Shtegtime nëpër Atdhe (CCLXXIX)
MAMUSHA – FSHATI KOMUNË I TURQVE QË MBAJNË MBIEMRA SHQIPTARË
Fshati Mamushë, i shndërruar në komunën Mamushë, është ndër fshatrat dhe komunat më të veçanta të Kosovës, është vendbanimi i vetëm dhe komuna e vetme e banuar me popullsi të deklaruar turke, që shtrihet në Rrafshin e Dukagjinit në lartësi mbidetare 320 – 360 m. Mamusha ndodhet mes qyteteve Prizeren (15 km) Suharekë (11 km) dhe Rahovec (14 km), në rrugën regjionale Suharekë – Piranë, rrugë që lidhë dy magjistralet; Prizeren – Prishtinë dhe Prizeren – Gjakovë.
Deri në vitin 2005 Mamusha ishte një fshat i zakonshëm i komunës së Prizerenit. Mirëpo, sipas një projekti për decentralizim të vitit 2005, Mamusha ka fituar statusin e qendrës komunale, fillimisht si komunë provuese (pilot) dhe, në vitin 2008, si komunë e pavarur që përfshinë vetëm vetveten.
Derisa nëpër komunat tjera të Kosovës numri i popullsisë ka rënie në periudhën kohore të pasluftës, Në Mamushë numri i popullsisë ka ngritje të dukshme. Në vitin 1961 Mamusha kishte rreth 1600 banorë, në vitin 1971 – 2000 banorë, në vitin 1981 – 2750 banorë dhe në vitin 1991 – rreth 2900 banorë. Ndërsa, në korrik të vitit 2009 është vlerësuar se e kishte dyfishuar numrin e popullsisë, kur kishte rreth 5500 banorë, 93 për qind e tyre e deklaruar me etni turke. Vlerësohet se sot Mamusha ka rreth 480 shtëpi me rreth 6000 banorë.
Duke qenë një fshat dhe një qendër e vogël administrative me vetëm 11 km2, Mamusha përngjet në një minishtet turk apo në një “Turqi të vogël”. Për realizimin e shumë projekteve Mamushën e ka ndihmuar Agjencia qeveritare turke TIKA. Rrugët e fshatit janë të emërtuara vetëm në gjuhën turke, siç janë edhe mbishkrimet e lokaleve afariste, emrat e dy shkollave etj. Menjëherë pas luftës, në vitin 1999, një njësit i KFOR-it turk me 80 ushtarë ishte stacionuar në Mamushë. Në Mamushë, pothuajse në çdo shtëpi, në lokale afariste dhe në objektet publike valon flamuri turk. Dhe, pothuaj të gjithë banorët turqishtfolës të Mamushës mbajnë mbiemra shqiptarë, si Morina, Krasniqi, Bytyçi, Thaçi, Berisha, Mazreku.
Mamusha është një fshat fushor bujqësor, me tokë pjellore e klimë të përshtatshme për kultivimin e prodhimeve bujqësore, sidomos për prodhimin e perimeve. Prodhimi i të gjitha llojeve të perimeve, veçanërisht i domates është traditë, ndërsa Mamusha është prodhuesja dhe furnizuesja kryesore me perimen e domates në Kosovë. Rreth 85 për qind e tërë territorit të Mamushës është tokë bujqësore e cilësisë së lartë, ndërsa 70 për qind e popullsisë së fshatit merret me bujqësi. Qindra hektarë të tokës bujqësore janë të mbuluara me serra për perime. Nëpër Mamushë përshkojnë dy lumenj të vegjël; Toplluha dhe Terrnja, por uji i tyre nuk mund të përdoret për ujitje për shkak të mungesës së mjaftueshme të ujit gjatë stinës së verës.
Si një ngjarje kulturore në Mamushë, që nga viti 2009, është organizimi i “Festivalit Ndërkombëtar të Domates” dhe “Dita Fushore e Domates”. Festivali i domates organizohet me qëllim të përurimit të prodhimit dhe të industrisë së domates në Mamushë.
Në Mamushë funksionojnë dy shkolla, fillorja “Anadolu” dhe gjimnazi “Ataturk”. Derisa në shkollën fillore funksionojnë edhe paralelet shqipe, në gjimnaz mësimi mbahet vetëm turqisht, edhe pse ka mundësi dhe interesim të hapen edhe paralelet me mësim në gjuhën shqipe. Në fshatin – komunë funksionojnë zyra postare, qendra e mjekësisë familjare, shtëpia e kulturës, stacioni i policisë, shërbimi i zjarrfikësve, qendra e regjistrimit civil dhe qendra për regjistrimin e automjeteve. Janë rregulluar tri parqe, disa fusha të sportit dhe hapësira të tjera të gjelbëruara. Por, Mamusha ende nuk e ka një kopsht për fëmijë. Në qendër të fshatit ndodhet Kulla e Sahatit, një monument shekullor i trashëgimisë kulturore. E veçantë e fshatit është edhe përmendorja, e ndërtuar në qendër të fshatit, që i kushtohet luftës së Çanakalasë.
Gjatë luftës çlirimtare të UÇK-së në këtë fshat ishin të strehuar rreth 45 mijë shqiptarë të ardhur nga fshatrat fqinjë me Mamushën. Kur kanë hyrë forcat serbe në fshat, mamushasit nuk kanë pranuar t’ua dorëzojnë popullsinë e strehuar, duke u kërkuar garanci. – Vetëm nëse na garantoni se do të kalojnë sigurt dhe nën mbikëqyrjen e vëzhguesve ndërkombëtarë në Shqipëri, ne i lejojmë të strehuarit të dalin nga fshati. Serbët nuk e kishin zgjatur më shumë, ndaj të strehuarit kishin mbetur të paprekur e të mirëpritur në Mamushë.
Mamusha nuk është më një fshat i thjeshtë. Ngadalë po shndërrohet në një qytezë, e cila pasqyron më së miri realizimin e të drejtave të garantuara të grupeve etnike në Kosovë, shembull edhe për vendet tjera.
add a comment