Meri Mezini hap debat me librin “Dua ta gris lëkurën time”.
Albert Z. ZHOLI
Shkrimtar-publicist
Tashmë kemi në duar një libër të ri të autores Meri Mezini. Një libër me poezi ku tematika, vargu, figurat letrare, dialogu, përshkrimi, detajet, mendimi, idetë, kanë një pozicion dhe përjetim tipik në funksion të problematikës së shoqërisë shqiptare. Pas këtyre viteve me penë në dorë, Meri, tashmë është një zë në letërsinë shqipe. Një zë jo fragmentar, jo pa gjurmë, përkundrazi një krijuese që për mëse 15 vjet shkruan, krijon, analizon dhe përcjell një lloj fryme proteste ndaj problemeve të shoqërisë. Me këtë libër poetik të shkruar me një ndjesi shpirtëore admiruse, autorja ka vërtetuar se ka për zemër jo vetëm prozën, të cilën e ka konfirmuar me tre librat e saj shkruar aq bukur me histori e ngjarje të vërteta nga jeta, por po kaq për zemër ka dhe poezinë. Libri me poezi vjen si një vegim i ri, me ndjesi të sinqerta ku lë gjurmët artistike pas librave me prozë “Dashuritë e humbura të një gruaje”, “Dhe i vdekur shpirti flet”, “Djali që urrente femrat” dhe libri me të cilin edhe fitoi çmimin “AMBASSADOR FOR PEACE”, “Dielli brenda burgut tim”.
Në këtë libër e veçanta e autores është se vargun e mbështet mbi ngjarje reale, të jetuara, ku ajo është “detyruar” si intelektuale e përgjegjëshme të hedh në letër ato situata të befasishme, që kanë tronditur botën e saj të brendshme. Vetë pozicioni dhe profesioni i saj, e kanë bërë atë më të ndjeshme, më të dhimbshme, më të sakrifikuar dhe më të përgjegjshme mbi problemet sociale që po kalon shoqëria sot. Për çdo police, një njgarje në burgje duket e zakonshme, por autorja është peote dhe në çdo ngjarje, shikon të jashtëzakonshmen, specifiken, atë që e dallon nga përditshmëria në rrugët e jetës. Në këtë tematikë plot jetë ajo qëmton, zhbiron, kontrollon, kërkon, atë që syri i zakonshëm e quan rutinë, por për poeten është një tematikë që jo çdo krijues mund ta has, apo ta përcjellë në vargje. Në poezinë e saj ka dhimbje, pabesi, intriga, mosmirënjohje, dyzim, situata befasuse, lot, tronditje, habi, gëzim të pjesshëm, dhe segmente jetësore që çdo krijues i kërkon, por jeta nuk ua ka dhënë këtë mundësi ti njohin. Shumë poezi të këtij libri janë ndërtuar mbi ngjarje reale nga jeta e djemve dhe vajzave në burgjet shqiptare (pasi ajo është autore dhe njëkohësisht punonjëse policie) dhe që kanë një timbër dramatik, të përcjellë mjeshtërisht me penë duke ofruar një krijim plot elegancë. Në këtë libër autorja me poezitë e saj të shkruara me një frymë lirike të thjeshtë e të kuptueshme nga ç’do lexues, do të tregojë vërtetësinë e asaj që ajo prek dhe një preceptim ndryshe që tejkalon fasadën. Një nga poezitë e saj që të rrënqeth, të drithëron nga tematika dhe mënyra e ndërtimit është ajo ku, autorja me lirshmërinë e saj rrebeluese na zhyt vetëtimthi brenda shpirtit të një gruaje të dashuruar, të një gruaje të dhunuar që duron vuajtjet, brenda shpirtit të një nëne, dhe pse është braktisur nga vet biri i saj. Duke qenë nënë, motër, grua, vjehrrë, autorja pa limite ka ndërhyrë dhe stigmatizuar në mënyrën më delikate, problemet e