Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCIL) – SUKUBINA – FSHATI NË KUFI QË PRET E PËRCJELLË SHQIPTARË

Shtegtime nëpër Atdhe (CCIL)

SUKUBINA – FSHATI NË KUFI QË PRET E PËRCJELLË SHQIPTARË
Sapo të kalohet vendkalimi kufitar i Muriqanit, ndodhemi në Sukubinën shqiptare në Mal të Zi. Fshati kufitar i Sukubinës në krahinën e Anamalit shtrihet në rrugën mes qyteteve Ulqin, Tivar e Shkodër; 25 km nga Ulqini, 30 km nga Tivari dhe 17 km nga Shkodra. Rrugën Tivar – Shkodër e kanë ndërtuar austro-hungarezët Luftës së Parë Botërore (1916 – 1918).
Fshati Sukubinë është i lidhur me rrugë shumë të mirë me qendrën komunale, Ulqinin, e rindërtuar viteve të fundit. Kjo rrugë ka lehtësuar, pos tjerash, edhe qarkullimin e turistëve kosovarë drejt qytetit të parapëlqyer për pushime, Ulqinit dhe anasjelltas.
Në vitin 2002 për herë të parë në Sukubinë është hapur pika kufitare, që është lidhja më e madhe mes shteteve Shqipëri e Mal i Zi dhe e që lidhë Shqipërinë në rrugë më të shkurtër me Evropën. Në vitin 2009 vendkalimi kufitar Sukubinë – Muriqan shndërrohet në vendkalim të përbashkët kufitar, që paraqet funksionimin e parë të një vendkalimi të përbashkët kufitar në Ilirikun Perëndimor. Pika kufitare Sukubinë – Muriqan është pika më e rëndësishme që lidhë Shqipërinë e Malin e Zi, por është e rëndësishme edhe për lidhjen e Shqipërisë, Kosovës e më gjerë me Evropën.
Sukubina kufizohet, në anën tjetër të kufirit, me fshatin Muriçan, me të cilin bashkohet përmes vendkalimit kufitar Mali i Zi – Shqipëri. Ky fshat ka terren fushor – kodrinor, me lartësi të ultë mbidetare. Pozita e përshtatshme gjeografike dhe klima mesdhetare ka bërë që Sukubina të bëhet një fshat i pasur bujqësor. Toka pjellore në brigjet e lumit Buna mundëson kultivimin e të gjitha kulturave bujqësore, veçanërisht të atyre mesdhetare. Megjithatë, lumi Buna di edhe të befasojë, ndonjëherë fryhet dhe i përmbytë tokat e buta anamalase.
Ngjarjet historike që janë zhvilluar në të kaluarën, veçanërisht vendimet e padrejta të Fuqive të Mëdha të vitit 1913 për ndarjen e trungut etnik shqiptar, kanë bërë që të ndahet në dy pjesë edhe krahina e Anamalit, ndërsa fshati Sukubinë të mbetet në anën tjetër, në përbërje të shtetit Mali i Zi dhe pastaj Jugosllavi. Mbyllja e kufirit dhe bërja e tij pothuaj i pakalueshëm gati një shekull, deri në vitin 2002, kur u hap vendkalimi kufitar i Sukubinë – Muriçanit, ka kushtuar jashtëzakonisht shumë në raportet dhe në marrëdhëniet shpirtërore, familjare e ekonomike për banorët e këtij fshati dhe fshatrave përreth.
Sipas regjistrimit të vitit 2011, Sukubina kishte 367 banorë. Është karakteristike se numri i popullsisë së fshatit, që nga viti 1948 e deri në vitin 1991, ka pas një trend të rritjes së qëndrueshme, kurse pas këtij viti numri i popullsisë ka filluar të bie dukshëm.
Shkolla e parë në Sukubinë është hapur në mejtepin, pranë xhamisë, në vitin 1929, por shpejt është ndërprerë dhe ka vazhduar në një shtëpi private. Në vitin 1932 ndërtohet shkolla e re, ku mësimi është zhvilluar deri në vitin 2015. Sot fshati Sukubinë ka shkollën e re, të ndërtuar viteve të fundit, e cila ka mbi 500 m2 dhe ka kushtuar 340 mijë euro, e bërë me pjesëmarrje të Ministrisë së Arsimit, të komunës dhe të mërgimtarëve.
Një fshat i vogël kufitar, Sukubina, që bashkon sadopak shqiptarët e ndarë në shumë shtete, mbetet në kujtesën tonë të përhershme si fshat që na pret e prej të cilit tfillojmë rrugëve të gjata të Evropës plakë.