Kulturë\Letërsi

Arban Bislimi: Zbulim me rëndësi historike në Ulpian për popullin shqiptar

Pasuritë Kryesore të Kosovës në veçanti dhe Shqipërisë në përgjithësi përbëhen prej dheut, nëndheut dhe njerëzëve tanë që dëshmuan në këto vite lirie se meritojn vendin e tyre në mesin e Kombëve dhe në altarin e njerëzimit.
Sa më shumë gërmohet dheu, aq më shumë pasurohen dhe ngritet vlera dhe morali i njerëzve tanë.
Sa më shumë të dalin në pah reliket e të kaluarës së lavdishme, aq më shumë Shqiptarët do drejtohen drejt të mirës së tyre, historisë, lavdisë, burrërisë dhe gjuhës së tyre e aq më shumë do largohen nga ata që duan ti mashtrojnë me llomotitje, pallavra, vese, tregime e mashtrime të përvojave, zakonëve e historive të popujve tjera që nuk përkojnë as me historinë, as me vlerat, as me doket e zakonëve të tyre fisnike.
Zbulimet arkeologjike që bëhen në Ulpianë dhe në çdo vend të Kosovës e viseve tjera Shqiptare në gjashtë Shtetët Ballkanike tregojnë për zotësinë, karakterin e rafinuar të një civilizimi shumë të lashtë që nga Kale e Bujanovcit dhe i ashtuquajturi civilizim Vinca (Civilizimi Pellazgë të cilit i përket edhe Hyjnesha Dardane e Prishtinës) e deri te ndërtimet mbi trunguj në liqe 8000 vjeçar në Lin të Ohrit. Që nga Kalat e lashta të shekullit III e IV të Harilaçit e deri te Basilika Gjigante e Justinianit që gjurmojnë e zbulojnë arkeologët tanë më të mirë në Ulpianë në ditët e sotme.
Shqiptarët, ashtu si Evropianët perëndimor gjatë shekullit XVIII dhe XIX po i kthehen urtësisë, Zotësisë, kulturës, artit të lashtësisë së Civilizimëve dhe Perandorive që dikur i udhëheqnin. Është jetike këto tempuj të kulturës dhe historisë të restaurohen dhe të vizitohen rregullisht edhe nga fëmijët tanë që t’i ipet dheu defenitivisht edhe propagandave dhe qyqarllekut të viteve 90ta dhe frymave qyqare që trombetonin e trombetojnë se Shqiptarët s’dijnë të bëjnë Shtet, nuk kanë kulturë, nuk kanë gjuhë e ligje të unifikuara, kanë botëkuptim, mendësi, përkatësi dhe vizion fisnor, krahinor, fetar dhe shkurtpamës që nuk përkojnë me vlerat Evropiane që karakterizohen nga vizioni dhe përkatësia Kombëtare.
Kontributi i inteligjencisë, arkeologëve, historianëve, intelektualëve të mirëfilltë është i domosdoeshëm për të varrosur definitivisht propaganduesit e këtyre propagandave koloniale, të kishave armiqësore, të traditave e mendësive të dëmshme për njerëzimin dhe dekadencave pseudo-moderne. Shqipëria do jetë vërtetë Evropiane atëher kur koncepti i Shtetit Komb, vizioni i jetës dhe planifikimit të jetës brenda një Kombi dhe sipas kornizave të një aspirate dhe synimi Kombëtar do të kthehet në realitet të mendësisë dhe botës materiale të secilit individ përbërës të tij.
Njëkohësisht, nuk ka kohezion, legjitimitet dhe bashkëveprim të njësuar pa fitore të jashtme. Elitave Shqiptare u takon më shumë se kurrë të vendosin një meritokraci dhe një vizion për Shqipërinë që do ketë vendin, pozicionimin, këndvështrimin, ndikimin mbi çdo çështje të gadishullit Ilirë, Mesdheut, Evropës dhe Botës.
Ashtu siç një shtëpi e një familje nuk mund të gjallëroj e lumturoj pa të arritura e përparime të rregullta, ashtu edhe Kombët nuk mund të kenë mbarësi e kohezion pa fitore të jashtme, pa synime e ambicie për tu projektuar në botë. Njëkohësisht, ashtu si në një shtëpi a kolektiv një prijës nuk mund të ketë legjitimitetin dhe kontributin e plotë të gjithsecilit pa një vizion, udhëheqësi të ndritur dhe virtuti e shkëlqyeshmëri të posaçme, ashtu edhe “Elitat” e këtij Kombi nuk mund të arrijnë atë drejtim, mobilizim, angazhim dhe përsoshmëri të masave pa vendosur më të mirët, më vizionarët, më të arriturit në krye.
Përderisa “Elitat” nuk kryejn ketë revolucion kulturor dhe mendësor do kemi politikan e udhëheqës ashtu siç kemi: provincial, bajraktar, të nënshtruar ndaj frymave kulturore e fetare të huaja, barierëvënës ndaj çdo hapje dhe bashkimi të Shqiptarëve.