gruas, shqetësimet, vuajtjet, dhunën, brengat, dashuritë e tardhëtuara, ëndrrat e parealizuara, heroizmat, sakrificat, vizionet e saj, vegimet dhe nëpërkëmbjet e pamerituara. Në disa poezi problemin e gruas poetja e ka si një udhërrëfyese dhe detyrim shpirtëror për ta çuar figurën e saj në vendin që i takon në shoqëri. Dhe këtë kërkesë ndaj vetes, autorja nuk e merr si sentimentalizëm duke qenë vetë femër, por si një obligim qytetar, intelektual dhe kërkesë të domosdoshme të një vendi të qytetëruar. Ndaj, ajo nuk hesht, nuk qëndron indiferente ndaj këtyre problemeve, por me frymën e protestës me vargun e saj plot ndjenjë, ajo fshikullon ç’do padrejtësi që i bëhet femrës në ditët tona. Me një varg elegant, të lëmuar dhe plot figuracion autorja me vargjet e saj bëhet frymëzim për ç’do grua duke u dhënë shpresë për një jetë të bukur, pa dhunë, prapaskena, pranga e brenga… Por një nga poezitë që më ka bërë përshtypje po e veçoj:
TË KËRKON ZEMRA E MOTRËS
Oh, sa mall më dhemb shpirti,
shtëpitë bosh nuk ka njeri.
Prindërit unë i puth në varre,
vëllezërit vite në Greqi.
Më kap ankthi portat mbyllur,
qeni s’leh më në oborr.
Kjo heshtje të vret shpirtin,
unë kur shkoj, i qaj me lot.
Kthehu vëlla në derën tënde,
të kërkon zemra e motrës.
Derën kur e gjejë të kyçur,
më duket si fundi botës.
Mërgimi! Kjo plagë e madhe e shoqërisë shqiptare. Mërgim do të thotë, lot, brengë, vuajtje, sakrifica, pagjumësi, punë ditë e natë, dëshpërim, ankth, dhe mall shumë mall. Për njeriun e mërguar, malli është vuatje, dhimbje, që të lë pagjumë, pa ëndrra, mes errësirës së pafundme të pamatshme të së panjohurës. Shpirt-malli, jo rrallë të jep stres, pasiguri. Çdo shqiptar sot në këtë botë ka një nënë, një baba, një motër, një vëlla, një xhaxha, një mik, shok në emigracion. Të gjithë ndjejmë një dhembje për ta, ndjejmë një brengë. Ikën për një jetë më të mirë. Ikën për të gjetur parajsën. Ikën dhe lanë vatrat bosh, fshatrat pa njerëz, toka pa punuar. Edhe autorja ka vëllanë në emigracion….Një dhembje e madhe për të. Ikjen e tij e shikon si shkëputje nga atdheu, nga vendlindja, nga shtëpia e prindërve, nga të afërmit, nga dashuria e pemës dhe lules. Pa vëllanë shtëpia e prindërve duket bosh. Jeta në atdhe për autoren është e bukur, por, pa vëllanë çdo gjë i duket e shkretë. Nuk ka gjë më të vështirë, se sa malli për vëllanë dhe shtëpinë ku u lindën dhe rritën. Tek autorja zëri zemrës thërret nga malli për të afërmit, malli për festat dhe dasmat, malli për varret e për çka tjetër ka lënë pas. Një poezi që të huton por dhe të qartëson. Në tërësi gjithë poezitë e këtij libri kanë fabula të përzgjedhura dhe me mesazh njerëzor të idealizuar. Estetikisht ky libër ka një stil lakonik të veçantë. Autorja ka ditur të stilizojë në mënyrën e saj vargun duke i dhënë autencitet vetjak, duke anashkaluar vargun e përgjithshëm dhe rutinor. Figuracioni artistik ka një lakueshmëri solide që e bën atë të dashur, për vetë inutuitën që ka ajo në specifikën e ndërtimit të lëndës. Më këtë libër Meri ka ardhur para lexuesit e sigurt, e vëmendëshme, me pjekuri letrare, me harmonizim tematikash dhe me ylberizim mendimesh të spërkatura me vesë vendlindjeje.