Vështrim/Analizë

Bedri Islami: KUSH DO TË QEVERISË NË TË ARDHMEN?

Me 25 prill Shqipëria do të ketë zgjedhjet e reja parlamentare, të shumëpritura nga opozita, të cilat do të jenë të rregullta, me Kodin e ri Zgjedhor, dhe, për fat të keq, si gjithnjë, në klimën e mosbesimit të madh mes forcave politike, çka tani ka arritur njerën nga majat e saj më të thikta.

Njëra palë, më saktë, skifterët politikë të njërës palë të opozitës, përfaqësuar nga Berisha dhe Meta, kanë kaq kohë që bëjnë thirrje për të përmbysur qeverisjen e tashme, edhe përmes dhunës, dhe, si deklaroi një ditë më parë,  Berisha, shefi i dikurshëm i presidencës dhe i qeverisë, 22 dhjetor 2020, nëse nuk do të ketë fitore me votë, do të ketë luftë!!! Meta, shefi i tanishëm i presidencës dhe ish kryeministri i dikurshëm, po ashtu, pas metingut të 2 marsit të vitit që shkoi, dhe ky ishte i pari meting në historinë 30 vjeçare të pluralizmit ku shefi i presidencës bën thirrje të hapur për të përmbysur qeverinë, të ripërsëritur në çdo takim dhe duke thirrur në ndihmë figura historike si Vojo Kushi e Alende; ndërsa , nga ana tjetër, shefi i tashëm i shumicës dhe i qeverisë njëkohësisht, Edi Rama po bën sprovat e fundit se si mund të shuhen demonstratat e dhunshme.

Sidoqoftë, edhe pse nuk ka “ asgjë të re në frontin e perëndimit” – të gjithë drejtuesit e partive politike përbetohen për ecjen drejt Europës – tablloja politike do të jetë thuaj e njëjtë me atë prej dedakash.

Të njëjtët njerëz do të jenë në rradhën e parë, të tjerët pas tyre dhe në fund votuesit. Tribuja politike sillet rreth fare pak emrave, të gjithë të njohur, të gjithë të provuar, të gjithë zhgënjyes. Ata do të jenë përsëri si në letrat spathi, disa me kokën lart e disa kokëpërmbysur, por të njëjtët. Asnjeri nuk ngjall shpresën e madhe që është pritur dhe të gjithë janë fatpërmbysës e jo fatsjellës. Kush më pak a kush më shumë – kjo nuk ka rëndësi. Njerëzit do të zgjedhin edhe një herë të keqen më të vogël e jo të mirën më të madhe!

Njeriu që aspiron më shumë për riciklimin e pushtetit është pretenduesi i opozitës, Lulzim Basha. Po bëhen thuaj tetë vite në opozitë Dhe durimit të tij drejt pushtetit po i vjen fundi; bashkë me të, në fundin e durimit janë edhe një grumbull i madh i figurave të politikës, të cilët nuk kanë bërë gjë për këtë vend kur ishin në pushtet dhe nuk kanë ngjallur shpresë kur ishin në opozitë.

Të gjithë figurat e opozitës së vjetër sillen rreth Lulzim Bashës dhe asnjëri prej tyre nuk është i lirë në veprimet e tij. Thuaj se të gjithë, me përjashtim të Fatmir Mediut, kanë qenë herë majtas e herë djathtas dhe përsëri, nëse i josh me pushtet , janë të gatshëm të shkojnë drejt pushtetit.  Pavarësisht se kush qeveris. Nard Ndoka, Vangjel Dule, Shpëtim Idrizi, Agron Duka – herë kanë qenë me të majtën e herë me të djathtën; Monika Kryemadhi, po ashtu.

Nëse pritja dhe ethet e pushtetit para katër viteve kanë qenë të vogla, tani, pas tetë viteve në pushtet të socialistëve – që kanë edhe ata sektin e tyre pushtetar, Rilindjen, pritja është edhe më e ethshme: një traditë alternimi 8 vjeçar të pushtetit ka zënë vend më shumë në mendimin e njerëztve : Edi Rama synon ta thyejë këtë tabu dhe anketimet e deri tanishme thonë se kjo mund të ndodhë; opozita sheh shansin e fundit të mos shpërbërjes së saj.

