Kulturë\Letërsi

Begzad Baliu: Naim Frashëri edukatori i kombit

SHKUP: DY AKTIVITETE TË NJË DITE
NAIM FRASHËRI: EDUKATORI I KOMBIT
(Përfundim)
Gjuhëtarët, historianët, kritikët, kulturologët, leksikologët, antropologët, intelektualët përgjithësisht dhe historianët e letërsisë, kanë dëshmuar disa rrafshe të vendit dhe të rolit të Naim Frashërit në jetën e popullit shqiptar. Prej teksteve kryesisht përgjithësuese, ata janë përpjekur të shpjegojnë përmasën e gjuhës së pasur të teksteve të tij, dimensionet estetike të veprave letrare të tij, misionin prej edukatori të kombit të tij në të gjallë dhe ndikimin e veprës së tij edhe pas vdekjes.
Pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë ndikimi i veprës së tij në jetën e popullit shqiptar nën ish-Jugosllavi ishte posaçërisht i madh dhe shumëdimensional. Nëse fillimisht vepra e tij ndihmonte emancipimin kulturor, letrar e gjuhësor të popullit shqiptar, më pas, kryesisht, pas vitit 1981 ajo u bë engjëlli mbrojtës i identitetit kombëtar, i shqipes standarde, i shkollës shqipe dhe i përpjekjeve për liri dhe bashkim kombëtar.
Naim Frashëri është personaliteti më i madh dhe më me ndikim në bashkësinë e popullit shqiptar pa dallim feje, krahine apo të folmeje dialektore. Ai është personaliteti më emblematik i botës shqiptare, para të cilit janë përulur mbretërit, diktatorët dhe demokratët; heronjtë dhe luftëtarët; intelektualët e hapësirës rurale dhe asaj urbane. Ai është personaliteti universal, i cili përballë hapësirës së errët ballkanike ka rrezatuar humanizëm, i cili përballë feudalizmit oriental rrezatonte demokraci perëndimore; i cili me gjuhën e veprës së tij u bë reformatori i madh i shqipes standarde; i cili gjatë përpjekjeve për ta ndaluar gjuhën, shkollën dhe identitetit shqiptar në Kosovën e robëruar, u bë engjëlli mbrojtës i tyre.