Histori

Bajram Bala: Kufiri shtetëror dhe detyra e shenjtë për ruajtjen e tij

“Luftën që prish njerëzin s’do ta desha kurrë/ po në shkelshin kufirin do të luftoja si burrë”.

                                                                                                                                                                 A. Z. Çajupi

Pas çlirimit të vendit më 29 Nëntor 1944 dhe të fitores së Revolucionit popullor u hodhën themelet e Shtetit të ri. Në këtë kuadër një rëndësi të veçantë iu dha krijimit të Forcave të Armatosura të Republikës Popullore të Shqipërisë me një detyrë sublime, që të realizonin mbrojtjen e fitoreve të revolucionit popullor, lirinë e pavarësinë e Republikës Popullore të Shqipërisë.

Këto forca u përbënë nga: Ushtria Popullore, vazhduesja e drejtpërdrejtë e UNÇSH. Më dt 10.07.1945 u quajt Ushtria Kombëtare Shqiptare kurse në vitin 1949 mori emrin Ushtria Popullore e përbërë nga forcat e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe nga Forcat Vullnetare të Vetëmbrojtjes Popullore.

***

Forcat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, pjesë përbërëse e F.A. të R.P Shqipërisë, u përbënë nga Arma e Sigurimit të Shtetit, që u krijua me 20.03.1943 si shërbim Informativ me forcat partizane.

Mbi bazën e përvojës së grumbulluar gjatë Luftës ANÇ nga shërbimi informative pas çlirimit u ndërtua A.S. të Shqipërisë me organet e veta të specializuara.

Forcat e Kufirit, pjesë përbërëse e Forcave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, u krijuan më 25.04.1945 . Ato kishin për detyrë ruajtjen e kufirit në rast agresioni si dhe mbrojtjen e banorëve kufitar dhe të pasurisë së tyre nga çdo veprimtari armiqësore e keqbërëse.

Në vitin 1945-1948 forcat e kufirit përballuan me trimëri provokacionet dhe veprimtarinë tjetër armiqësore të zhvilluar nëpërmjet kufijve shtetëror.

Vetëm në vitet 1949-1954 forcat e kufirit përballuan 2334 provokacione të armiqve të ndryshëm. Në provokacionet e gushtit 1949 forcat e kufirit zhvilluan  luftime të ashpra me forcat e armikut dhe bënë të dështojnë qëllimet e tij.

Edhe në vitet e mëvonshme forcat e kufirit janë ndeshur e kanë përballuar me sukses një veprimtari të gjerë e të egër armiqësore të zhvilluar nëpërmjet kufijve shtetëror

Në realizimin e detyrës së tyre të shenjtë për mbrojtjen e kufijve, forcat e kufirit u mbështeten fuqimisht nga populli i zonës kufitare.

Gjatësia e përgjithshme e kufirit shtetëror 1094 km, nga të cilat

  • 627 km , kufij tokësor
  • 316 km, kufi detar
  • 73 km, kufi liqenor
  • 78 km, kufi lumor

Ajo që mbante nën tension të strukturave dhe kuadrove të kufirit ishte dinamika e një veprimtarie të dendur. Sinjali i klonit binte në postë dhe në rastet kur prekej nga ndonjë kafshë e egër, që kalonte sa andej–këtej. Në brezin e butë gjendeshin gjurmë, që duheshin verifikuar në çdo rast.

Patrullat kufitare sinjalizonin për çdo gjë të dyshimtë deri tek ndonjë hije e padëshirueshme, që mund të fanitej si në ëndërr. Raportimi kalonte hallkë pas hallke, ndërsa kur ngjarja përbënte një problem të vërtetë zilja e telefonit binte për drejtuesit e lartë të kufirit, por edhe për vetë titullarët e Ministrisë së Brendshme.

Ruajtja e kufirit ishte një detyrë specifike.

Rëndësi kishte përballjet dhe sakrificat e një përvoje në ruajtjen e mbrojtjen e gjithë vijës kufirit.

Kur u realizua ligji themelor për kufirin?

Me daljen e dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor në Shtator 1952 “Mbi përcaktimin dhe ruajtjen e kufirit të RPSH “.

