Kulturë\Letërsi

Bedri Halimi: Vështrim për romanin e Adem Demaçit “Drith e miell bashkë”

Vështrim për romanin “Drith e miell bashkë” të Adem Demaçit

Romani “Drith e miell bashkë” i Adem Demaçit i shkruar qysh më 1962 dhe si dorshkrim i konfistuar nga UDB-ja, u zbulua kohët e fundit nga veprimtari Selatin Novosella dhe u botua më 2020 pas vdekjes së autorit, nga “Grafoprint” Prishtinë. Zhvillimi i ngjarjeve të këtij romani, kryhet në një ambient të kufizuar, kryesisht në shkollë dhe shtëpi të njërit ndër personazhet kryesor – Hajrizit. Shumica e personazheve të këtij romani janë të rinj, maturantë të gjimnazit. Ndonse janë në moshën më delikate të tyre, ata qoftë si tërsi, qoftë si klasë, qoftë edhe individualisht, duken më të pjekur se sa mosha që kanë. Duket se mësimi për ta ishte parësor, duke lexuar secili nga ata libra të ndryshëm, duke krijuar kështu një kulturë të mirë dhe progresive për kohën. Personazheve të këtij romani nuk u mungojnë as çapkënllëqet, ku secilit nxënës i kanë vënë njëri – tjetrit nofka të ndryshme, si: “Pysqyli”, “Dybankëshi”, “Pula”, “Katili”, “Zhana”, “Rrebeli”, “Strajca”, etj. Nuk mungojnë shakatë, batutat, shpotitë mes vete apo edhe në klasë, në prezencë të arsimtarëve. Ajo që bije në sy është drejtpërdrejtshmëria e bisedës, pajisja me një kulturë relativisht të mirë e progresive për kohën, siç u tha, ndonëse nuk mungojnë shprehjet e ndikimeve të literaturës serbe, të autorëve serbë e rusë. Në realacion me kohën dhe moshën e re që kanë, këta nxënës nuk mund të qëndrojnë indiferentë ndaj të metave të kohës, që e kishin kapluar shoqërinë tonë të atëhershme, ndaj të cilave sillen me shpoti, ironi e deri te marrja e guximit për t’iu kundërvënë këtyre të metave, përmes shfaqjeve teatrale, me krijime, interpretime e inskenime nga vetë nxënësit. Përmes këtyre formave të veprimit në veçanti e kritikojnë dukurinë e shitblerjes së femrës shqiptare, mos shkollimin e saj etj. Këto veprime të nxënësve, sipas autorit të romanit edhe pse jo të realizuara mirë artistikisht, megjithatë futën komunikimin e debatet qoftë mes vetë personazheve të romanit, brenda vetës e rrethit të tyre, qoftë edhe të personazheve në raport me rrethin, duke u kundërshtuar idetë regresive me ato progresive. Padyshim se vetë titulli i librit “Drith e miell bashkë” është shprehje metaforike e përzierjes së gjërave të mentaliteteve, të ideve, të renditjes së zgjidhjes, luftimit apo shpjegimit të tyre, të cilat nga personazhet e caktuar përzihen pa kritere, të japin të kuptosh se autori jep mesazhin e zgjidhjes së tyre sipas rendit kronologjik të: lavrimit të arës, mbjelljes, korrjes, shirjes, hedhjes se drithit, bluarjes, gatimit të gatesës e deri te pjekja. Pra këtu bëhet thirrje për vendosjen e një rendi që nga njohja e problemit shoqëror, prejardhja, dëmet e problemit, pasojat dhe mënyrën e sanimit, pra përmirësimit të problemeve që shtrohen. Libri është i shkruar me gjuhë të thjeshtë popullore, duke përdorur jo pak barbarizma nga gjuha serbe e turke, që tregon edhe nivelin e zhvillimit shoqëror jo vetëm të personazheve të romanit, por edhe të kohës në përgjithësi. Sigurisht se po ta kishte pasur në dorë këtë dorëshkrim autori do të bënte ndonjë përmirësim e plotësim, por kjo gjë tashmë për shkaqe të njohura nuk është bërë. Megjithatë, edhe kështu si është botuar, ky libër flet, se autori Adem Demaçi nuk ka mundur të qëndroj indiferent ndaj të metave të shoqërisë shqiptare në përgjithësi dhe të atij të ambienti në Kosovë në veçanti.

Burgu i Hajvalisë, në Kosovën e lirë, 16 janar 2022