Shqipëria/Aktualitet

Bedri Halimi: Krimet monstruoze të Serbisë në burgun e Dubravës (8)

Për personalitetin e Ukshin Hotit, është folur e është shkruar në mënyra të ndryshme. E vërteta për fatin e tij duhet të zbardhet patjetër.

TË PLAGOSURIT DHE LARGIMI

BISLIM ZOGAJ: Mirëpo numri i të plagosurve ishte shumë i madh, me plagë shumë të rënda, dhe nevoja për ndihmë ishte shumë më e madhe se sa që ne mund te bënim. Plagët kanë qenë të ndryshme, duke filluar nga thyerjet e ndryshme, gjakderdhje, pjesët e gjoksit të hapura deri 5 cm, sa që iu shiheshin mushkëritë, plagë në qafë, pastaj me thanë që Avdyl Xhemili është shumë i plagosur, dhe nuk po mund ta bartim etj. Është shumë i veçantë rasti i tij, sepse ai ishte me 8 të tjerë në një pusetë, aty kishin gjuajtur dy bomba dore dhe nga ai shpërthim 3 ishin të plagosur rëndë, ku edhe Xhemili ishte njeri ndër ata, pastaj 3 të tjerë kanë qenë të plagosur lehtë dhe 3 të tjerë për çudi nuk kanë pasur asnjë lëndim.Me 23 kanë ardhur shumë të plagosur dhe në mbrëmje i kam numëruar, kanë qenë 109 të plagosur të palëvizshëm, sepse më 19 Maj të plagosurit i kemi lidhur plagët me xhaketa e gjëra të tilla dhe më vonë disa të burgosur kanë gjetur çarçaf të ri, të cilëve iu kam thënë që t’i shqyenin dhe t’i bëjmë gati për plagë, sepse unë nuk kisha kohë t’i bëja vetë. Kështu që ata i përgatisnin në formë të fashave, ndërsa më 21 maj edhe Nait Hasani ka qenë i plagosur bukur rëndë në shpatull, ishte plagosur duke i dhëne ndihmë Zejnullah Elshanit.Vërtet ka pasur plagë të ndryshme dhe të renda, ndër ata ka qenë edhe Valdet Rama nga Skenderaj, i cili i ka pasur 13 plagë dhe kurrë nuk kam menduar që ai njeri mund të shpëtoj. Por për fat të mirë sot është gjallë, por vetëm një gisht i këmbës ka mbet me pasoja. Te ai kam pasur probleme me lidhur, sepse kur ishte në shpinë thoshte kthemë në krah, sepse kam dhimbje, kur e ktheja në krah, thoshte kthemë tjetër krah. Pra në çdo anë që e ktheja ishte i plagosur dhe kishte dhimbje të mëdha. Pastaj ka qenë një i burgosur që ka pasur dy lëndime, njërën e ka pasur në kokën e penisit dhe tjetrën në shputën e këmbës dhe ishte problem se si me ja lidhur kokën e penisit, sepse nëse ja lidhja do te kishte probleme me urinim. U mundova në disa forma të tjera, por ishte plaga e madhe saqë u dashtë me ja mbyllë. Në mbrëmje kur kishte nevojë për urinim, me një zhilet ia preva fashën e përparme dhe urinoi. Kur ka shkuar më vonë në spitalin e Prishtinës, (sepse masakra e të burgosurve nuk qene vetëm në Dubravë por edhe në spitalin e Prishtinës) në rastin e tij p. sh mjeket serbë në Prishtinë i kanë thëne që ti i ke dy plagë, a po donë me ta këput shputën e këmbës apo penisin. Ai është detyruar me zgjedh, dhe ka thënë shputën, edhe pse realisht ka pasur mundësi që ta shëron edhe shputën, por edhe plagën në penis që e kishte. Tani më kujtohet një rast tjetër, kur njeri e kishte të lënduar dorën, dhe kur shkon në spital, mjeku i thotë që “duhet me ta këput dorën” dhe ja bën një shenjë në dorë, ku duhet këputur. Të nesërmen, mjekët e shohin shenjën, mirëpo pasi ai e kishte pasur në dorë një tatuazh JNA, mjekët nuk ja këpusin dorën vetëm që kishte të shkruar në dorë JNA.Me 24 maj na thanë që tash do t’ju transferojmë. Të burgosurit e tjerë kanë shkuar me autobusë, ndërsa unë me Asllan Selimin, Beka, kemi qëndruar deri sa ka hipur i burgosuri i fundit në kamion dhe te gjithë të plagosurit i kanë vendosur në 3 kamionë. Paramendo mbi 100 të plagosur rëndë, i kanë vendosur në 3 kamionë që gati