Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCIX) – FERIZAJI – QYTETI ME SHUMË EMRA, QË LINDI NGA HEKURUDHA

Shtegtime nëpër Atdhe (CCIX)
FERIZAJ – QYTETI ME SHUMË EMRA, QË LINDI NGA HEKURUDHA
Qyteti i Ferizajt, me rreth 80 mijë banorë dhe në lartësi mbidetare prej 500 metra, shtrihet në jug të Kosovës, mes Prishtinës e Shkupit. Është qytet i ri, por qytet i madh, qyteti i dytë apo i tretë për nga madhësia në R. e Kosovës, qendër komunale dhe rajonale, që shtrihet në pjesën e poshtme të Fushës së Kosovës, përballë Malit Sharr dhe Majës së Lybetenit. Si udhëkryq i rëndësishëm veri – jug dhe lindje – perëndim, nëpër Ferizaj kalojnë rrugët e rëndësishme që lidhin drejtpërdrejt Ferizajn me Prishtinën e Shkupin, me Gjilanin e Vitinë, me Brezovicën, me Shtimen e Prizerenin. Ndodhet 37 km nga Prishtina, 55 km nga Shkupi, 230 km nga Tirana, me lidhje edhe të autostradës me Prishtinën e Hanin e Elezit, si dhe me hekurudhën Fushë-Kosovë – Shkup. Një gazetar anglez, H. N Brailsfold, në vitin 1903, në udhë përshkrimin e tij për Ferizajn, pos tjerash, ka thënë: “Në Ferizaj fillon Shqipëria”.
Zona e Ferizajt ka qenë e populluar qysh nga kohët parahistorike. Nga shek. VIII p.e.r. rrethina e Ferizajt ishte e banuar nga ilirët dardanë. Në Gurëz dhe Mollapolc janë gjetur kodërvarre ilire. Që nga shek. IV zona u sundua nga bizantinët, bullgarët, serbët, turqit. Mirëpo, si vendbanim, Ferizaj është themeluar gjatë periudhës otomane, në vitin 1873, atëherë kur ishte ndërtuar hekurudha Shkup – Ferizaj – Mitrovicë. Pasi ishte ndërtuar edhe stacioni i trenit në vendin ku tash është qyteti i Ferizajt, Feriz Shasivari, nga Gjakova, e kishte ndërtuar një han, sepse stacioni sillte qarkullim të madh të popullsisë. Vendi ku u ndërtua hani u quajt “Te Hani i Ferizit” dhe pastaj vetëm Ferizaj. Turqit dhe serbët e quajtën Ferizoviq, kurse popullsia vendore shqiptare kryesisht e quante Tasjan (turq. stacion). Pas pushtimit të Kosovës, në vitin 1913, serbët e riemërtuan qytetin në Uroshevac.
Në pranverën e vitit 1881 edhe rrethina e Ferizajt ishte përfshirë në luftërat e forcave vullnetare të Lidhjes Shqiptare të Prizerenit me forcat turke, të komanduara nga Dervish Pasha. Luftimet u zhvilluan në Slivovë më 20 – 21 prill 1881, ku ra heroikisht në fushëbetejë Mic Sokoli, nga Bujani i Malësisë së Gjakovës, varri i të cilit gjendet në Slivovë, bashkë me varrin e bashkëluftëtarit, Sefë Kosharja (fatkeqësisht, jo i mirëmbajtur). Është i njohur në histori Kuvendi i Ferizajt i vitit 1908, i cili kërkoi nga Porta e Lartë ndryshime politike në Perandori dhe të drejta politike, arsimore e kulturore për shqiptarët. Nga Ferizaj, më 14 gusht 1912, u nisën kryengritësit, të udhëhequr nga Isa Buletini dhe Idriz Seferi dhe e çliruan kryeqendrën e Vilajetit të Kosovës, Shkupin. Ferizaj u pushtua nga ushtria serbe pas një rezistence të madhe, më 25 tetor 1912, pushtim që zgjati 87 vjet. Ferizaj dhe rrethina e tij i ka rezistuar gjithnjë edhe regjimit serbo – jugosllav që nga viti 1944 / 1945, përmes demonstratave të viteve 1968, 1981, si dhe të viteve 1988, 1989 e 1990. Më 12 qershor 1999, me hyrjen e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të forcave të NATO-s, qyteti u çlirua nga sundimi serb gati njëshekullor. Edhe në luftën çlirimtare Ferizaj dhe rrethina e tij dha kontribut të çmuar, duke i dhënë lirisë së Kosovës 58 dëshmorë.
