Shqipëria/Aktualitet

Berat Luzha: Shtegtime nëpër Atdhe (CCIII) – PRESHEVA – QYTETI SHQIPTAR I DHEMBJES SONË TË MADHE

Shtegtime nëpër Atdhe (CCIII)
PRESHEVA – QYTETI SHQIPTAR I DHEMBJES SONË TË MADHE
Presheva është qendër komunale dhe qendër e shqiptarëve të Kosovës Lindore, e ndodhur në trekëndëshin kufitar Kosovë, Maqedoni, Serbi dhe e mbetur historikisht në përbërje të shtetit serb. Nëpër Fushën e Preshevës kalon njëri ndër korridoret më të rëndësishme natyrore të Gadishullit Ilirik përmes luginave të Moravës dhe Vardarit. Nëpër këto lugina përshkojnë dy arteriet ndërkombëtare komunikuese; autostrada dhe hekurudha Beograd – Nish – Shkup – Selanik. Po ashtu, ekziston një projekt për ndërtimin e kanalit lundrues Danub – Deti Egje. Hekurudha Shkup – Nish, e ndërtuar në vitin 1888, si dhe korridori rrugor ia kanë shtuar rëndësinë qytetit dhe komunës së Preshevës. Qyteti është edhe nyje rrugore, për shkak se, që nga viti 1979 lidhet me rrugë të asfaltuar me Gjilanin.
Komuna e Preshevës gjendet në fushën e lumit Moravicë, mes Malit të Karadakut, në perëndim dhe malit Rujn, në lindje. Fusha e Preshevës, e zgjatuar veri – jug, që lidhë fushën e Bujanocit, në veri me fushën e Kumanovës, në jug, ka gjatësi 17 km dhe gjerësi 8 km. Kurse mali Karadak shtrihet mes Fushës së Preshevës dhe Luginës së Moravës, me lartësinë më të madhe prej 1168 metra. Afër Preshevës gjendet Guri i Shpuem, një faltore apo një monument i rëndësisë së veçantë nga trashëgimia kulturore e historike ilire, i cili pas pushtimit romak ishte shndërrua në bazilikë.
Kosova Lindore në kohët e lashta ishte pjesë e provincës ilire të Dardanisë, me kryeqytet Skupin, pastaj ka rënë nën sundimin romak. Më vonë radhazi kanë ardhur pushtuesit bizantinë, bullgarë, serbë, osmanë. Përmendet për herë të parë si zhupë në vitin 1381, kur kisha e Rahovicës i bashkëngjitet Manastirit të Hilandarit. Pas rënies nën pushtimin osman, në vitin 1455, Presheva ishte një qytezë dhe qendër e nahisë e në vitin 1498 përmendet me emrin Preshova. Nën pushtimin osman ishte pjesë e Pashallëkut të Shkupit, më vonë ishte kaza në përbërje të Sanxhakut të Prishtinës e të Vilajetit të Kosovës. Deri në vitin 1912 Presheva me rrethinë ishte kaza e Sanxhakut të Prishtinës dhe pjesë e Vilajetit të Kosovës, kurse pas vitit 1912 mbetet pjesë e etnikumit shqiptar të Kosovës dhe Maqedonisë, por e pushtuar dhe e ndarë me vija administrative. Në vitin 1918 ishte bërë rreth (okrug) në kuadër të Banovinës së Vardarit, me seli në Shkup, kurse gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte nën pushtimin bullgar, e varur nga Shkupi. E keqja më e madhe i ndodhi pas LDB, kur Presheva ndahet, bashkë me Bujanocin e Medvegjën, edhe nga trungu etnik në Kosovë e Maqedoni dhe mbetet një qendër komunale në Republikën e Serbisë. Ndarja e dhunshme nga trungu etnik i ka kushtuar dhe i ka shkaktuar tragjedi të mëdha popullsisë së këtyre viseve shqiptare. Mirëpo, disa fshatra të Malësisë së Karadakut, që pas luftës ishin në kuadër të krahinës së Kosovës, si Staneci, Seferi, Caravajka, Peçena, Maxhera, Depca dhe Ranatoci, me Kushtetutën e Republikës së Serbisë të vitit 1947, iu njohën komunës së Preshevës, respektivisht, Republikës së Serbisë. Kështu u veprua edhe me disa fshatra tjerë të brezit kufitar, që iu dhanë komunës së Bujanocit.