kanë qenë një mbi një. Unë, Dylberi, Naiti, kemi qenë të fundit që kemi hipur në kamionë për transferim në Lipjan, dhe kur kemi dalë nga burgu, i kemi parë diku 25 persona të vrarë dhe të paluar si thasë një mbi një, ata që gjatë natës kishin tentuar me ikë dhe i kishin vrarë.BEDRI KUKALAJ: Më 10 qershor kur më kanë transferuar në Pozhervac mua dhe Bujar Himen e Skivjanit, ishte i plagosur në këmbë dhe dorë. Kur arritëm në burg të Pozhervacit, unë isha i shtrirë në autobus, e kur zbritem, Bujari ishte para meje dhe duhej të zbrisnim nga dera e parë e autobusit. Kur ka shkuar në shkallë të autobusit Bujari, u ul aty dhe thotë që nuk mund të lëviz me tutje, dhe 7 gardianë i thonë që ne të lëvizim. Aty e rrahin aq shumë deri sa vdes aty nga të rrahurat.Për personalitetin e Ukshin Hotit, është folur e është shkruar në mënyra të ndryshme. E vërteta për fatin e tij duhet të zbardhet patjetër. Përgjegjës për këtë është shteti serbë përmes zinxhirit komandues deri te drejtori i burgut e gardiani Brako Komatina. Si u bë që ai të lëshohet ditën e diel, kur një praktikë e tillë, nuk ka qenë as në kohën kur nuk ka pasur luftë, që të burgosurit të lirohen të dielave. Për këtë duhet dhënë përgjigje përgjegjësit e burgut. Në këtë rast, po sjellim, disa deklarime të disa prej të burgosurve shqiptarë, për lirimin e Ukshin Hotit, që kjo gjë ndodhi, tri ditë para bombardimeve të NATO-s, dhe 5 ditë para masakrës së Dubravës:UKSHIN HOTIBEDRI KUKALAJ: Në Dubravë më 16 maj, gardiani i thotë Ukshin Hotit që t’i përgatis gjërat, sepse sot do të lirohesh. Ukshini u kthye nga ne dhe tha “Djem nëse shpëtoj, ju do të jeni të sigurt, sepse do të marr vesh e gjithë Evropa çka po ndodhë këtu, por si duket nuk do të kem fat, sepse këta kanë përgatitur diçka për mua”. Personalisht e kam dëgjuar kur na ka thënë këto fjalë.SELIM LOKAJ: Jo vetëm Ukshini por dy, Shkëlzen Pepshi dhe Ukshin Hoti. Edhe Shkëlzeni është gjet i vrarë në mes forcave të UÇK-së dhe serbëve në malet e Maznikut në komunën e Deçanit. Po të dy bashkë i kanë marrë në ora 9:30, ka qenë ditë e diel, edhe nuk i kanë larguar nga dera zyrtare, por nga dera e hyrjes, nga portat e mëdha, në atë pjesë kanë qenë njësiti i forcave serbe. Pastaj u përhap lajmi se Ukshin Hoti ka arritur në Itali, e ka marrë shoqata Shen Exhidio, gjoja se dikush e ka dëgjuar këtë lajm në një radio të fshehur në programin “Evropa e Lirë”.UKË THAQI: Unë e di që në burg Ukën e ka marrë Branko Komatini mbikëqyrës i pavijonit B, ai e ka marrë nga pavijoni dhe e ka përcjellë deri te dera e hyrjes jashtë.BAJRUSH XHEMAJLI: Po, ishte Branko që e ka marrë Ukshin Hotin dhe e ka përcjellë te dera kryesore.NË VEND TË EPILOGUT – KRIMINELËT KANË EMRAPjesëmarrësit në kryerjen e të gjitha këtyre krimeve, kanë emër e mbiemër. Disa prej tyre i kanë njohur vetë të burgosurit politik, e veçmas disa të burgosur ordinerë shqiptarë, të cilët janë trajtuar njëjtë, sikur të burgosurit politik. Në këtë burg ka pasur zinxhir komandues, kështu që nuk është vështirë për ti zbuluar të gjithë kriminelët që kanë marrë pjesë në këtë masakër. Por në këtë rast, po i sjellim disa të dhëna nga të burgosurit shqiptarë për emrat e kriminelëve serbë, duke filluar që nga drejtori i burgut e deri te të burgosurit serbë.Rolin kryesor e ka pasur Aca Rakoqeviqi, i cili ka bërë një mobilizim të shpejtë me të burgosurit serbë që kanë qenë aty, sepse edhe ata kanë marrë pjesë në këtë masakër. Pikrisht ishte Aca Rakoqeviq, ndër ata që i kanë thirrur të burgosurit, pas bombardimeve për