Shqipëria/Aktualitet

Balla: Drejtësia e re po funksionon, llumi duhet pastruar njëherë e mirë

Urojmë nga zemra që jo vetëm të funksionojë, por edhe të zbatohet drejtësia dhe ligjshmëria, pa kursyer askend, në Republikën e Shqipërisë (shtetin tonë AMË), sepse vetëm atëherë Atdheu ynë i përbashkët do të jetë e mira e popullit aty dhe e mira e kombit tonë në Iliri (në gjithë Shqipërinë)! Mjaft, madje shumë gjatë, duroi Republika e Shqipërisë arbitraritetin e bandave dhe të vagabondëve politikë, që e shkatërruan, e dogjën dhe e poqën sa e sa herë si të ishin pushtues e jo bashkëkombës – vendës…  (GL)

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha sot nga Fieri se, “drejtësia e re po funksionon dhe se llumi duhet pastruar njëherë e mirë”.

I pyetur në një prononcim për mediet, në lidhje me grabitjen e ndodhur në një apartament në Tiranë Balla tha se, “çështja i takon drejtësisë dhe se hetimet vijojnë”.

“Kur para 5 apo 6 viteve ne flisnim për drejtësinë e re, që po lindte mbi gërmadhat e drejtësisë së vjetër mediet i shihnin me dyshim këto deklarata, por mendoj që kemi ardhur në një fazë të re të drejtësisë. Fakti që drejtësia po funksionon është lajm i mirë dhe llumi duhet pastruar. Tashmë kjo çështje është në duart e drejtësisë”, theksoi Balla.

Balla foli edhe për sesionin e ri parlamentar, i cili nis javën e ardhshme, teksa theksoi se, duhet të marrë fund historia e të bërit gjyq ndaj njëri-tjetrit dhe se çdo akuzë duhet çuar tek organet e drejtësisë.

“Te hënën fillojmë sesionin e ri parlamentar dhe apeli im është që historia që ne i bëjmë gjyqin njëri-tjetrit duhet të marrë fund. Ky është një standard që duhet respektuar nga të gjithë, çdo akuzë të çohet në Prokurori dhe pastaj është institucioni i ngarkuar nga ligji që bën hetimet”, tha Balla.

Këto deklarata Balla i bëri pas takimit me drejtuesit e PS-së në Fier, nga ku foli edhe për zgjedhjet vendore të majit dhe këshillat bashkiakë.

“Duhet të ndryshojë qasja përsa i përket funksionalitetit, transparencës, komunikimit dhe pjesëmarrjes së publikut në mbledhjet e Këshillit Bashkiak edhe pse Fieri ka pasur një standard ku mbledhjet kanë qenë të hapura, por na duhet një qasje e re, përfaqësuesit do të jenë të të gjitha fushave. Po vlerësohen të gjithë kandidatët edhe për kandidat të këshillit bashkiak, bazuar kjo në sondazhe e procese konsultimi, që nga anëtarësia dhe strukturat e PS-së, por edhe me qytetarët për zgjedhjen e kandidatit, që do të përfaqësojë Partia Socialiste në bashkitë e qarkut Fier”, tha Balla.

/k.s/ /gj.m/