Shqipëria/Aktualitet

Ambasadorja amerikane, Kim: Republika e Shqipërisë pas tri vitesh me Gjykatë Kushtetuese. Ky është lajm i rëndësishëm: u plotësua 1 nga 2 kushtet për integrimin e vendit në BE

Menjëherë pasi Kryetari i Republikës, Ilir Meta, nënshkroi emërimin e anëtarit të gjashtë të Gjykatës Kushtetuese, ka ardhur edhe reagimi i Ambasadores amerikane, Yuri Kim.

Kim e quan një lajm të rëndësishëm plotësimin e Kushtetueses, ndërsa shprehet se pasi Përparim Kalo të betohet nesër do të kemi Gjykatën me kuorum. Diplomatja amerikane shkruan po ashtu se merita të mëdha për këtë kanë: Kryetari, KED dhe Kuvendi i Republikës.

Ambasadorja theksoi edhe një herë se ky rezultat vjen si rezultat i veprimit urgjent të marrë nga udhëheqësit në linjë me opinionin e Komisionit të Venedikut.

Me një Gjykatë Kushtetuese funksionale Shqipëria ka plotësuar një nga dy kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE.

POSTIMI I PLOTË I AMBASADORES

LAJM I RËNDËSISHËM. Kryetari Ilir Meta dekretoi Përparim Kalon si gjyqtarin e gjashtë të Gjykatës Kushtetuese. Pasi Kalo të betohet nesër do të kemi kuorumin. Shqipëria do ta mbyllë vitin 2020 me një Gjykatë Kushtetuese Funksionale pas tre vitesh mungesë. Kryetarit, KED-it dhe Parlamentit u shkojnë merita të mëdha.

Kjo është rezultat i veprimeve urgjente të marra nga udhëheqësit në linjë me opinionin Komisionit të Venecias. Me një gjykatë Kushtetuese funksionale, Shqipëria tashmë ka plotësuar një nga dy kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE. Ky është një hap i madh përpara. Urime shqiptarëve! Le të ecim përpara.