Shaqë Ferizi u lind më 1930, në fshatin Kodrali të Deçanit. Që në rini, Shaqa e adhuronte këngën, prandaj që në vitin 1946, paraqitet para opinionit artdashës duke treguar talent të jashtëzakonshëm. Që nga ajo kohë, për pesëdhjetë vjet nuk e ndali këngën, duke u kënduar qindra heronjve e dëshmorëve, për t’i përjetësuar në këngë. Shaqë Ferizi, që në popull njihet si rapsodi i mirënjohur Shaqë Avdia, bën pjesë në plejadën e rapsodëve më të dalluar të kombit tonë, bashkë me Dervish Shaqën, Ymer Rizën, Lan Dobrën, Bajrush Dodën, Augustin Ukën, Sali e Feriza Krasniqin, Riza Bllacën, Tahir Drenicën, Hashim Shalën, Marash Krasniqin, Hysen Ukën, etj., të cilët e ruajtën dhe e kultivuan me fanatizëm folklorin shqiptar, këngët popullore, e në veçanti ato epike.
SHAQË AVDIA
Muret e Keshtjelles
Nuk durojnë skena të papëlqyera
E ti i gëzove zemrat edhe netëve dimërore
Rreth teje ndezim zjarre
Me ty bëhet ringjallja e gjakut
Agimi nuk mbetet në parkun e lojërave
Pranë burimit kërkojmë një emër
Himn lulëzimit i këndojmë
Për të gjitha kohët
Fjala jote përvëlon heshtjen e udhëtimeve
Me ty i kapërcejmë të gjitha brengat
Nuk lejon të trishtohet ëndrra
Me ty njeriu pa emër
Mbetet gjithmonë përjashta
Shaqa, aq shumë u këndoi trimave, dëshmorëve e heronjve të kombit, sa ishte bërë një me ta. Kjo veprimtari e tij ishte bërë halë në sy të okupuesit serb. Pas shpërthimit të luftës në Rrafshin e Dukagjinit, më 24 marsit 1998 në Gllogjan, Shaqë Avdia u bashkua me luftëtarët e UÇK-së, fillimisht në fshatin e tij, në Kodrali. Edhe pse në moshën 68-vjeçare, ishte kurdoherë në mesin e luftëtarëve të lirisë. Pas luftimeve në betejat e mundimshme, në Gllogjan e Ratishë (tash Qëndresë), këndonte vazhdimisht me bashkëluftëtarët e lirisë, me komandantin Shkëlzen Haradinaj, me dëshmorët Luan Nimanaj e Fatmir Nimanaj, etj. Shaqa me këngë ndikonte edhe në frymëzimin dhe rritjen e moralit të bashkëluftëtarët e lirisë. Shaqë Avdia për UÇK-në ishte shprehur “UÇK-ja është nyje ku janë gërshetuar dhe përcjellë vitet, dekadat, shekujt në kryengritje të fuqishme, është forcë fitimtare”. Ai i donte shumë luftëtarët, të cilët gjithashtu e nderonin Shaqën pa masë. Pas ofensivës serbe në mars-prillit 1999, në rajonin e Deçanit e të Dushkajës, Shaqë Avdia me të vëllain, Njaziun dhe me bashkëfshatarë të tjerë, ishte nisur bashkë me njësitet e UÇK-së, nën drejtimin e komandantit për operacione luftarake të Zonës Operative të Dukagjinit, Shkëlzen Haradinaj, për t’i transferuar të plagosurit e shumtë në drejtim të Burimit (ish-Istogut). Në natën e 5 prillit 1999, kishin hasur në pritën e forcave serbe në afërsi të fshatit Kotradiq, me ç’rast ishin zhvilluar luftime. Pasi ishin detyruar të ktheheshin në fshatin Kodrali, i cili u vu në rrethim të plotë, aty kishin mbetur rreth 40 veta, ku gjysma e tyre ranë ose u kidnapuan nga forcat serbe për t’u torturuar, vrarë e zhdukur më pastaj. Më 13 prill 1999, në Kodrali, Shaqë Avdia bashkë me të vëllain Njaziun, axhën Ramadanin (i zhdukur) dhe kushërinjtë Halit Ferizaj, Isë Hasaj (i zhdukur), Ismet Ferizaj, Bylbyl Ferizaj, Bashkim Ferizaj e Skënder Ferizaj, ishin zënë nga forcat serbe, ish-kolonë të Lumëbardhit, Ratishit e Dashinocit, të cilët i dërguan në Stacionin Policor në Deçan, ku u torturuan mizorisht, ndërsa të nesërmen i vranë. Kufomat e tyre i hodhën në ujë nga Ura e Demës në Lumëbardhin e Deçanit, e disa në bunarët e fshatit Strellc i Poshtëm. Pas përfundimit të luftës, në korrik 1999, trupi i masakruar i Shaqë Avdisë si dhe i vëllaut të tij Ferizit, u gjetën në bunarin e Adem (Smajl) Gjukajt në Strellc të Poshtëm. Më 30 korrik 1999, vëllezërit dëshmorë Ferizi, u varrosën me nderime të larta në varrezat e vendlindjes së tyre, ku u është zbuluar edhe pllaka përkujtimore. Për jetën dhe veprimtarisë e Shaqë Avdisë kanë shkruar Faton Mehmetaj, Fetnete Ramosaj, Bekim Vishaj, etj. Familja Ferizi është nderuar me mirënjohje të shumta për dëshmorët e saj nga Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së, Brigada 131 “Jusuf Gërvalla”, Komanda e UÇK-së të Zonës Operative të Dukagjinit, Komuna e Deçanit etj. Shaqë Avdija ishte dhe mbeti korife i këngës shqipe. Komuna e Deçanit, i ka mbetur borxh deri tani këtij korifeu, për të ja mbledhur të gjitha këngët e incizuara të tij, dhe të gjitha këto për t’i nxjerrë në një CD të veçantë, në mënyrë që këto këngë të grumbulluara të jenë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, institucione e arkiva të ndryshme, si Biblioteka Kombëtare e deri te dashamirët e shumtë, jo vetëm të Shaqë Avdisë, por edhe të kulturës në përgjithësi. Të shpresojmë se përgjegjësit e komunës së Deçantit, këtë do ta bëjnë, sepse me këtë veprim, e nderojnë veten e tyre, Shaqë Avdinë, votuesit e tyre dhe popullatën në përgjithësi, si dhe kulturën kombëtare në veçanti.
add a comment