Opinion

Bali Lestrani: Udhëheqësi i dëshiruar

Një nga karakteristikat kryesore të një udhëheqësi të mirë është që të udhëheqë me shembullin e tij. Shoqëria jonë deri më tani sikur është mësuar më shumë me idenë që udhëheqësit thjesht të bërtasin, të japin urdhëra dhe të urdhërojnë njerëzit. Ata kënaqen kur shohin që njerëzit i ndjekin dhe u binden urdhërave të tyre. S’ka hiç rëndësi që vetë udhëheqësit nuk janë në nivel detyre e përgjegjësie!…
Udhëheqësi i mirë gjithashtu duhet të ketë një program të mirë për të ardhmen në bashkëpunim me ekspertët më profesonalë të vendit dhe duhet të ketë, përveç tjerash, edhe besimin e popullit ose votuesve të tij. Kur njerëzit të shikojnë si një drejtues të sigurt, ata do të bëjnë gjithçka që kërkoni prej tyre. Ekziston një ndryshim midis besimit dhe arrogancës, prandaj duhet të kemi kujdes. DËGJIMI I TË TJERËVE ËSHTË SHENJË E NJË UDHËHEQËSI TË MIRË! Të jesh udhëheqës dhe të përfaqësosh vendin tënd nuk është thjesht një përgjegjësi politike e publike ose një privilegj e mundësi përfitimi. Ju duhet ta doni vendin tuaj dhe të punoni ndershëm për zhvillimin e përgjithshëm. Cilësitë më të rëndësishme të një udhëheqësi të mirë kanë qenë gjithmonë të menduarit strategjik dhe kritik, inovacioni dhe veprimi… Shumica e udhëheqësve gjatë gjithë historisë kanë dalë nga nevojat e rrethanave, që rrjedhin nga dinamikat dhe proceset që shpalosen brenda dhe midis një grupi individësh, ndërsa përpiqen të arrijnë një qëllim kolektiv. Udhëheqësit e rinj e të talentuar të brezit të ri kanë nevojë për detyra sfiduese, që do t’i lartësojnë ato. Ne duhet të besojmë tek ata, t’i inkurajojmë dhe të mbështesim aspiratat e tyre. Duhet të krijojmë kushtet që të rinjtë tanë të mos ikin nga vendi dhe të zhvillojmë talentet e tyre. Kjo do t’i jepte përparësi konkurruese afatgjate vendeve tona, veçanërisht duke pasur parasysh situatën tonë aktuale të “ikjes së trurit”. Shumë prej nesh thjesht e ndiejmë nevojën se duam të ndryshojmë gjendjen aktuale në vend, por nuk dimë nga t’ia fillojmë. Unë mendoj se fillimisht duhet të fillosh nga vetja duke pranuar veten dhe pozitën ku jeni tani. Sigurisht, kjo nuk është një gjë e lehtë për t’u bërë, por kjo është mënyra për të filluar një proces të ndërgjegjshëm ndryshimi të qëndrueshëm. Atëherë, është vetëm një çështje për të hedhur hapat njërin pas tjetrit dhe, para se të bëheni të vetëdijshëm për këtë, do të keni transformuar jetën tuaj dhe jetën e njerëzve, që ju rrethojnë. Ndërsa ndryshimi ndërtohet hap pas hapi. Ndër cilësitë e një lideri të mirë në punë konsiderohet komunikimi i ideve, dëshira për të punuar me njerëz i hapur ndaj grupit (pasuesve të tij) dhe të pranojë edhe pikëpamjet e pjesëtarëve të grupit. Udhëheqësi nuk emërohet, njerëzit e zgjedhin atë. Udhëheqësi i mirë duhet të jetë edhe i drejtë. Udhëheqësi i ri mund ta ketë edhe një dobësi, mbase kujton që kurrë nuk bjen shi. Udhëheqësi duhet të ketë një status dhe integritet tepër të lartë moral, shoqëror, etik si dhe të jetë i arsimuar. Parësore, mendoj se është dija dhe nëse është i mirëarsimuar do të thotë se ai udhëhiqet nga dija. Qëllimi i udhëheqësit të mirë është të mendojë për të nesërmen, për të ardhmen, të shohë përtej horizontit, t`u paraprijë sfidave, të sfidojë të keqen dhe të triumfojë në shërbim të komunitetit që përfaqëson, të kombit, të atdheut. Udhëheqësi i vërtetë ka aftësi të vlerësojë vlerat e vendit të tij. Ai di të dallojë vlerat dhe antivlerat, ashtu siç di, se cilat vlera duhet të harrojë dhe cilat vlera duhet t`i çojë përpara. Duhet të ketë aftësi të nxisë, inkurajojë, motivojë popullin, duke ndryshuar realitetin pozitivisht, për të mirën shoqërore. Udhëheqësit origjinalë kanë aftësi t’i tërheqin njerëzit drejt vetes. Kanë një kuptim të jashtëzakonshëm. Udhëheqësi i mirë nuk përdor fjalën unë, unë… “Komuna ime” e fjalë të tjera në vetën e parë njëjës! Prandaj, o ju njërëz të mirë, të bashkohemi e të zgjedhim udhëheqës e kryetarë komunash të mirë e të dinjitetshëm, që punojnë e jetojnë ndershëm!