QËLLIMI I PRESIONIT NDËRKOMBËTAR, NDIKIMI NË ZGJEDHJET E ARDHSHME
Me 14 shkurt 2021, votuesi shqiptar i Republikës së Kosovës, me të vetmin mjet
demokratik që ka në dorë e që është vota, i dha një përgjigje më të mirë të mundshme
klasës së papërgjegjshme politike që udhëhoqi me shtetin nga dita e shpalljes së
pavarësisë në vitin 2008, duke i dhënë 56% të votave Lëvizjes Vetëvendosje. Në zgjedhje
që janë para nesh, pavarësisht kur do mbahen, duhet dhënë përgjigje të ngjashme apo
edhe më plebishitare faktorit ndërkombëtar, që zakonisht i quajmë dhe konsiderojmë për
“miq ndërkombëtar”, por që për ditë e më pak ju takon ky epitet.
Ata që e kanë lexuar Marrëveshjen e Rambujesë, bashkë me anekse, e dinë se çfarë “të
drejta” ishin të rezervuara për shqiptarët e Kosovës, të cilën me të drejtë e kundërshtoi
simboli i rezistencës sonë, Adem Demaçi. Megjithatë, delegacioni i Kosovës, nga njëra anë
ishte i shtrënguar ta pranoj sepse situata në teren ishte e papërballueshme dhe nga ana
tjetër, ishte e joshur nga premtimi se nëse nuk e pranon edhe Serbia, kjo e fundit do të
bombardohet, siç edhe ndodhi.
Me kalimin e viteve, historia sikur po kthehet mbrapsht. Duket sikur po tentohet të
imponohet kjo marrëveshje e dëmshme për Kosovën, edhe pse ajo ishte e dizajnuar ashtu
që ta gjunjëzoj Serbinë, o me hatër o me luftë. Nëse me hatër, Kosova do mbetej nën
Serbi, me “autonomi substanciale”, nëse me luftë do bëhet shtet. Në ndërkohë, miqtë
tradicional të Serbisë dhe të tjerët që shihnin ndonjë interes nga Serbia, apo thjesht nuk i
duan shqiptarët, filluan të besojnë (apo vetëm shtireshin), se Serbia po demokratizohet,
se po lind një Serbi tjetër. Madje edhe disa publicist shqiptar botuan libra me tituj “Serbia
tjetër”. Para shumë viteve Kadareja iu dha këtyre një përgjigje që nuk e dëgjuan:
“Këmbëngulja për të mos u shkëputur nga thelbi i së keqes, do të çonte, herret a vonë,
te e vërteta e hidhur se nuk kishte dy Serbi, njëra e zezë tjetra rozë, por një Serbi të
vetme, veç me dy maska, të cilat i vinte dhe i hiqte, sipas volisë”.
Dëshmi më të mirë për këtë që e thotë Kadareja nuk ka, sesa vet akti i agresionit që
ndodhi me 24 shtator të vitit të shkuar në veri të Kosovës dhe përsëritja e përditshme e
Vuçiqit se asnjëherë nuk do e pranon pavarësinë e Kosovës, as integritetin e saj territorial,
duke pritur momentin e volitshëm për ta ri-okupuar. Përkundër kësaj, “miqtë tanë”
kërkojnë nga Kosova ti normalizoj raportet me Serbinë, pavarësisht se kjo e fundit bënë
obstruksione tërë kohën dhe refuzon këtë normalizim.
Në rrethanat e reja gjeostrategjike, as ky akt, as këto kërcënime të Serbisë, nuk po e
ndryshojnë qëndrimin e fuqive të mëdha ndaj Kosovës, nga e cila, sikur palë më e dobët,
janë duke kërkuar gjithnjë e më shumë lëshime në favor të Serbisë; edhe pse po
mundohen që këto lëshime t’i paraqesin sikur lëshime ndaj serbëve në Kosovë. Me fjalë
tjera, jo vetëm se është hequr dorë nga gjunjëzimi i Serbisë, por është hequr dorë edhe
nga kërkesa për njohjen “de jure” të Kosovës nga Serbia, që ishte qartë e definuar në
letrën e Presidentit të ShBA, Xhozef Bajden, për t’u zëvendësuar me njohje “de fakto”
sipas marrëveshjes së Ohrit, të cilën Serbia refuzon ta nënshkruaj dhe e shkel përditë. 15
muaj pas marrëveshjes së Ohrit, për ditë e më qartë po kristalizohet qëllimi i saj i fundit:
që Kosova, nëpërmjet presioneve, kushtëzimeve dhe shantazheve të përmbush obligimet
e saj, që nënkupton formimin e “zajednicës” me kompetenca që do e bëjnë Kosovën
jofunksionale, kurse obligimet e Serbisë të mbeten në ndërgjegjen e saj, pa bërë as më të
voglin presion mbi të. Tashmë e parë dhe përjetuar!
