Shqipëria/Aktualitet

Bajram Begaj, kandidat për Kryetar të Republikës

TIRANË, 3 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot pas mbledhjes së Kryesisë se emri i propozuar nga Partia Socialiste për President të Republikës, është Bajram Begaj.

Në një komunikim për mediet pas mbledhjes së kryesisë së PS-së, Rama tha se, mazhoranca ka propozuar si kandidat për President të Republikës, shefin aktual të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bajram Begaj.

Gjeneral major Bajram Begaj ka lindur në datë 20.03.1967, në Rrogozhinë. Ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në degën Mjekësi e Përgjithshme në vitin 1989 dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998.

Gjeneral major Begaj, ka përfunduar “Doktoraturën në Fushën e Mjekësisë” në Shqipëri, si dhe mban titullin “Profesor i asociuar” në Mjekësi.

Gjatë karrierës 31-vjeçare ushtarake ka kryer: kursin e lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen;  shkollën e thelluar pasuniversitare të mjekësisë, specializimin pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji, kursin e menaxhimit spitalor dhe kursin e lidershipit mjekësor strategjik, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe kursin e specializimit në fushën e mjekësisë dhe kursin e Shëndetësisë, në Greqi.

Gjeneral major Begaj mbajti postin e Komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes në Forcat e Armatosura, ndërkohë që në 31 vitet e karrierës në FA ka mbajtur një sërë detyrash mes të cilave: shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe zëvendësdrejtor Ushtarak i SUT, drejtor i Spitalit Ushtarak, drejtor i Inspektoratit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm Ushtarak Qendror Universitar etj.

Begaj u dekretua nga Presidenti Ilir Meta në korrik 2020 si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

/j.p/r.e/