TIRANË 20 dhjetor /ATSH-I.Vata/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se protesta e thirrur nga Sali Berisha nuk ka aspak lidhje me “Ballkanin e Hapur”, por me hallin e tij me drejtësinë.
Në fjalën e tij në Kuvend, Balla u shpreh se “në bulevard zhvillohet një protestë që nuk ka asgjë të përbashkët me politikën e Shqipërinë në rajon dhe angazhimin e Shqipërisë për integrimin në BE”.
“Protesta e thirrur për hallin e Sali Berishës, aspak për “Ballkanin e Hapur” një nismë e përshëndetur nga SHBA e BE dhe të kundërvihesh sot ndaj kësaj nisme është krijimi i një linje anti-amerikane. Berisha ka hallin e vet që s’ia zgjidh askush. Shpresoj që drejtësia të bëjë punën e saj për hetimin e dosjeve korruptive që flenë në SPAK”, tha ai.
Balla shtoi se “dhëndri i Berishës është në protestë për t’iu shmangur drejtësisë. Ne kemi çuar në SPAK se si është privatizuar nga ai kompleksin Partizani”.
“Është një aferë korruptive. Kurrë nuk ka ndodhur që PS të marrë në mbrojtje një individ në hetim nga prokuroria. Nuk bëmë atë që PD bëri me Xhelal Mziun. Në buxhetin që Meta tentoi të kthente pas janë akomoduar kërkesat nga institucionet e drejtësisë ku janë akorduar 8.4 miliardë lekë dhe 3322 punonjës për këto institucione. Në shkurt mendojmë të përfundojmë zgjatjen e mandateve të Vetingut. Ajo që ka qenë në themel të reformës së drejtësisë është distancimi i saj nga politika. Dua t’i bëj thirrje PD-së se është e pandershme se deri para 3 muajsh Basha sulmonte SPAK-un si të paaftë, kemi zyrtarë të nivelit të lartë të ndaluar dhe ta përshëndesë tani. Më bëhet qejfi që një pjesë e opozitës sot e përshëndet”, tha ai.
Po ashtu, Balla theksoi se pas shpalljes së Berishës “non grata”, drejtësia nuk ka çuar përpara dosjet korruptive.
“Teksa SHBA-të e kanë konsideruar Berishën si të përfshirë në afera korruptive, organet e drejtësisë nuk kanë çuar përpara dosjet korruptive dhe tani shqiptarët po durojnë avazin 30-vjeçar të Sali Berishës. Sot gjoja në emër të atdhetarizmit Berisha si “non grata” udhëheq protestën kundër domosdoshmërisë që ka sot dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Për marrëveshjet me Kosovën, kemi pasur mbështetjen e opozitës që nuk i ka shpallur luftë SHBA-ve. Kush e konsideron SHBA-në armik, është në armiqësi edhe me popullin shqiptar”- tha Balla. /j.p/