NGA LIRIMI I TATIMIT PËR TË PASURIT, ËSHTË BËRË FERRI I TË VARFËRVE
Rivlerësimi i pronave sipas vlerës së tregut ishte proces teknik i kryer përgjithësisht mirë dhe mjet për të kthyer drejtësi shoqërore lidhur me mosbarazinë më të madhe që ekziston në një shoqëri njerëzore: pabarazia që ndan ata, që kanë kapital të grumbulluar (pasuri), nga ata, që kanë vetëm krahët për të siguruar jetesën, shumë prej të cilve nuk kanë as truall vendbanimi. Njëkohësisht, një mjet që rritë të hyrat komunale dhe mundësitë për investime dhe shërbime publike më cilësore për qytetarët tanë.
Pabarazit lidhur me pronën nuk janë vetëm ndërmjet dy familjeve që ndajnë të njëjtën lagje, por veçanërisht ndërmjet territoreve. Mendoni dy individë, që kanë blerë një truall apo një shtëpi, njëri në një fshat të një komune dytësore dhe tjetri në një lagje të një qyteti para 5 vite. Vlera e pronës në fshat ka njohur përgjithësisht një ngritje të vogël gjersa vlera e pronave në qytet ka shënuar një ngritje eksponenciale mbi 50%, vetëm në dy vitet e fundit në qytete. A duhej përditësuar dhe tatuar ky pasurim?
Në një perspektivë më afatgjate, vlera e një trualli në Veternik e lagje të sotme të shumë qyteteve para lufte nuk vlente më shumë se vlera e një trualli në një fshat të rëndomtë të Kosovës, kurse sot, ajo kalon vlerën e 100000 eurove për ari, derisa vlera e tokës së fshatit nuk kalon 1000 euro për ari. Mostrajtimi fiskal i barabart i këtyre pabarazive të trashëgimisë dhe pasurisë ndikon që këto të sforcohen gjersa emigrimi i brendshëm drejt qyteteve dhe drejt Perendimit të rritet.
Skandalozja në gjithë këtë debat rreth tatimit në pronë është qendrimi i disa partive opozitare, ndër ta edhe “ekonomisti” Lumir Abdixhiku me propozimin unikal se “do t’i ulë tatimet, do të ngrisë pagat, do t’i rrisë investimet publike”, etj, që mund të konsiderohen premtime populiste dylekëshe. Disa parti tjera propozuan të ngrihet taksa e tatimit në pronë. Atëher, me çfarë të financohen komunat, çerdhet, shkollat apo qoftë edhe ndonjë stacion i mbuluar; të gjitha këto shërbime publike në mungesë të skajshme.
Propozim edhe më pakurrizor paska ardhur nga partia e VV – së, e cila çështjen e tatimit në pronë e paska kuptuar si “lojë politike”. Partia VV na thotë të lirohen të gjithë qytetarët (pavarësisht të ardhurave) deri në 100 euro nga tatimi në pronë! Një propozim i tillë do të rrëzikonte në rend të parë financat e komunave gjersa do të ishte thellësisht i padrejtë edhe në aspektin shoqëror, duke anuluar efektin e tatimit edhe te shtresa të mesme e të larta.
Nëse halli është te shtresat sociale, atëher le të lirohen ato familje nga tatimi në pronë me prezantimin e kartonit përkatës. Për këto shtresa të nëpërkëmbura le të lirohen edhe nga pagesa e mbeturinave dhe ujit -që asnjë qeveri nuk e ka bërë për këtë kategori – por nuk mund të ndërtohet mirëqenie minimale as për këtë kategori nëse mentaliteti primitiv i shtresave të mesme dhe të larta vazhdon ta shoh si “haram” pagesën e tatimit që i detyrohet shoqërisë dhe institucioneve që sigurojnë rishpërndarjen e pasurisë dhe mirëqenies!
Politika e tatimit në pronë, e ndjekur deri sot, u ka shkaktuar probleme edhe bujqëve që nuk gjejnë tokë për të punuar, atëher kur politika tatimore ndaj tokës bujqësore do të kishte mundur të orientohet për të ndihmuar ata në kultivimin e parcelave më të mëdha, duke bërë ekonomi në shkallë, modernizuar praktikat dhe rritur rendimentet. Na ishte një propozim i suedezëve për tatimin e tokave (arave) të papunuara dhe lirimin nga tatimi të atyre që u janë lëshuar për kultivim fermerëve. Një praktikë e tillë do të kishte mundësuar një bujqësi kompetitive dhe me një rendiment më të mirë të punës së bujqëve.