Nëse do të rijetë në pushtet Rilindja do të ndodhin tri gjëra të rëndësishme :

1.Disa nga partitë e vogla do të asfiksohen përfundimisht, ata nuk do të jenë më në skenën politike dhe drejtuesit e tyre do të përshfaqen , ashtu si janë në të vërtetë, përgjithsisht njerëz mediokër.

2.Në opozitën e tashme do të ndodhë një katarsis i pazakontë, që do të fillojë me largimin e Bashës, i cili që kur e kanë vendosur në krye të PD-së ka njohur vetëm humbje, dhe, si pritet , me ardhjen në krye të saj të një njeriu tjetër të vendosur po nga Berisha, që tani mund të jetë e familjes së tij biologjike.

3. Pas katër viteve të tjera të qeverisjes së Edi Ramës e majta do të jetë e thyer plotësisht dhe humbja që mund të ketë në vitin 2025 do të jetë edhe shkatërrimi i saj. Pas një qeverisje të Rilindjes në 12 vite, për fat të keq, e majta do të humbë çdo vlerë të së majtës europiane dhe do të nisë të shkrihet si simotrat e saj në kontinentin e vjetër.

Megjithatë, përplasja e vërtetë do të ndodh mes dy figurave përdalluese, aspak joshëse : Edi Ramës dhe Lulzim Bashës.

Herën e parë ata kanë qenë përballë njëri tjetrit në zgjedhjet bashkiake të kryeqytetit, ku Basha kishte pranë vetes jo vetëm lësëistët e Metës, por edhe komunistët e Hysni Milloshit të ndjerë, votat e të cilit kthyen ballancën dhe i dhanë Ramës një fitore të 10 votave, që u përmbysën nga Ristani dhe Berisha, haptas, pa droje, duke qenë thellësisht cinikë dhe duke përshfaqur, për herë të parë aq haptas, zyrtarisht, se nuk ka rëndësi se për cilin voton, e rëndësishme është se kush i numëron votat. Dhe Ristani, që e kishte provuar dorën e rëndë të Berishës, i numëroi si deshi shefi i tij, futi duart dhe rrjedhoja dihet.

Kush është njeriu që tani, për herë të tretë, pasi humbi rëndshëm në vitin 2017, edhe pse kishte gjysëm e qeverisë dhe mori 15 milion euro për një pallat të vjehrrit, i cili  duhej të ishte dënuar, do të ketë përballjen e tretë me Edi ramën, dhe a do të jetë kjo “ e treta, e vërteta”, apo rënia përfundimisht e të zgjedhurit përsonal të Berishës, për të cilin sakrifikoi edhe Sokol Olldashin?

Shumë gjëra dihen për të dhe shumë të tjera kanë mbetur enigmë. Të gjitha, ose i ka përshfaqur, ose i ka mbuluar përmes buzëqeshjes së tij.

Në Tiranë u shfaq në fillimin e vitit 2005, duke deklaruar një pasuri 1 milionë euro. Të bëra në Kosovë, ku kishte shërbyer në UNMIK. Jam i bindur se nuk ka dorë në dosjet e ngritura për drejtuesit e UÇK-së, sepse nuk kishte atë forcë dhe pozicion. Ndoshta i dallueshëm nga të tjerët, por, në fund të fundit, si ata. Ky grup i unmikasve, si debatikas, erdhën në PD . Shkuesi e bërë nga Argita Berisha, që pasi i futi të gjithë në lojë, ruajti veten.

Pasuria e tij fillestare 1 milionëshe euro është enigma e parë. Në pesë vite e fituar është pak e besueshme. I thonë të ketë kursyer 200 mijë euro në vit mesatarisht, ose të ketë një pagë mujore minimale 20 mijë euro.

Të tjerat, që lidhen me transport dosjesh, shtëpia e verdhë, video e masakrës Krushë e Madhe , aq sa mund të jenë të vërteta, aq mund të jen edhe spekullime politike, si ndodh shpesh herë në viset shqiptare.

Në fakt, kush është njëri ndër kandidatët për kryeministër në pas 25 prillit?

                Një pyetje e shtruar shumë para kohe, por si shkak për të bërë anatominë e shkurtër politike të një njeriu që nga e panjohura e madhe, sa mirë sikur të ishte vetëm kështu,kaloi drejt posteve të rëndësishme qeverisëse në të cilat, ndërsa nuk la pas asgjë për të përmendur për të mirë, la pas vetes një humbëtirë të gjithanshme, me një dëmtesë të pazakonshme në jetën ekonomike e financiare të vendit, në jetën politike dhe në vetë shtetin.