të dalë në oborrin e burgut, kinse me i transferuar diku tjetër.Pastaj është një komandat që i kanë thënë Miki, të cilin me këtë emër e kanë njohur të gjithë të burgosurit. Tjetër gardian që ka marrë pjesë në masakër ka qenë Mitri, ishte nga Baja e Pejës. Ai ka qenë si vullnetar në luftën e Bosnjës, dhe në Dubravë me një gardian tjetër u tregonin kolegëve të tyre për vrasjet që i kishin kryer në Bosnjë. Kanë marrë pjesë në vrasjet dhe torturimin çnjerëzor të shqiptarëve në Dubravë. Mitri, gjatë masakrës ka qenë në karakollë dhe në momentin që të burgosurit i vendosën te muri, pas pushkatimit, Mitri nga karakolla gjuante me snajper në ata që i kanë mbijetuar sulmit të parë, duke shtënë në secilin me radhë nga pozicioni që kishte. Sipas dëshmisë së të mbijetuarve nja 20 herë ka qëlluar me snajper për të vrarë. Ishte i veshur me rroba të gardianëve dhe pa maskë. Në pavijonin tjetër, ishte një tjetër gardian që së bashku me Mitrin i kanë maltretuar shumë të burgosurit. Ka pasur edhe disa të burgosur serbë, që janë bashkuar me ata, si për shembull njërin që e quanin Miga, i cili ka qenë pjesëmarrës i masakrës dhe ka qenë shumë i tmerrshëm në kryerjen e masakrave. Pastaj ka qenë Miki Vidiç, komandant i burgut dhe Aleksandër Rakoçeviç drejtor i burgut. Ka qenë edhe një Aca tjetër, zëvendës i Miki Vidiçit që ka marrë pjesë në vrasjet ndaj shqiptarëve. Në vazhdën e vargut të kriminelëve serbë ishte edhe gardiani Moma, i cili pas bombardimeve është shndërruar në kriminel. Ai edhe para bombardimeve kishte ardhur me një gardian tjetër, që i ka rrahur të gjithë të burgosurit shqiptarë që nga dhoma e parë deri në dhomën e fundit. Në aksionin e hedhjes së bombave nëpër puseta ku ishin të strehuar të burgosurit, kryesisht udhëhiqte drejtori i burgut, sepse në burgun e Pozharevcit kishte ardhur Arkani, dhe kërkonte kriminelë që ishin për vrasje. Kërkonte t’i binte në Kosovë vetëm për këtë masakër. Ndër ata që kishte ardhur ishte Sinisha Petriq i quajtur Zenica, i cili e ka udhëhequr stafin e burgut, po ashtu edhe drejtorin. Çka ka dashur ka bërë deri sa kanë filluar bombardimet. Ishte 30-32 vjet dhe ishte i dënuar me 20 vite për vrasje.Zenica, edhe pse vetë i burgosur, ka qenë i mobilizuar, thuhet madje se ishte graduar në gradën kapiten nga Arkani. Pas bombardimit Sinisha Petriç ka qenë udhëheqësi i krejt vrasjeve.Një i burgosur tjetër serb me emrin Vllada ishte një i burgosur në Serbi (është edhe në foto me arme në dorë), që ka bërë masakër të madhe. Edhe nga karakollët është parë duke u shoqëruar me gardianët. Pas pushkatimit kishte të veshura rroba të gardianëve.Është një rast që një i burgosur serbë ka kundërshtuar ta marrë armën. Quhej Zoran, dhe ishte në burg, sepse kishte vrarë nënën e tij. Edhe këtë e kanë rrahur shumë, sepse nuk pranonte ta merrte armën. Zorani ishte nga rrethi i Istogut.Zorani ka deklaruar se “në pyetje ishte me ju pushkatuar të gjithëve” dhe “këtë urdhër e kishte dhënë Sinisha”, sepse Aca Rakoqeviq ka thënë që “mjaft kemi vrarë dhe ky është një urdhër nga Ministria”. Madje Zorani ishte prezent kur ka dashur Sinisha Petriq ta vras Aca Rakoqeviqin, sepse ai thoshte mjaft kemi vrarë.Gardiani Branko ishte ai që e kishte marrë Ukshin Hotin. Pastaj ka qenë gardiani Mance etj.Emrat e disa nga gardianëve që kanë punuar në burgun e Dubravës janë: Zhivkoviq Krnina, Tripkoviq Zvonko, Petriq Sasha Aleksander, Stanimir Lushiq, Nebojsha Branko Gjuriq, Goran Slavko Gjuriq, Boshko Slavko Gjuriq, Sinisha Milosav Lushiq, Branko Komatina etj. (FUND)