E vërteta nganjëher del edhe nga goja e politikanëve si puna e Xh. Halitit, që pati deklaruar në një emision, përballë një gazetari milioner: “Krejt i kemi nga dy – tre milionë”. E vërteta është se kushdo që ka pasur apo zën 20 ari të mirë tokë në një qytet të Kosovës ka arritur milionin. E vërteta është, gjithashtu, se kjo vlerë nuk ishte arritur ose rritur edhe pa investimin publik (ndonjë rrugë, politika publike, shërbime publike, infrastrukturë publike, që ka ndihmuar rritjen). Janë me dhjetra mijëra familje milionere si rezultat i kësaj rritjeje të vlerës së pronës. Kjo kategori e “milionerëve”, që është edhe më e madhe se numri i familjeve që jetojnë me social, duhet t’i kthej diçka edhe vendit e njerëzve tanë e jo të shikoj vetëm çfarë ka me marrë!
Një kundërargument i pritshëm është se disa shtresa të mesme të administratës, policisë, mësuesëve, shëndetësisë nuk kanë pasur rritje tani disa vite. Argument me vend, mbase një familjes që blen një bukë në ditë i kushton 36,5 euro më shumë në vit, pako minimale bazë e internetit i kushton 99 euro më shtretjë se para dy vite, madje edhe Bashkësia islame ka rritur drastikisht anëtarsinë e saj, etj, etj, ose shumë më shtrenjtë se tatimi vjetor i pronës. Edhe këtu problemi qendron te mosrritja e rrogës nga Qeveri të njëpasnjëshme dhe këto 5 vitet e fundit nuk kanë bërë as edhe një investim të rëndësishëm kapital! Por, buxhetorët nuk kanë nevojë të trajtohen si raste sociale gjersa si qytetarë të dinjitetshëm të këtij vendi e këtij Shteti, për të cilin punojnë duan ta zgjerojnë, ta forcojnë atë e jo të dëshpërohen duke parë se si një shtresë primitivësh arrivistësh përfiton nga Shteti dhe investimi publik pa e dhënë kurrë asnjë 10% tatim në Shtetin me tatimet më të ulëta në Evropë!
Nuk është rastësi që në Shtetet e avancuara perëndimore paguhet tatim nga 42 deri në 52% të të ardhurave (Gjermani, Francë, Suedi) varësisht prej të hyrave, situatës familjare, etj. Edhe ne duhet të vendosim sa më parë një sistem tatimi efikas dhe të drejtë, eventualisht edhe lirimin nga tatimi dhe pagesa e shërbimëve për kategoritë sociale, por kursesi të “lirojmë” nga tatimi dhe obligimi ata që i kanë borxh vendit dhe këtij populli. Mbase kjo edhe atyre u bën dëm se mbyten nga shpejtësia e veturave luksuoze.
Çdo tatim dhe çdo shërbim duhet paguar sipas vlerës së tregut apo tatimit, lirimi duhet bërë vetëm mbi bazën e nevojës për kategoritë e caktuara. Obligimet tatimore nuk ua heqë kontribuesi amerikan, as ai gjerman shqiptarëve arrivistë me mentalitet lindor.
Urojmë që komunat t’i përdorin këto mjete për të përmirésuar shërbimet, numrin e çerdhëve, gjelbrimin dhe gjithçka tjetër publike. Qytetarët tanë e meritojnë!
Urojmë për politika fiskale dhe publike që reduktojnë pabarazitë dhe lirojnë shtresat sociale dhe u mundësojnë të dalin nga gjendja e tyre falë përkrahjes, orientojnë ekonominë; por asnjëher për një Shtet pa tatime që është shtrat i të gjitha dukurive negative dhe ferr për më të varfërit.
Urojmë që shtresat e mesme dhe shërbyesit publik të kenë më shumë të ardhura për të paguar edhe më shumë tatime për vendin. Pagesa e tatimit është dinjitet dhe krenari.
E për ata që nuk janë të gatshëm e nuk paguajnë tatimet më të ulëta në Evropë , të cilat kanë kapacitetin t’i paguajnë, çfarë pritet nga ta? Mos u shtofshin kur nuk i vyen as vendit e komunitetit të tyre! Le të shuhen bashkë me ata politikanë llaskuca që distancohen nga tatimi Shtetëror ashtu siç janë distancuar nga vegjëlia besnike e këtij vendi.
add a comment