Kush ia afroi Berishës 15 vite më parë, kur asnjë tjetër nuk e njihte?

Njohja mes tyre nuk ka qenë e rastësishme.

Thënia e tashme e Berishës se e kam njohur Bashën që në fillim të viteve ’90 është po ashtu një spekullim tjetër.

I panjohuri i ardhur nga zyrat e të huajve në Kosovë, ku nuk dihej ende se kush e kishte gjetur e që më pas, do të vinte këtu përmes bekimit të Argita Berishës dhe një serbo-boshnjaku, Fazlliq, nuk mund të paraqiste asnjë kredencial tjetër, veç shtatit të gjatë, pamjes së bukur dhe miqësisë me vajzën e liderit të opozitës që shumë shpejt, sa po të bëhej kryeministër, postin më të begatshëm, do ia besonte atij. I besuar tri herë, duke përdhosur tri herë postet e tij, përmes vjedhjeve, vrasjeve dhe Marrëveshjes së Detit, ai të gjitha do i përcillte përmes një buzëqeshje karakteristike të përsonazheve të Dikensit.

“Njeriu që qesh” ishte thirrur thjeshtë si vajtojcat e dikurshme.

Çuditërisht, ky njeri, pa asnjë mendim të tij politik dhe pa asnjë thërrime vizioni, pa asnjë të shkuar,  u bë njeriu i së ardhmes në PD-në e dhuruar dhe, nga e cila, pasi skicoi fundin politik , ( të jetë vetëm kaq! ) të Olldashit, fundosi edhe një plejadë, që thënë të drejtën, me ndonjë përjashtim, nuk më janë dhëmbsur.

Njeriu i panjohur, kamarieri i dikurshëm i Rinasit, i emëruar apo i dërguar, këtë askush nuk e di, poseduesi i një pasaporte amerikane, për të cilën askurrë nuk e tregoi se si kishte arritur tek ai, i dyshuari i dosjeve të atyre që kishin bërë luftën në Kosovë,  ndihmësi i hetuesve  i çështjeve përvëluese të pas luftës, njëri nga ata njerëz enigmë prej të cilëve mund të dilte do të dilte e plotë dosja e Millosheviqit, ashtu si kishte dalur më parë dosja e Ramush Haradinajt,  edhe me ato që ishin thënë në koridoret e në bisedat e lira; njëri ndër të akuzuarit e krijimit  e legjendës famëkeqe të Shtëpisë së Verdhë; tani do të ishte figura kryesore e opozitës, që, të paktën në një rast, tregoi se edhe brenda vathës së tij, ajo që shitet kushton më shtrenjtë se vlera që është fluide. Për të parën herë, në vitin 2017,  ai i dërgoi listat e kandidatëve për deputetë të PD si në serialet turke, një pjesë sot e një tjetër nesër…sipas ligjit të kërkesë – ofertës.

Të gjitha këto dihen. Ashtu si dihet se çdo lider i opozitës synon të vijë sa më shpejt në pushtet, të qeverisë. E drejtë e ligjshme, por jo kur tentohet të arrihet me çdo mjet të paligjshëm.

Nëse dikush, më herët, ka pasur dyshimin se pas bashës qëndron një njeri që është i gatshëm të shesë kombin e tij, apo se veprimet e tij në Kosovë kanë qenë sporadike e të justifikuara nga detyra, tani, që gjërat po rrjedhin ndryshe, mund të jetë i bindur se “njeriu që qesh”, i cili, sipas Topallit, “ të gënjen edhe kur të thotë se sa është ora”, nuk ka ardhur rastësisht në atë post dhe se miqësia e tij me Fazlliqin e “ kalitja” në kudhrën e hetuesisë janë saktësisht të përllogaritura.

Asnjëherë tjetër, nga askush, edhe kur liderë si  Nano kanë qenë të burgosur apo si Rama, të vjedhur masivisht, nuk kanë bërë kështu kundër vendit të tyre, nuk kanë pasur këtë tërbim, deri në shtazëri ndaj një shteti ku bëjnë pjesë dhe ku rastësisht kanë lindur. Ka disa muaj, por sidomos pas dështimit të avragimit të gjendjes, kur paturpësinë e qeverisjes së Ramës nuk mund ta hedhësh tutje me numërim të vdekurish apo me mentalitein e Petrit Vasilit, i , që Basha dhe një grup rreth tij, shumica të pavlerë brenda vendit, por të fryrë jashtë tij, po bëjnë të gjitha përpjekjet për të deleguar imazhin e një Shqipërie tjetër, krejt tjetër, e cila, edhe pse është larg asaj që njerëzit duan, nuk është ajo e Bashës.

