Shtegtime nëpër Atdhe (CCCVI)
SELENICA – FSHAT-QYTETI I VENITUR I “ARIT TË ZI”
E rrethuar me kodra dhe e ndodhur në bregun e majtë të lumit Vjosa, apo më saktë midis dy lumenjve, lumit Vjosa dhe Lumit të Vlorës, ndodhet qyteti apo fshati i Selenicës. Selenica është qendër e bashkisë në rrethin e Vlorës, që lidhet me rrugë vetëm me qytetin e Vlorës në largësi prej 27 km. Në kuadër të bashkisë së Selenicës janë pesë njësi administrative; Armeni, Vllahina, Kota, Sevastëri dhe Brataj. Emrin Selenicë e mbanë që nga vitet 1700 dhe lidhet me fjalën “Seren”, me çka nënkuptohet pasuria e saj nëntokësore, minerali i rrallë edhe në suaza evropiane, bitumi.
Në antikitet Selenica përmendet me emrin Nympheum. Në territorin e bashkisë së sotme të Selenicës gjenden qytetet antike Olimpia dhe Amantia nga shek. V p.e.r. Thuhet se banorët e parë të Selenicës ishin shtatë vëllezërit e fisit vllah Rovina, të ardhur nga Voskopoja në vitin 1770. Fisi Rovina ka dhënë kontribut të veçantë për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, duke qenë mbështetës të fortë të Ismail Qemalit. Gjithashtu, të prirë nga Toli Kita Rovina, rovinasit ishin ndër ideatorët dhe organizatorët e Luftës së Vlorës të vitit 1920.
Pozita gjeografike dhe kushtet e favorshme klimatike të Selenicës e rrethinës kanë ndikuar për zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë e vreshtarisë, veçanërisht për kultivimin e pemëve dhe të agrumeve. Ndërsa, ekonomia kryesore e bashkisë së Selenicës mbështetet te Miniera e Bitumit, e vetme e këtij lloji dhe njëra ndër më të vjetrat në Shqipëri. Bitumi natyral i Selenicës, i njohur qysh para 2000 vjetëve, është një pasuri e rëndësishme natyrore nëntokësore e Shqipërisë, për të cilin është folur e shkruar gjithnjë. Aristoteli, në kohën e tij, ka thënë: “Thamë se del zift dhe zjarre si currila, që shpërthejnë nga toka… dhe banorët e vendit thonë se jo larg këtij vendi është një zjarr”… Plini I, në shek. III p.e.r., ka shkruar: “…aty del diçka pis i zi, që është një lloj zifti”. Ndërsa gjeografi Strabon, ka shënuar: “Në një kodër del zjarr e po aty rrjedhin burime të vakta zifti”.
Shfrytëzimin e parë të bitumit (asfaltit, ziftit) e ka bërë një shoqëri angleze qysh në vitin 1830. Para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore bitumin e Selenicës e kanë shfrytëzuar egërsisht kompanitë e huaja turke, angleze, franceze, italiane. Nga të gjitha shoqëritë e huaja punëtorët janë shfrytëzuar egërsisht, por nuk kanë munguar as revoltat e tyre, siç janë ato të viteve 1937, 1940, 1941, 1942.
Pjesë e minierës ishte edhe hekurudha me binarë të ngushtë, nëpër të cilën transportohej xehe e bitumit me tren të vogël apo dekovil në relacionin Selenicë – Vlorë. Këtë hekurudhë, në gjatësi prej mbi 30 km, e kishin ndërtuar italianët për ta bartur xehen e asfaltit deri në Portin e Vlorës, prej nga do të transportohej me anije në Itali. Ky dekovil, me lokomotivë me avull dhe me vagoneta të vogla ka funksionuar deri në vitin 1991, kur është ndal përgjithmonë, ndërsa binarët e saj janë plaçkitur. Italianët para lufte e kishin ndërtuar në Vlorë edhe një fabrikë për përpunimin e xehes së bitumit dhe për prodhimin e vajrave minerale dhe të lubrifikanteve.
Pas Luftës së Dytë Botërore, si rrjedhojë e shfrytëzimit të bitumit, në minierën e Selenicës është rritur numri i të punësuarve, rrjedhimisht edhe i popullsisë në qytet dhe kishte arritur në shifrën rreth 8000 banorë (sot ka rreth 2000 banorë). Kështu, Selenica është zhvilluar e ndërtuar në një qytet të vogël minatorësh, ku ishin ndërtuar pallate të banimit, pallati i kulturës, salla e kinemasë, muzeu i qytetit, biblioteka, shkolla e mesme, si dhe kanë funksionuar teatri amator, estrada muzikore, etj. Ngase viteve të fundit shfrytëzimi i minierës ka rënie të madhe të prodhimit, është rritur jashtëzakonisht shumë edhe papunësia. Selenica sot duket si një vendbanim i fjetur apo i vdekur, pasi është braktisur mjaft shumë nga banorët e tij, duke shkaktuar dhembje e zbrazëti. Ajo sot e ka shkollën e mesme, e cila në vitin 1990 kishte 750 nxënës, ndërsa sot rreth 150.
Edhe pse është një bashki e vogël, me mundësi modeste për investime, Selenica viteve të fundit mëton edhe për zhvillimin e turizmit. Sepse bashkia e Selenicës ka pasuri natyrore dhe ngjarje e objekte të trashëgimisë kulturore e historike. Ndër pasuritë më të njohura janë qyteti antik i Amantisë – Park Kombëtar në Ploçë, Qyteza e Armenit, Kështjella e Mavrovës, Kështjella e Boderit në Smokthinë, Kështjella e Cerjes në fshatin Brataj, Shpellat e Velçës, Shpella e Vajzës, Ura në fshatin Brataj, Ura e Frengut në Gjorm, vendbanimi i vjetër i Kropishtit, Mozaiku i Mesaplikut, Shpella e shkruar në Lepenicë, fshati Drashovicë – Nderi i Kombit, kulla e Ali Pashës në Gumenicë, Termat antike në fshatin Rexhepaj, rrënojat e kishës në Brataj, etj.
Në Selenicë sot jeta paraqitet mjaft e venitur. Ajo rrjedhë ngadalë, pothuajse është ndalur, ngase qytetin e ka ngrënë mërgimi dhe e ka kapluar varfëria. Dikur puna në minierë paraqiste nderë e krenari, sot aty punë nuk ka.
Dhe, si përfundim mund ta nxjerrim frazën: Selenica është e pasur në nëntokë dhe e varfër mbi tokë.