Komandat dhe shtabet kishin në dorë një akt normativ mbi bazën e të cilit do të mbështeteshin për të kryer detyrën e ruajtjes së kufirit shtetëror. Dalja me pas e instruksioneve dhe rregulloreve mbi mënyrën e organizimit dhe drejtimit të shërbimit nga posta batalioni e brigada kufitare la mbrapa frymën e partizanllëkut në bërjen e punëve, praktikat e ngushta apo tolerimet e paligjshme.

Në praktikat e përditshme të ruajtjes së kufirit si në variantet normale apo në varësi të situatës shërbimi kryhej i përforcuar (dendësim njësitesh dhe zgjatje të orareve të shërbimit, apo në rastet e operacioneve kufitare, që në esencë përfshinin kundërveprime komplekse dhe të bashkërenduara të Forcave të Kufirit krahas sukseseve ndodhte të mos realizoheshin plotësisht.

Ç`ndodhte në këto raste?

Analizat me objektivitet shpesh dilnin se ishin të domosdoshme nxjerrja e akteve nën-ligjore,etj.

Për këtë qëllim doli instruksioni i Ministrisë së Punëve të Brendshme në maj 1956 mbi “Shërbimin e pikave të kontrollit, kalimit të kufirit “, që ishte dokument shumë i rëndësishëm i kohës.

Bashkëpunimi/Ngritja e komisioneve dy-palëshe Shqipëri-Jugosllavi si dhe Greqi.

Në vitet 70 incidentet në kufi ishin minimizuar, por gjithsesi probleme kishte.

Ndërkohë dy anët e kufirit mbroheshin me fanatizëm nga palët.

Ushtarakëve shqiptarë nuk u lejohej të komunikonin me palën përtej kufirit.

Në ligj përcaktohej qartë se me ushtaraket e huaj flitej vetëm në raste të veçanta kur kërkohej ndihmë. Me qëllim që vija  e kufirit të ishte e lexueshme dhe piramidat të mirëmbaheshin, u krijuan komisione të përbashkëta midis vendeve fillimisht me Jugosllavinë.

Komisionet ishin dypalëshe merreshin  me pretendimin e palëve si dhe incidenteve, që ndodhnin në vijën kufitare e në afërsi të saj.

Këto komisione ishin dypalëshe dhe mblidheshin një herë në vit, një herë në Tiranë dhe një herë në Beograd.

Përveç komisionit të madh kishte dhe komisione të vogla “lokale”, që mblidheshin sa herë kishte ngjarje.

Pala Greke fillimisht ra dakord vetëm me një pikë të aktit të marrëveshjes, që kishte të bënte me mirëmbajtjen e piramidave.

U desh të vinte viti 1985, që pala greke të binte dakord për ngritjen e komisionit të përbashkët, pra shumë vonë.

Në rast lufte forcat e kufirit inkuadroheshin në drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes duke u vendosur në skalionin e parë të luftimit.

Forcat e kufirit me ndërgjegjësimin e tyre për detyrën e shenjtë dhanë kontribut të madh për mbrojtjen e Atdheut. Ata me trimëri dhe heroizëm realizonin qëllimin, që kufiri të ishte i pakalueshëm.

Armiku nuk mundi të shkelte lehtë asnjë pëllëmbë toke pasi forcat kufitare si dhe populli i zonave kufitare ishte gjithmonë vigjilent duke ruajtur ditë e natë me besnikëri ndaj atdheut dhe popullit.

Për forcat e kufirit populli kishte një admirim të madh.

Dita e 25 Prillit, dita e krijimit të armës e kufirit bënte pjesë në ditët e festave të rëndësishme. Në këto festime, që organizoheshin për këtë ditë merrnin pjesë jo vetëm forcat ushtarake dhe popullsia e zonave kufitare, por edhe punonjës nga ndërmarrjet dhe shkolla të qyteteve. Në këtë festë të gjithë së bashku kujtonin atë ditën formimit të forcave të kufirit duke uruar për forcimin e fuqisë mbrojtëse të vendit.

*Ish oficer në armën e kufirit