Tashmë është e njohur se Vjosa Osmani në skenën politike është ngritur duke i kritikuar qeveritë e kaluara, e në veçanti personalitetin e Hashim Thaçit. Është e njohur se edhe njerëz të tjerë mendojnë në mënyrë kritike për personalitete të ndryshme, pra edhe për Hashim Thaçin. Por turri i kritikave të Vjosa Osmanit ndaj Hashim Thaçit ishte i një intensiteti të veçantë, madje i një pasioni të veçantë! Gjithashtu, është i njohur edhe fakti që Vjosa Osmani nuk e ka pas votuar Hashim Thaçin kur ky i fundit u zgjodh Kryetar Republike edhe me vota të LDK-së (për shkak se LDK ishte në koalicon me PDK-në). Pra përkundër qëndrimit politik të atëhershëm të ish partisë së Vjosa Osmanit, që ish presidenti të votohet në mënyrë unike, Vjosa që atëherë tregoi rebelizmin politik dhe nuk e votoi. Natyrisht kjo është e drejtë e saj. Prandaj edhe me rastin e votimit për president të Vjosa Osmanit, PDK nuk e votoi, pikërisht për të gjitha këto që u thanë më lartë. Natyrisht se edhe PDK si tërsi, por edhe secili deputet i saj, nuk e votuan Vjosën me arsyetimin se Vjosa nuk është person unifikues… Ndonëse mendojmë se do të ishte më mirë që këtë veprim, të mos votimit të Vjoses, PDK-ja ta bënte duke qëndruar në sallë, ashtu siç qëndruan Avdullah Hoti, Agim Veliu e Driton Selmanaj. Me rastin e veprimeve të para të Vjosa Osmanit si Presidente, pas marrjes së detyrës, ajo ishte te varri i Ibrahim Rugovës, siç ishte edhe në Prekaz. Por për çudi, nuk denjoi që me rastin e vendosjes së luleve te varri i Rugovës, të njëjtën gjë ta bënte edhe te varri i qtit të qëndresës, lirisë dhe pavarësisë, Adem Demaçit. Natyrisht, këtë mund ta bënte, por nuk ka dashur ta bënte, edhe kjo është përsëri e drejtë e saj. Por ky veprim a bën pjesë në veprimet unifikuese të rolit të Presidentes? Në zyrat e saj si Presidente, përpos flamurit të Kosovës, Vjosa Osmani vendosi edhe “flamurin e Dardanisë” – LDK – së. Pra një flamur krejtësisht privat e partiak dhe të pamiratuar nga institucionet shtetërore. Edhe kjo të themi është e drejtë e saj. Por, përderisa mban simbole të tilla, private, do të ishte mirë që ta mbante edhe flamurin kombëtar.
Po ta mbaj flamurin amerikan, nuk i thotë askush asgjë, apo jo? Por edhe kjo është e drejtë e Vjosa Osmanit. Por këto veprime të saj përmes lojës me simbole sa janë unifikuese? Dhe cili është qëllimi?
Me rastin e mbajtjes së fjalimit për Betejën e Koshares, Vjosa Osmani si Presidente, nuk e përmendi asnjëherë forcë që e fitoi luftën dhe lirinë e Kosovës, UÇK-në!! Nuk mund ta bëj më të madhe UÇK-në as Vjosa Osmani dhe askush tjetër, ashtu siç nuk mund ta zhbëj UÇK-në as Vjosa Osmani dhe askush tjetër, duke e përmendur apo duke mos e përmendur. Por një veprim i tillë i Vjosa Osmanit, sa është unifikues pikërisht në ditën e përvjetorit të kësaj Beteje, me ç’rast edhe OVL e UÇK-së u detyrua të reagoj?
Natyrisht është e drejtë e Vjosës si njeri, të mos e dojë dhe të mos e respektoj cilindo institucion! Por, në këtë rast Vjosa Osmani duhet ta pyes veten se çka përfaqson: Vjosën si Presidente, apo Vjosën si ish antare të LDK-së? Tentimi i ndonjërit nga këshilltarët e Vjosës, për ta arsyetuar Vjosën, se “Kosova dhe UÇK-ja janë një”, apo duke e postuar edhe ndonjë fjali të saj të thënë në emisionet e mëparshme nëpër studio të ndryshme, është tentim i ulët, që gjithsesi, tani për tani, nuk e bën Vjosën unifikuese thënë më së buti. Pra Vjosa nuk e përmendi UÇK-në, jo se nuk është e aftë dhe nuk ka ditur, por sepse nuk ka dashur ta përmend. E pra, deshi apo nuk deshi ta pranoj kushdoqoftë, pra edhe Vjosa Osmani gjithsesi, lufta e Kosharës është një episodë i rëndësishëm nga shumë episode të tjera të lavdishme të betejave të UÇK-së. Secili do ta korrë atë që do ta mbjellë – thotë populli. Prandaj edhe Vjosa Osmani do të ketë po atë respekt nga njerëzit e sacrifices, aq sa ajo do të tregoj respekt për ta. As më shumë e as më pak. Ama, rrushi në Rahovec do të bëhet edhe nëse dikush ka mendim ndryshe për UÇK-në, edhe nëse dikush e mohon Flamurin tonë kuq e zi…