Organizata turkomadhe TIKA (agjensi qeveritare e Turqisë) ka nisur në këtë muaj Ramazani një fushatë për shpërndarjen e flamurit dhe ndikimit turk nën pretekstin e shpërndarjes së ca qindra pakove me ushqime në qytete të ndryshme të Kosovës (të stampuara me Flamur turk sa krejt pakoja!). Kësaj fushate më shumë se zyrtarët e TIKA -s po i bëjnë jehonë “influencerat” e rrjeteve shoqërore, njëherazi kryetarë të komunave të mëdha të vendit. Fatkeqësia në këtë mes është promovimi dhe përkrahja që kjo organizatë ka gjetur te disa kryetarë komunash të Kosovës. Njëher Mutaher Haskuka i Prizrenit e tani Shpend Ahmeti i Prishtinës po bëhen pjesë e kësaj fushate duke na i mbushur rrjetet sociale me fotot e flamujve turq që t’i mundësojnë kësaj organizate neootomane një sukses propagandistik shumë të madh, duke paraqitur një “investim” të vockël (mijëra euro!) për ca qytetarë të varfër të këtyre dy qyteteve më të mëdha si një “investim marramendës”!!
Monopolizimi me aktivitete i muajit të Ramazanit nga TIKA me ca “Iftare” të kthyera në shatorre dhe ca pako ushqimore të shpërndara është nëpërkëmbje e dinjitetit të qytetarëve tanë që deryrohen përtej barrës së varfërisë të pranojnë në ambientet e tyre familjare Flamuj të huaj në këmbim të një vakti apo një dite mall ushqimor! Kjo dukuri tregon edhe qyqarllakun e Bashkësisë Islame të Kosovës, që përkundër të hyrave jo të vogla, nuk është në gjendje t’i dedikojë ca mijëra euro për të siguruar pako ushqimore për qytetarët më të varfër, të cilët edhe kanë të drejtë ta gëzojnë një “Iftar” dinjitoz, qoftë duke u dhuruar atyre edhe një pako ditore si TIKA apo qoftë duke organizuar edhe ndihmë gjatë gjithë Ramazanit për ta në këtë muaj që bart vlerat e bashkëvuajtjes dhe ndarjes së të mirave dhe gëzimeve me më të varfërit.
Nuk janë pafaj edhe Qeveritë që kanë menaxhuar me pandeminë, e cila ka shkaktuar një inflacion kaq të madh në çmimet e produkteve ushqimore në vend sa edhe shtresat e mesme zhyten aktualisht në varfëri nga zhvatja e tregtarëve, të cilët paradoksalisht janë ndihmuar më së shumti nga masat qeveritare! Një inflacion i këtillë çuditërisht nuk pasqyrohet vetëm në statistikat zyrtare!
Fushata e kryetarëve të komunave kryesore për një organizatë dhe një Flamur të huaj do të kishte shkaktuar kudo në botë një skandal dhe dënim nga gjithë aktorët e politikës, shoqërisë civile dhe qytetarëve të denjë. Por ja që si intelektualë, si politikanë, si shoqëri civile e si qytetarë kaq vetëdije kemi dhe për kaq pak shitemi te cilido flamur!! Një fushatë e kryetarëve të komunave që na e kujtoj edhe stafetën e Titos që bartej nga qyteti në qytet në gjithë edhe në Kosovë e në Jugosllavi për më pak se tridhjetë ditë për t’iu dorëzuar pastaj diktatorit të egër,Tito, në stadiumin e Beogradit me ceremonira që kanë të ngjarë veç me Koren e Veriut!
Edhe TIKA duket se do kalojë pakot e saj nga qyteti në qytet përgjatë këtij muaji! E gjithë kjo fushatë e TIKA-s dhe përkrahësve të saj vullnetarë në nivel kryetarë komunash na kujtojnë nivelin e ulët të etikës dhe vetdijes politike e kombëtare edhe në nivelet më të larta të përfaqësimit! Njëherazi na kujtojnë edhe nevojën e (ri)organizimit të institucioneve tona të shoqërisë civile, fetare, pushtetit lokal dhe atij qendror për të përkrahur më të varfërit jo vetëm me pako ushqimore ditore, por edhe me përkrahje të vazhdueshme dhe duke disiplinuar edhe tregtarët për të parandaluar kartelet e tregtarëve ushqimor në dëm të konsumatorit shqiptar.
Asnjë shtet në botë nuk lejon një shtet tjetër dhe organizatat hegjemoniste të tij të manipulojnë me qytetarët e tij dhe të shpërndajnë flamuj të huaj në këmbim të ushqimit, duke nëpërkëmbur dinjitetin e qytetarëve dhe duke u imponuar flamur të huaj atyre. Është detyrë e përfaqësuesve tanë të zgjedhur të jenë në nivel përfaqësimi dhe të mos bëhen servilisht pjesë e fushatave propagandistike të vendeve dhe flamujve të huaj…