Një sulm aspak befasues ka shpërthyer kundër çdo njeriu, institucioni dhe organizmi që, sado pak, ka interes të mbarë ndaj vendit, që synon të shpejtojë interimin e tij, dhe që, në një formë a në një tjetër, duke harruar se grupimi politik është më i pakët se sa vlera e një shteti, merr përsipër të bëjë diçka në të mbarë.

Sulmet për jetën private të ministrit të ri të Punëve të Brendshme, ishin aq banale dhe të pavlera, sa që vetëm një mendje anadollake si e Palokës apo verbësi si e Berishës mund ta ndillnin.

Basha, si askush tjetër, në çdo qelizë institucinale ku ka pasur mundësi ka nisur kasnecët e tij dhe kjo nuk është bërë e nuk po bëhet falas, se ashtu ia do qejfi atyre që marrin përsipër të nxijnë këtë vend. Pagesa të mëdha, nga të cilat vetëm disa dihen e deri tani janë bërë të njohura, janë nisur drejt këtyre grupimeve për një mision të vetëm, nxirjen e një vendi që shpejt do të futet në zgjedhje politike dhe që , edhe tani, nuk e merr veten nga kjo dërmë. Megjithëse qeveria Rama është e fajsuar për mbetjen e negociatave me BE, gëzimi i opozitës është foshnjor, pasi edhe ajo këtu jeton.

Jo vetëm firmat e ngarkuara, por edhe të hollat miliona dollarëshe, janë deri tani të pagjurmë se nga janë nisur e nga kanë vajtur. Verifikimet e deritashme në shtetin amerikan dëshmojnë vetëm për disa firma fantazmë që nisin paratë e pëdëistëve, do të thotë të njerëzve  Bashës, por jo origjinën e tyre. Nëse një ditë do të ketë të dhëna të qarta se kto kanë dalur nga parajsat fiskale, kjo nuk do të jetë çudi, ashtu si nuk do të jetë e papritur se fillesa e tyre e herëshme është pikërisht në lidhjet  Bashës me Fazlliqn, të njëjta me lidhjet që kishte dikur Berisha, në fillimet e tij, me lobin dhe strukturat e larta serbe. Fazlliqi është tani kundërshtar shpotitës i Bashës dhe i afruar me Ramën, çka nuk përbën çudi për ata që njohin politikën shqiptare. Humbjet e liderëve të opozitës së sotme në parajsat fiskale qipriote , mendimi se SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, një ditë do të zgjasë duart drejt pasurive të tyre, e bën gjendjen më alarmante dhe përleshjen për pushtet edhe më të pamëshirshme!Vitet në opozitë nuk e kanë pakuar pasurinë e vjedhur prej tyre, por rrugën atyre ua tregoi Fazlliqi dhe njerëzit e tij, për të patur gjithnjë brenda vetes një pjesë e atij grupimi që, edhe kur e ndjen se po mbytet, kërkon të mbysë edhe vendin e tij. Sipas parimit të njohur berishian, “ pas meje, të bëhet qameti”.

Nuk është vetëm etja për pushtet ajo që e shtyn një njeri të politikës, aq më tepër një shef opozite, drejt karrikes kryeministrore. Në këtë rast, është shumë më tepër se kaq. beteja për kryeprokurorin është vetëm njëra prej tyre; shfaqja e oligarkisë financiare që mund tëshkërmoqet nuk është e gjitha. Detyrime më të mëdha qëndrojnë pas gjithë këtyre përpjekjeve të parreshtura për të hedhur gjithçka në grminë, për të shfaqur para botës një shtet q[, megjithëse ka dhjetra probleme të mëdha, shumë nga të cilat të lënë prej atyre që ikën, përsëri nuk është ai që përpiqen të shfaqin.