Territori i Kosovës Lindore gjithmonë, gjeografikisht dhe historikisht, deri në vitin 1945, ishte i lidhur me krahinën e Kosovës. Shqiptarët e Preshevës dhe përgjithësisht të Kosovës Lindore asnjëherë nuk i kanë ndalur përpjekjet e tyre për çlirim, për zhvillim e demokratizim. Në kushte shumë të rënda, në mars të vitit 1992, shqiptarët e Kosovës Lindore organizuan Referendumin për autonomi territoriale – politike me të drejtë të bashkimit me Republikën e Kosovës. Ata janë të lidhur shpirtërisht, historikisht dhe gjeografikisht me shqiptarët në Republikën e Kosovës. Krah për krah me vëllezërit e tyre, shqiptarët e Preshevës ndihmuan në të gjitha format e mundshme proceset historike të zhvilluara në truallin shqiptar, si luftën austro – turke (1683 – 1699), Lidhjen Shqiptare të Prizerenit (pesë delegatë nga Presheva), betejën në Grykën e Kaçanikut, luftën e UÇK-së për çlirimin e Kosovës etj.
Pas përfundimit të luftës çlirimtare në Kosovë, edhe në Kosovën Lindore, në vitin 2000, ka shpërthyer një konflikt i armatosur mes Ushtrisë Çlirimtare dhe forcave ushtarake e policore serbe. Konflikti ka përfunduar me një marrëveshje të brishtë, e ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët, të cilën Serbia kurrë nuk e ka zbatuar. Pas konfliktit një pjesë e popullsisë shqiptare u detyrua të zhvendoset në Kosovë e në vende tjera.
Komuna e Preshevës, me 35 fshatrat e veta, sipas regjistrimit të vitit 1981 kishte 34 mijë banorë, kurse sipas regjistrimit të vitit 2002, 35 mijë banorë (qyteti 13.5 mijë banorë). Mirëpo, shifrat flasin se pas vitit 2000 komuna e Preshevës ka pësuar rënie drastike të numrit të popullsisë.
Presheva ka shtëpinë e kulturës “Avdullah Krashnica”, ku janë të vendosura biblioteka, salla e teatrit, Televizioni i Preshevës etj. Kinemaja e vjetër është shndërruar në një qendër kulturore me galeri të arteve, me sallë të koncerteve e me sallë të konferencave. Në Preshevë vepron Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore dhe organizohen disa festivale; festivali i trashëgimisë kulturore shqiptare me folklor, dramë, prozë e poezi, festivali i komedisë dhe konkursi ndërkombëtar i fotografisë “PreFoto”. Në shkollën fillore “15 Nëntori” është krijuar një muze i pasur me eksponate që nga kohët parahistorike.
Presheva dhe Kosova Lindore, në përgjithësi, është rajoni më i pazhvilluar në R. Serbisë, i mbetur pa përkrahje politike, ekonomike e shoqërore nga shteti serb. Edhe pse është një zonë strategjike dhe me pasuri të mëdha natyrore, zhvillimi i tij është tetë herë më i vogël se mesatarja e Serbisë. Popullsia jeton kryesisht nga bujqësia, nga biznesi i vogël familjar, kurse të ardhurat kryesore vijnë nga mërgata, e cila është e shumtë dhe e shpërndarë në shumë vende të botës. Rreth 70 për qind e popullsisë në komunën e Preshevës janë marrë me bujqësi. Në të kaluarën kjo zonë ishte e njohur veçanërisht për kultivimin e duhanit, por jo edhe sot. Për shkak të papunësisë, që ka nivelin mbi 60 për qind, për shkak të varfërisë së madhe dhe të presioneve ekonomike e politike, njerëzit këtu nuk shohin të ardhme për jetesë, ndaj shpërngulja e popullsisë së kësaj zone po vazhdon me ritme të shpejta. Mungesa e punësimit, problemet në arsimit shqip, siç janë mosnjohja e diplomave të universiteteve të Kosovës, mungesa e teksteve shkollore etj., si dhe diskriminimi dhe ndjekjet e vazhdueshme politike i kanë detyruar të rinjtë ta kërkojnë të ardhmen e tyre larg vendlindjes, në Kosovë apo në shtetet evropiane.
Fenomen i komunës së Preshevës dhe i Kosovës Lindore, në përgjithësi, është numri i madh i partive politike në një territor të vogël dhe me zgjedhës të pakët. Partitë politike, të përçara, të pakoordinuara e shpesh edhe të armiqësuara mes vete bëjnë që, në vend të tre e më tepër deputetëve të mundshëm për t’u zgjedhur për Skupshtinën e Serbisë, të zgjidhen dy, një e ndonjëherë asnjë deputet. Gjendja e përhershme politike e acaruar me Beogradin, si dhe grindjet e mosmarrëveshjet ndërmjet veti ndikojnë edhe në shërbimet komunale dhe në investimet e nivelit qendror dhe lokal për ta përmirësuar infrastrukturën e nevojshme të qytetit e të fshatrave.