Përkundër të gjitha presioneve nga partnerët ndërkombëtar, qeveria aktuale jo vetëm se
po reziston ndaj kërkesave të padrejta, por edhe pa ndalur po shtrin sovranitetin e
munguar në pjesën veriore të Kosovës, ku në mbi 20 vjetët e fundit mbretëronin bandat
kriminale, që merreshin me kultivimin, përpunimin dhe tregtimin e substancave narkotike,
prodhonin bitcoina pa paguar energjinë elektrike, bënin kontrabandë me mallra të Serbisë
me çmime damping duke dëmtuar kështu prodhuesit vendor, shpërlanin para të pista dhe
të gjitha këto nuk mund ti bënin pa partnerët “tanë”. Policia e Kosovës në veri, vetëm
emrin e kishte “e Kosovës”, por urdhëratë i merrte nga Beogradi edhe pse paguhej nga
buxheti i Kosovës; kamerat vëzhguese të instaluara kontrolloheshin nga Beogradi dhe
sistemi i alarmimit po ashtu; zhvilloheshin zgjedhjet serbe sikur të ishte pjesë e Serbisë;
ndërtoheshin lagje të tëra për kolonët serbë kurse nuk lejohej ndërtimi i asnjë shtëpie të
vetme për shqiptarët; funksiononte sistemi ilegal financiar dhe i pagesave; përdoreshin
dokumente dhe targa ilegale për vetura dhe shumë veprimtari tjera kriminale që nuk
mund as ti imagjinojmë. Këtë pjesë dikush e quante tokë e askujt, tjetri se ishte dhuratë e
Rankoviqit. Të gjitha korrigjime që u bënë në 3-4 vitet e fundit, u bënë edhe nën presionin
e opozitës dhe shumicës së mediumeve të lira për shpifje, gënjeshtra dhe gjysmë të
vërteta, nën akuza për prishje të raporteve me “miqtë ndërkombëtar”, sepse qeveria po
ndërmerr veprime pa u koordinuar me ata dhe po rrezikon stabilitetin në veri!
Në këto rrethana, Qeveria e Kosovës dhe sidomos Kryeministri Albin Kurti janë dhe do të
mbesin nën presion të vazhdueshëm nga të gjitha anët. Nuk përjashtohet presioni as nga
ai që gjenocidin në Kosovë e quajti “rrëmujë” apo nga tjetri që thoshte se nuk ka kuptim
të ndiqet dikush për krime lufte pas 25 vjetësh të kaluara nga lufta. Ky presion do të ritet
edhe më shumë para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, që tashmë janë në horizont. Të
shpresojmë se ky presion të mbetet vetëm verbal, por nuk përjashtohet as ndonjë masë
ndëshkuese, para së gjithash ekonomike apo politike, siç ishte mos-përfshirja në rendin e
ditës diskutimi për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Rritja e këtij presioni ka për
qëllim minimizimin e fitores të Lëvizjes Vetëvendosje, që do rezultonte edhe me dobësimin
e aftësisë për rezistencë të qeverisë së ardhshme, ndaj kërkesave të padrejta, tashmë të
njohura. Ndryshimi i fuqisë të forcave politike brenda Kosovës, është e vetmja shpresë për
të gjithë ata që nuk ia duan të mirën Kosovës dhe që sot ushtrojnë presion mbi të.
Prandaj, edhe njëherë, votuesit duhet të tregojnë zgjuarsi dhe të votojnë për ata që në të
kaluarën treguan vendosmëri, qëndrueshmëri dhe guxim dhe kështu të tregojnë se edhe
vet ata janë të vendosur ta mbrojnë integritetin territorial dhe funksionalitetin e shtetit të
vet. Vetëm me një fitore plebishitare të tyre, do ulen presionet nga të gjitha anët dhe do
minimizohen dëmet, tashmë të shkaktuara në dy dekadat e fundit.