Botë

BE kërkon bashkëpunimin e Serbisë për zbardhjen e sulmit në veri të Kosovës

PRISHTINË, 10 tetor/ATSH/ Bashkimi Evropian këmbëngul se do ta shqyrtojë mundësinë e vendosjes së masave ndaj Serbisë pasi të kenë përfunduar të gjitha hetimet rreth sulmit mbi policinë e Kosovës me 24 shtator.

“Nuk është se thjeshtë presim bashkëpunim të plotë, por presim bashkëpunim pa kushte nga Serbia, e kur ka vullnet ka dhe rrugëdalje. Nuk ka nevojë askush të fshihet prapa çështjeve formale si njohja apo mosnjohja e një shteti, ka mjaft mënyra se si mund të ndash të gjeturat tua, si mund të bashkëpunosh dhe të kontribuosh në hetimin e plotë”, tha zëdhënësi Stano.

Të sqarohen rrethanat

Sipas tij, “rrethanat e sulmit, duhet të sqarohen deri në fund në mënyrë që të kemi një pamje të qartë rreth asaj se çfarë ndodhi, pse ndodhi dhe kush morri pjesë e kush e organizoi”, tha zëdhënësi Stano, duke nënvizuar se “Bashkimi Evropian bazuar në të gjeturat, do të vendosë se cilët do të jenë hapat e ardhshëm në qasjen ndaj Serbisë, Kosovës, ndaj dialogut dhe rajonit në tërësi”.

Autoritetet  e Kosovës kërkojnë nga bashkësia ndërkombëtare që ta ndëshkojë Serbinë për sulmin e 24 shtatorit mbi policinë e Kosovës. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një takimi që pati hënën me komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s me seli në Napoli, Admiralin Stuart B. Munsch, tha se “kërkesa e Kosovës është e qartë, masa konkrete kundër Serbisë, pas atij akti agresioni ndaj Kosovës”.

Osmani: Agresioni duhet të ndëshkohet

“Presidentja Osmani theksoi nevojën e marrjes së masave konkrete kundër Serbisë pas aktit të agresionit dhe sulmit terrorist nga grupet paramilitare dhe kriminale të udhëhequra në terren nga Milan Radoiçiq dhe politikisht nga Aleksandar Vuçiq. Ajo nënvizoi se Serbia duhet t’i tërheq trupat e saj ushtarake nga kufiri me Kosovën pasi që ato përbëjnë rrezik për paqen dhe stabilitetin në rajon”, thuhet në një komunikatë të presidencës.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se “sanksionet ndaj Serbisë nga faktori ndërkombëtar për rastin në Banjskë janë të nevojshme”, pasi sipas tij, “nëse ato nuk vendosen, Serbia do ta përsërisë krimin”.

“Provat e mbledhura gjatë hetimeve të kryera tregojnë për përfshirjen e drejtpërdrejtë të institucioneve shtetërore të Serbisë në këtë akt agresioni kundër Republikës së Kosovës. Për këtë Serbia duhet të sanksionohet dhe ndëshkohet ndërkombëtarisht. Nëse edhe ky akt mbetet i pandëshkuar, Serbia do ta përsërisë krimin”, u shpreh Kurti, për mediumin malazez “Pobjeda”.

Serbia mohon përfshirje

Autoritetet e Serbisë e mohojnë përfshirjen e shtetit në sulmin e 24 shatorit mbi policinë e Kosovës, ku një polic u vra dhe me pas tre sulmues. Beogradi zyrtar po ashtu mohon çfarëdo lidhje me grupin e armatosur që kreu sulmin, përgjegjësinë për të cilin e mori Milan Radoiçiq, nënkryetari i deritashëm i Listës Serbe, që është partia me e madhe e serbëve në Kosovë.

Sidoqoftë, komandanti i forcave paqeruajtëse të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, të cilit këtë të martë i përfundoi mandati, ka vlerësuar se  situata në veri të Kosovës është jostabile dhe me mundësi përshkallëzimi. NATO-o tashmë ka filluar shtimin e trupave në Kosovë. Prishtina zyrtare, kërkon  angazhim të shtuar të KFOR-it dhe NATO-s, në rritjen e sigurisë përgjatë kufirit Kosovë-Serbi. Tensionet ndërmjet vendeve arritën në një shkallë të lartë në 20 vjetët e fundit, kur një grup serbësh të armatosur me 24 shtator sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri të Kosovës duke vrarë një oficer policie. Tre sulmues më pas u vranë gjatë përleshjeve. /DW/