Politikë

Bedri Islami: Lajmi i mirë i ditës

Rrallë herë, pas vitit 1992, ka pasur kaq interesim për pazgjedhjet politike në Shqipëri. Fitorja e socialistëve, me rreth 750 mijë vota, ose rreth 150 mijë vota më shumë se opozita, PD-AN, pra kundrejt një vargu partish politike, ishte dje lajmi i mirë, por jo sot. Nuk është lajmi i ditës se presidenti i vendit, më saktë, ushtruesi i detyrës presidenciale, nuk do të tërhiqet. Vetëm naivët mund të kenë menduar se Meta do të shkojë edhe një herë në furrikun e tij, në LSI, ku vendin ia ka zënë gruaja , e cila, më në fund pranoi se, të shkosh pas qerres së Bashës dhe të braktisësh parlamentin nuk është punë e mençur. Ajo “i kërkoi falje” burrit të saj dhe ai ia diti për mirë. Presidenti do të vazhdojë të rrijë në zyrën e tij dhe do të bëjë çfarë është e mundur të shembë gjithçka që ndërtoi 25 prilli dhe referendumi i asaj dite, që përmbysi një forcë politike dhe mitin e ” të fortit” president. Ai po bën paralajmërimet e para, por e di fare mirë se mund të ngrejë vetëm një tallaz në një gotë uji. Koha e tij ka mbaruar. Nuk është lajmi i ditës që, deri tani, në numërimin e votave presidenciale për deputetë, ish shefi de jure dhe shefi de fakto i PD-së, Sali Berisha, radhitet i 90-ti, me më pak se 300 vota. Në fakt, ai nuk duhej të ishte fare aty por, kur në një forcë politike ka ende struktura parapolicore dhe grupe të armatosura, të komanduara prej tij, askujt mos t’i shkoj mendja se do të tërhiqet. Injorimi i Berishës tashmë nuk është më taktikë zgjedhore e këshilltarëve izraelitë të Bashës, por edhe e njerëzve të zakonshëm, mbështetës të PD-së. Rrallë herë Shqipëria ka pasur në politikën e saj shumë partiake një demon tëtillë! Fryma e konfrontimit që është në Shqipëri ka burimin tek filozofia e tij politike dhe lidhjet e tij të mistershme…

Nuk është lajm i ditës se Lulzim Basha nuk do të japë dorëheqjen nga posti i tij në PD. As nuk i ka shkuar në mendje dhe as nuk i shkon. Skërmitja e dhëmbëve është dobësia e tij, por guximi i të tjerëve rreth tij. Ai do të bëjë çmos për ta mbajtur kryetarllëkun, duke pasur pranë vetes debilë politikë si Bardhi, që, edhe kur ndodh një vrasje politike, e gjejnë fajin te viktimat! Të bëjë Bardhi të fortin e Elbasanit, kjo është kujë, por “ai stan, atë bulmet ka”. Përse Basha nuk jep dorëheqjen? Basha, nëse nuk është kryetar i një partie, do të vazhdojë të jetë milioner, por nuk do të jetë asgjë tjetër. Pas pak muajve do të jetë një hollandez fluturues. Do të humbasë gjithçka. Bashkë me të, edhe kunati. Lëvizja kundër tij do të shuhet shpejt, nëse nuk ndërhyn Berisha. Vetëm ai mund ta heqë. Askush tjetër. Basha kryetar mund të vendosë ende gjoba te oligarkët, Basha jo kryetar duhet të paguajë gjobat e tij. Dy ” gjoba” janë të mëdha : rruga e Kombit, ku ” humbën” 230 milionë euro dhe ai është i akuzuar për këtë vjedhje, ndaj së cilës u mbrojt me procedurë, dhe , vrasjet e 21 janarit, ku ishte bashkëurdhërues. Mos largimi i Bashës, tani për tani, nuk është lajm. As mos largimi i Kryemadhit nuk është lajm. E mendoni se çfarë pune mund të bëjë Kryemadhi nëse nuk është deputete? E mendoni nëse SPAK shkon një ditë në vilën e tyre shumë dimensionale në Gjirin e Lalzit dhe kërkon dëshmitë financiare? E mendoni se çfarë mund të bëjë Basha nëse nuk është kryetar?

Atëherë, cili është lajmi i ditës? SPAK-u ka filluar sekuestrimin e pronave të gjyqtarëve të shkarkuar nga Vetingu. Shteti ka filluar të veprojë. Është një frymëmarrje e vogël, por ka nisur! Gjyqtarët e prokurorët që vodhën, u korruptuan, u bënë pjesë e krimit, gjithëfarë gjongjonësh dhe alarubësh, kanë kohën të përgjigjen. Sekuestrimi i pronave të tyre është lajmi më i mirë i ditës së sotme! Kjo më shpie në një mendim tjetër: një ditë, ku ta dish, mund të fillojë edhe sekuestrimi i pronave të politikanëve. Kjo do të ishte ditë e bekuar!

Kryeministri Sali Berisha, ministri i Brendshem Lulzim Basha dhe Komandanti i Gardes Ndrea Prendi, gjate nje takimi me drejtues te Gardes se Republikes, ku kryeministri Berisha i ka pergezuar ata per qendrimin qe mbajten ne demonstraten e 21 janarit.