhën e lumit Cem dhe në rrugën Hani i Hotit – Guci ndodhet fshati Selcë. Selca është një fshat shumë i bukur alpin turistik, 10 km nga Tamara, 40 km nga Hani i Hotit dhe 22 km nga Vermoshi. Deri në vitin 1935 ishte qendër e krahinës së Kelmendit. Ndodhet në lartësi mbidetare prej 353 – 1100 m dhe rrethohet me maja e kreshta të larta malesh.
Fshati Selcë është një vendbanim i vjetër, i përmendur në dokumente historike që nga shek. XV. Njihet veçanërisht për luftërat antiosmane, të zhvilluara në Qafën e Këstecit dhe te Suka e Mkushit. Në Zall të Bruzit, afër Selcës, Nora e Kelmendit e ka vrarë pashën turk.
Në vitin 1998 Selca kishte rreth 1200 banorë dhe përbëhej nga 11 lagje të shpërndara në një grykë lumi. Në fshat ka shkollë fillore nëntëvjeçare, qendër shëndetësore, disa bujtina, shitore dhe një kishë.
Deri tash Selca ishte një fshat i varfër, i izoluar dhe i braktisur në thellësi të maleve. Megjithatë, me ndërtimin e rrugës Hani i Hotit – Guci dhe me zhvillimin e turizmit viteve të fundit, fshati po ringjallet me shpejtësi. Banorët e Selcës kryesisht janë marrë me blegtori, pak me bujqësi, ndërsa viteve të fundit edhe me grumbullimin e bimëve të malit dhe bimëve mjekësore, siç janë salepi, çaji i malit etj. Si një fshat malor, me shumë pak tokë bujqësore, banorët kryesisht mbjellin patate, misër dhe perime. Fshati ka mjaft drurë frutor, si arra, kumbulla, mollë, thana, fiq, man dhe hardhi.
Fshati Selcë ka pamje mahnitëse të natyrës dhe ka monumente të shumta natyrore, siç janë gjarpërimi i lumit Cem, kanioni i gjatë i Gerlles, shumë shtigje malore, shpellat interesante, tarraca e Greçes etj. Lumi Cem ka krijuar kanionin e Gerlles, i gjatë 900 metra dhe i thellë 25 metra. Është një kanion që përshkon, me gjerësi shumë të vogël, përmes shtëpive dhe arave të mbjella të fshatit. Pastaj, është Ujëvara e Selcës apo e Sllapit, në lartësi 30 m, e krijuar nga një burim i fuqishëm uji që del nga shkëmbi, që vlerësohet si një kryevepër natyrore e që tërheq turistë të shumtë. Për të shkuar te kjo ujëvarë duhet ecur këmbë rreth dy orë nëpër shtigje malore dhe në një natyrë të mrekullueshme. Edhe lëndina apo tarraca e Greçes është një monument i natyrës, ku më 23 qershor 1911 është mbajtur kuvendi i krerëve të zonës dhe është nënshkruar memorandumi me 12 pika për njohjen e kombësisë shqiptare, të administratës e të shkollimit shqip. Memorandumi, i hartuar nga Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi, është nënshkruar edhe nga Dedë Gjo Luli, Mehmet Shpendi etj. Në këtë lëndinë ende ndodhet lisi gjigand qindravjeçar i ahut, një ah historik, në hijen e të cilit janë mbledhë burrat për ta hartuar Memorandumin e Greçes drejtuar Portës së Lartë. Pasuri natyrore janë edhe burimet në bjeshkën e Koprrishtit, në lartësi mbidetare 1450 m., pastaj bjeshka e Jeshnicës, një ndër qendrat e mëdha blegtorale të Alpeve. Nga këto bjeshkë zbresin rrëmbyeshëm rrëketë, duke krijuar disa ujëvara.
Selca është një mozaik pamjesh e ngjyrash të mrekullueshme, të cilën mund ta quajmë fshat i bukurive të egra e të fshehura, fshat i një natyre të paprekur shqiptare, fshat i bukurive fantastike natyrore. Aty gjejmë pamje mahnitëse, duke filluar nga gjarpërimet e lumit Cem, nga kanioni i Selcës, nga dy ujëvarat e bukura, tetë shpellat e pa hulumtuara, shtigjet malore shumë interesante, vendet historike, shtëpitë karakteristike etj.
Te banorët e Selcës gjejmë edhe kulturën dhe traditat e vjetra malësore, gjejmë mjeshtërit e punimeve të shkëlqyeshme artistike nga druri, guri e lëkura dhe, çka është më kryesore, gjejmë malësorët e malësoret trima e të fortë.
add a comment