Fillimet ekonomike të Ferizajt ishin bërë në shek. XIX, kryesisht me hapjen e punishteve zejtare e të lokaleve tregtare. Në vitin 1900 Ferizaj ishte një fshat i vogël me 400 shtëpi, nga të cilat 200 ishin dyqane. Mes dy luftërave botërore në Ferizaj ishte ndërtuar vetëm fabrika e tullave e tjegullave. Ekonomia e komunës së Ferizajt zhvillohet hovshëm pas Luftës së Dytë Botërore dhe, veçanërisht, pas luftës çlirimtare në Kosovë. Ferizaj kishte një mori objektesh industriale: Fabrikën e Gypave të çelikut, Fabrikën e Vajit, Kombinatin e Drurit, Fabrikën e Frutave ekzotike, Fabrikën e Tullave e Tjegullave etj. Këto fabrika u privatizuan pas luftës dhe shumica prej tyre e ndërruan destinimin apo u mbyllën fare. Edhe pas luftës Ferizaj u bë qendër e rëndësishme ekonomike, kryesisht me zhvillimin e biznesit privat. Sot Ferizaj konsiderohet si qyteti i dytë më i zhvilluar i Kosovës, pas Prishtinës.
Si qendër arsimore, Ferizaj ka katër shkolla fillore, shtatë shkolla të mesme dhe, nga viti 2015, është qytet universitar, me universitetin më të veçantë, Universitetin e Shkencave të Aplikuara, në përbërje të të cilit veprojnë pesë fakultete.
Qyteti i Ferizajt dallohet edhe për jetën e zhvilluar kulturore. Në Ferizaj funksionon biblioteka komunale “Sadik Tafarshiku”, njëra ndër bibliotekat më të pasura me libra, e vendosur në objektin e trashëgimisë kulturore në qendër të qytetit, i ndërtuar rreth vitit 1912. Ferizaj ka teatrin profesional “Adriana”, Muzeun e Qytetit, i themeluar në vitin 2011, ku, mes eksponateve arkeologjike e etnografike gjendet edhe Hyjnesha e Varoshit, e vjetër rreth tetë mijë vjet. Jetën kulturore e pasurojnë ansambli i mirënjohur i këngëve e valleve “Kastriotët”, Galeria e Arteve, Shoqata e Karikaturistëve “Hithi”, klubi letrar “De Rada” dhe shumë shoqata e subjekte tjera kulturore. Ferizajn mund ta quajmë “Qytet i festivaleve”. T’i numërojmë disa prej tyre: Festivali “Kosovarja këndon”, festivali ndërkombëtar i filmit “Ferfilm”, Festivali ndërkombëtar i karikaturës, Festivali i muraleve “Muralfest”, festivali i fëmijëve “Fëmijët e gëzuar”, Festivali i recituesve, Festivali i fotografisë, Kolonia artistike, Bienali i skulpturës, “Ora e Astritit” etj.
Fshati Jezerc, rreth 8 km nga qyteti, me hapësirë të madhe gjeografike, është një zonë malore shumë e pëlqyeshme për ta vizituar. Viteve të fundit fshati Jezerc është kthyer në njërën nga pikat kryesore hoteliere e turistike të Kosovës. Në Jezerc, ku ka pyje të larta, livadhe të buta e kroje të shumta, po zhvillohet turizëm malor dhe turizëm fshatar, me kushte të mira për ecje në natyrë, çiklizëm, gjueti, peshkim, skitari etj.
Ferizaj ka disa veçanti, që nuk i kanë qytetet tjera. Menjëherë pas luftës çlirimtare të Kosovës, afër Ferizajt është ndërtuar baza më e madhe amerikane në Evropën Juglindore, Kampi Bondstill. Në Ferizaj ndodhet fenomeni natyror hidrografik, bifurkacioni (bigëzimi ose degëzimi) në lumin Neredime, ku lumi ndahet në dy degë dhe vazhdon në drejtime të kundërta, për të përfunduar në dy dete të ndryshme. Ky kuriozitet i Ferizajt, i shpallur Rezervat natyror në vitin 1979, është fenomeni i vetëm në Evropë dhe njëri nga dy fenomenet e tilla natyrore në botë. Afër bifurkacionit ndodhet mulliri i vjetër i ujit, i shndërruar në muze etnografik. Fenomen tjetër janë dy faltoret e dy besimeve, të ndërtuara në të njëjtën hapësirë, xhamia dhe kisha ortodokse, që tregon për tolerancën dhe bashkëjetesën fetare të shoqërisë sonë. Projekti i realizuar viteve të fundit, i quajtur “Bashkimi i qytetit”, i pashembullt në Kosovë, e transformoi Ferizajn në një qytet modern. Kurse ndërtimi i hekurudhës dhe i stacionit hekurudhor, nga fundi i shek. XIX, ishte faktori kryesor i themelimit, i lindjes dhe i zhvillimit të qytetit të Ferizajt.
I mbiquajturi “Qyteti i trenit”, “Qyteti i festivaleve”, “Qyteti i muraleve”, Ferizaj ka zhvillim të shpejt në të gjitha lëmenjtë e jetës në Republikën e Kosovës. Është qytet simpatik, i rregulluar bukur dhe në një pozitë gjeografike e në një mjedis natyror shumë të volitshëm. Në Fushën e gjerë të Kosovës, me lumin Neredime mes përmes, me majën e Lybetenit mbi krye dhe me malet e Jezercit në krah, Ferizaj marshon me hapa të sigurt në ardhmëri.