Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati në një intervistë për ATSH-në komentoi impaktin e këtyre marrëveshjeve të arritura.
Deputeti socialist deklaron se platforma “Ballkani i Hapur” përqendrohet në forcimin e bashkëpunimit, njohjen e standardeve dhe marrjen e “masave” të buta për të hequr pengesat doganore, apo për t’i dhënë prioritet lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit.
”Ballkani i Hapur” është një platformë për të cilën me bindje them që rajoni ka nevojë”, tha Bushati për ATSH.
Kjo pasi, shton ai, Ballkani për një kohë të gjatë ka qenë i izoluar, ndërsa sot përmes kësaj platforme, ne kemi ndërtuar ura të reja zhvillimi ekonomik e jo vetëm.
“Kjo nismë sjell në këtë rajon një shembull kuptimplotë që është shembulli i BE-së, duke synuar jetësimin e katër lirive themelore të BE-së, lirinë e lëvizjes së njerëzve, lëvizjen e mallrave, të kapitaleve dhe lëvizjes së shërbimeve”, u shpreh Bushati në prononcimin për ATSH.
Ballkani Perëndimor, vuri në dukje ai, është e vetmja zonë e pa integruar në Bashkimin Europian dhe më tepër se integrim kemi të bëjmë me një përfshirje të kësaj zone më pranë BE-së.
Bushati deklaron se memorandumet e nënshkruara në kuadër të forumit ekonomik, në Shkup, parashikojnë që lëvizje të lirë të punës dhe qytetarëve, shërbimet dhe mallrat të lëvizin pa kosto dhe gjithashtu edhe kapitalet apo investimet nëpërmjet vendeve të njëjta në këtë zonë të mos taksohen më shumë, por sikur të ishin në vendet e tyre.
“Patjetër që do të ulen kostot ekonomike, duke rritur lëvizjen e lirë të njerëzve, të shërbimeve dhe kapitaleve apo dhe të mallrave bashkë me shërbimet, njëlloj siç ndodh edhe në Bashkimin Europian. Lëvizja e lirë e punës dhe qytetarëve, shërbimet dhe mallrat lëvizin pa kosto. Gjithashtu bën që edhe kapitalet apo investimet nëpërmjet vendeve të njëjta në këtë zonë të mos taksohen më shumë, por sikur të ishin në vendet e tyre. Kjo bën një treg prej 20 milionë qytetarësh që të integrohet më shpejt, por gjithashtu të jetë gati nesër për në Bashkimin Europian. Pra ajo që po bën është një përshpejtim i proceseve duke filluar në radhë të parë me veten”, thotë Bushati.
Gjithashtu, sipas Bushatit, kjo marrëveshje do t’i japë mundësi shteteve të reduktojnë pikat e shumta të kontrollit kufitar, duke i lejuar qytetarët të udhëtojnë vetëm me letërnjoftimin e tyre ID, duke eliminuar kështu përdorimin e pasaportës. Njëkohësisht do të njohin lejet e punës dhe kualifikimet profesionale dhe do të eliminojnë kërkesat për viza për vizitorët e huaj në rajon.
“Shumë e rëndësishme të theksohet është se nëpërmjet kësaj nisme parashikohen përfitime të rëndësishme ekonomike edhe nga bashkëpunimi i ngushtë i shteteve dhe marrëdhënie më të mira mes tyre, pasi pengesat e vazhdueshme ndërkufitare kanë sjellë dhe do të sjellin bllokimin e investimeve të huaja, ndaj ka ardhur momenti i një bashkëpunimi të ri më efikas”, deklaroi Bushati për ATSH.
Kjo nismë, vijon Bushati, është një mënyrë që qytetarët të jenë të kënaqur, të ndiejnë progres dhe të shohin se ajo që ne po bëjmë ka kuptim.