Këta të ashtuquajtur kozmopolitë, të cilët e përligjin dashurinë e tyre për atdheun nëpërmjet dashurisë për racën njerëzore, mburren së thëni se i duan të gjithë, në mënyrë që të kenë të drejtën për të mos dashur askënd. (…) A duam ne që popujt të jenë të virtytshëm? Le të fillojmë t’i bëjmë ata të duan atdheun. – Jean-Jacques Rousseau “Discours sur l’économie politique” (1755)
Sakaq më erdhën nëpër mend të gjithë ata që janë mjeshtër në bartjen e ndjesive të shenjta te qeniet e vdekshme, poetët. I pari më erdhi ndërmend Londo, Atdheu i të cilit s’ishte sa sediljet e makinave të njerëzve pa meritë që flisnin në emër të Atdheut. Më pas, jo me më pak peshë, m’u kujtua Kuteli, që mësonte fëmijët e tij ta duan Atdheun edhe kur ai i vret. Testamenti i tij duhet të jetë testament mbarëkombëtar. Podrimja, që zgjodhi të vdiste në vendvdekjen e birit të tij e pagëzoi Atdheun – gjaku i tij që nuk falet. Andaj ne, të gjithë së bashku, s’e falëm Kosovën. Vargje që pambarimisht stisën veten tonë kolektive dhe e mbajtën gjallë “bashkësinë tonë imagjinare”, e cila ndryshe nga koncepti tradicional i Benedikt Andersonit, është e pakufizuar.
Kufijtë e kombit tonë, për dallim nga ato të kombeve të tjera të cilat gjenden cepave të atdheut, janë mes nesh, ngado që ec brenda një dite. Aq shpesh i has, sa që mund të marrësh thua në ta. Mund t’i gjesh rrugës për në punë, kur shkon për të parë një operë a një shfaqje teatri në gjuhën tënde, kur ikën për të blerë një libër apo thjesht kur je i ftuar te fqinji që ta pish kafenë e mëngjesit, një të diele.
Atdheu ynë s’është shteti më i fuqishëm i botës, as më i pasuri. Atdhetë e tillë është e lehtë për t’i dashur. Ata të ofrojnë gjithçka, mendojnë për ty, për mirëqenien tënde e të familjes, si të ta bëjnë jetën e lehtë, të lumtur…. Ndërkaq ti s’lodh kokën për gjë. Detyra jote është vetëm të jetosh. Sa e lehtë është të duash një atdhe të tillë.
Atdheu ynë është vogëlak, po aq sa lagjet e shkreta e të djerra siberiane, ku ka më shumë tokë se frymë. Ai është i varfër. Ai kurrë s’ka sunduar toka që s’i takojnë, e as ka shfrytëzuar fuqinë njerëzore të fqinjëve apo të tjerëve për përshtrirjen e vet. Po t’i krahasonim atdhetë me qeniet njerëzore, Atdheu ynë do të ishte një burrë i ndershëm e me dinjitet. Mund të ishte dhe një grua, fare pak rëndësi ka, përveç që do quhej Mëmëdhe, një grua e denjë të qëndrojë e papërkulur e t’ia dalë mbanë në këtë botë burrash.
Miliona njerëz në botë s’kanë parë kurrë në jetën e tyre një anije të lundrojë në Atdhetë e tyre. Madje ata kurrë s’kanë njohur peshkatarë që flasin në gjuhën e tyre amtare. Si harruam kështu të shohim anët më të ndritura të Atdheut tonë, ashtu siç na mësonte Naimi.