Në takimet e fundit të Bashës me statura të njohura të politikës së mendimit të djathtë evropian , disa nga të cilat kanë trajtuar ndrysher nga ai shtetin shqiptar, është folur me tërbim të pazakontë, janë sajuar fakte dhe ngjarje sipas “qytetarit digital” dhe është krijuar  një tabllo sinoptike sipas stilit të hoxhizmit. Pas takimit të fundit me Bashën ka prej tyre që kanë ngritur çudinë dhe kanë dyshuar nëse ky njeri mban vërtet një pasaportë shqiptare. Gjuha e tij ky qenë e njëjtë me atë të diplomacisë serbe, e nganjëherë deri edhe në detaje. Si duket, pas përkthimit në gjuhën shqipe.

Është një e vërtetë e pamohueshme: në të gjithë atë që ka bërë në jetën e tij politike, pas humbjes së parë të madhe, në qershorin e vitit 2013 dhe, si nuk ishte menduar, ardhjes së tij në drejtimin e PD-së me bekimin e të parit të fisit të tij politik, Berishës, ka qenë synimi për të ardhur në krye të qeverisë sa më parë të jetë e mundur.

Është njëra nga pamundësitë e mëdha dhe për më tepër e ditur.

Që të jemi të saktë deri në fund, të paktën me bindjen tonë, qeveria Rama nuk është ajo që është pritur dhe nuk ka sjellë atë që njerëzit kanë menduar. Ka njerëz të devotshëm ndaj saj që janë të zhgënjyer dhe që do të kishin dashur të ishte në shumëçka ndryshe. Është lehtësisht e përfytyrueshme të ndjesh dëshpërimin e zhgënjimin e shumë njerëzve me politikën e mosndëshkimit të së keqes, lejimin e saj e, në jo pak raste, vazhdimin në një formë tjetër.

Arritja spektakolare e Ramës në vitin 2017 nuk ishte meritë vetëm e tij. Ai bëri lojën më të mirë të mundshme politike, duke i kthyer krahët asaj që nuk ishte bërë dhe duke sjellë në skenën butaforike kundërshtarët e tij. Vasilin, që në mendimin e shumëkujt ishte vetëm një i deleguar i zakonshëm, dhe Bashën, që nuk ia vlente. E kishin provuar tri herë ministër, një herë kryebashkiak, e kishin provuar të qeshur e të paqeshur, nuk ia vlente.

Basha kërkon të rrëzojë një qeveri që nuk është më e mira e mundshme, jo se do të mund të sjellë një tjetër. Ai e di këtë. E di faktin se askush nuk mund ta rrëzojë Ramën nga pushteti, edhe nëse lëshon nga zingjirët të gjithë ndokët e tij. E di se asnjë shtetar i huaj, me mend në kokë, nuk mund të heqë një njeri të autoritetshëm, që jo pak herë edhe ABUZON me këtë autoritet dhe të vendosë një të bindur të politikës agresive. Një njeri që kur nuk i ecë i tija, si ato fëmijët plangprishës, thërret kusherinjtë dhe i bërtasin të tjerëve, si këto thirrjet e fundit kundër ndërkombëtarëve, që e detyruan ustain e tij, Berishën , të kërkoj ndjesë, dhe  që , si duket, e kanë vendosur kufirin mes tyre, shteteve që përfaqsojnë dhe një grupi me pak identitet në politikë.

Basha i di të gjitha këto.

Problemi kryesor i Bashës është në pafuqinë e tij për t’u shkëputur nga berishizmi si rrymë politike dhe si praktikë përmbysëse.

Ai e kërkon këtë shkëputje dhe këshilltarët e tij e dinë , ashtu si edhe grupi rrethues i skifterëve. Në tetë vite lider ai qëndroi gjatë nën vegjetimin e agresivitetit të një politike , e cila atij nuk i shkon për shtat, dhe, nga e cila, struktura europerëndimore po synojnë ta shkëputin.

Do të jetë lufta më e pamundur e tij, pasi ndodhet mes një trekëndëshi rrethues: në njërin cep Berisha, që kërkon pushtet për të qenë i sigurtë se nuk do të ketë ndëshkim; në cepin tjetër Ilir Meta, që e di se humbja e 25 prillit është edhe pragu i fundit të tij politik dhe, në cepin kryesor Edi Rama që kërkon vazhdimin e pushtetit, që po ashtu të ketë kohë të mbyllë faktet e ndëshkimit.

Vështirë do e ketë, në mos të pamundur!

Haraçet e borxhet e vjetra paguhen një ditë!