Shqipëria/Aktualitet

Anton Panchev: “Vijat e kuqe” të DPMNE janë shprehje e arrogancës së politikanëve veriomaqedonas

Reagim në lidhje me deklaratën e propozuar nga DPMNE“Vijat e kuqe”, të paraqitura nga DPMNE dhe të mbështetura nga LSDM, prezantojnë arrogancën e pashterueshme të politikanëve verimaqedonë dhe konfirmojnë edhe një herë qëllimet e tyre që të mos i përmbushin detyrimet që burojnë nga Traktati me Bullgarinë – se mosmarrëveshjet për periudha, ngjarje ose figura historike duhet të zgjidhen mbi bazën e “burimeve historike, të bazuara mbi prova autentike për trajtimin shkencor të ngjarjeve historike” (neni 8, p. 2). Mosrespektimi i traktateve ndërkombëtare, sidomos me një anëtare të BE-së, ka pasoja të qarta për eurointegrimet e Maqedonisë së Veriut. Kërkesat që “të respektohen studimet shkencore maqedonase në lidhje me autoktoninë e popullit maqedonas dhe vazhdimësinë historike, gjuhësore, kulturore. Të respektohen studimet shkencore, sipas të cilave gjuha maqedonase dhe dialektet e saj kanë vazhdimësi hapësinore dhe kohore”, janë në kundërshtim të plotë me të vërtetën historike. “Të respektohen studimet shkencore maqedonase” do të thotë se nuk duhet të respektohen fare studimet e tjera tamam shkencore nga e gjithë Evropa (përfshirë këtu edhe nga shkencëtarë shqiptarë).“Të respektohen studimet shkencore maqedonase” do të thotë se partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut duhet të votojnë dhe të respektojnë edhe këto “arritje” të “studimeve shkencore maqedonase”, që mund të lexohen në librat mësimorë të këtij shteti dhe/ose në monografitë e “akademikëve” maqedonë:- shqiptarët paskan qenë ardhacakë në trojet e Maqedonisë dhe të Kosovës;- shqiptarët paskan qenë “pasardhës” të romëve, turqve (me respekt të plotë ndaj këtyre komuniteteve!);- Skënderbeu dhe familja e tij, Nëna Tereza edhe personalitete të tjera shqiptare paskan qenë me origjinë “maqedone”;- në librat mësimorë në Republikën e Maqedonisë së Veriut e paskan shkruar të vërtetën për shqiptarët në këtë shtet dhe në përgjithësi;- shqiptarët në Jugosllavi qenkan shpërngulur në mënyrë vullnetare drejt Turqisë dhe vendeve të tjera;- UÇK-ja paska qenë organizatë terroriste;- shqiptarët e burgosur në kohën e Jugosllavisë dhe shumë të tjerë pas krijimit të shtetit maqedon paskan qenë “terroristë”;- Kosova dhe Maqedonia e Vardarit paskan lulëzuar nën sundimin serb;- teoritë e Garashaninit, Çubriloviqit, Andriqit paskan qenë programe për paqen e përhershme në Ballkan;- shoku Tito dhe bashkëpunëtorët e tij qenkan kujdesur për përparimin e gjithanshëm të të drejtave të shqiptarëve.Mund të jepen edhe shumë shembuj të tjerë për rrena të ndryshme të kulluara në “studimet shkencore maqedonase”, por me rëndësi është fakti që partitë verimaqedone përmes deklaratës së tyre dëshirojnë të “vulosin” edhe gënjeshtra të tilla antishqiptare, përveç falsifikimeve të historisë bullgare. Përpjekjet e elitës së verimaqedonëve të ndërtojë një identitet të lashtë dhe të lavdishëm, duke u bazuar mbi falsifikime flagrante dhe mbi fyerje ndaj popujve të tjerë në Ballkan, do të sjellë vetëm zhgënjime të reja për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.