Flet tregimtari Niko Gjoni: “Mulliri i vjetër” më përcjell Ismail Kadarenë kur ishte në Francë, i cili pinte kafe gjithmonë në një lokal të tillë
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Nikua ka lindur dhe është rritur në Tiranë dhe pse me origjinë është nga Tepelena. Ka një jetë mjaft aktive në letërsi, por dhe njohje të shumta në rrethet e krijuesve… Së fundmi ai ka botuar vëllimin e ri me tregime “Te mulliri i vjetër” është një sfidë e re për të kaluar nga njëri tregim tek tjetri para lexuesit. Shumë tregime janë shkruar në vetën e parë dhe për një moment lexuesi ndjen se është brenda subjektit. Kjo mënyrë rrëfimi të sjell ndër mend prozën e Umberto Eco-s por dhe të tregimtarëve, apo shkrimtarëve shqiptarë: Nasi Lera, Shefqet Tigani, etj.. Ngjarjet dhe konkretisht temat vendosen në vitet pas rënies së sistemit monist dhe ndryshimit të sistemit politik, ekonomisë së tregut, pra formimit të shtetit demokratik në vend. Qëndresa njerëzore për të mposhtur vështirësitë e jetës trajtohet me një kompozim të thjeshtë e real nëpërmjet personazheve të tipave e moshave të ndryshme. Shumë herë tregimet marrin trajtën e një proze poetike të mbushur me metafora, epitete e krahasime që të bëjnë ta lexosh me dëshirë tregimin dhe të bëhesh krah me personazhet. Janë mbresëlënëse hollësitë e përshkrimeve në tregimet “Te mulliri i vjetër”, “Papagalli parashikues”, “Gruaja kërkon lekë”, “75 vjeçare e vetmuar”, “Vajza kërkon tapa”,”Unë jam babai”, “Dua të bëhen si Bujari”, etj… Por jeta e tij më interesante ka qenë në sistemin monist për vetë banesën ku ka banuar në atë sistem, banesë për të cilën mund të quhet i privilegjuar dhe që ka bërë të njohë shumë personalitete të atij sistemi.
-Ju keni lindur në Tiranë. Madje thuajse në qendër. Si do ta përshkruani banesën tuaj?
Jam me fat që kam lindur në një vilë trekatëshe në Tiranë. Qysh nga pamja e jashtme të jipte përshtypjen se ishte një ndërtesë moderne, ndërsa brenda saj i gjithë ambienti kishte kushte speciale jetese për kohën. Të rralla ishin banesat me banjo të madhe sa një dhomë me vaskë, bide, lavaman, skaldabanjo prej bronxi dhe gjatë gjithë ditës ujë të ngrohtë. Dhomat me parket dhe me pamje nga dielli. Para vilës ishte një oborr i madh, i rrethuar me mur dhe me portë të madhe ku mbyllej ky oborr. Në oborr syri të kapte çdo stinë gjelbërim. Lule të shumta dhe pemë dekorative, rreth e qark vilës dhe pa asnjë ndryshim kushdo që e shikonte thoshte se kjo vilë ishte si ato të Bllokut. Në këtë vilë banonin ushtarakë të lartë, shkrimtarë, përkthyesa dhe historianë.
Po në krah të vilës tonë, ishte një tjetër vilë shumë afër ku një mur na ndante. Aty banonin ushtarakë të lartë nga Ministria e Mbrojtjes, e po në krahun tjetër një vilë pothuajse e të njëjtit projekt banohesh nga një familje e Heroit të Popullit. Pas tyre ishte një shtëpi njëkatëshe dhe ajo me oborr të gjërë mbushur me lule dhe pemë ku banonte një familje dëshmori ku ne shkonin çdo vit më 5 Maj.
-Në banesën tuaj si vilë, a kishte ndonjë shkrimtar që banonte dhe që të ka tërhequr vëmendjen?
Në vitet e hershme të fëmijërisë, një kat poshtë nesh banonte shkrimtari Aleks Çaçi, shkrimtar i dëgjuar. Ishte një burrë serioz, i folur me të gjithë ne, po veçanërisht me babain tim. Ata ishin pothuajse moshatarë dhe të dy flisnin mirë greqishten, mbasi kishin qënë shkolluar në Greqi. Kishte tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë, të tre të sjellshëm e të ditur. Mamaja e tyre ishte mësuese e ciklit të ulët. Një grua e qetë dhe e matur që njihej nga brezi i asaj periudhe ku kish kaluar ndër vite dhjetra nxënës. Në shtëpinë e tyre gjeje libra nga më të ndryshmit. Ne shkëmbenim librat me njëri tjetrin për t’i lexuar. Kur rrëmbeheshim me lojra apo diskutime me zë të lartë, shkrimtari na vështronte me radhë dhe thosh:” Po bëni zhurmë dhe unë po shkruaj, por nuk tha kurrë pushoni, ndërprisni diskutimet. Kur ne si shokë mblidheshim dhe loznim në shtëpinë time, pothuajse tundej e gjithë shtëpia se ishte me parket dhe jo me beton. Ndihej zhurma sikur binte tërmet. Kur ankohej ndonjë nga banorët shkrimtari thosh: -Fëmijë janë, duan dhe të lozin dhe ne do i durojmë. Do rriten dhe do lënë mënjanë çapkënllëqet…
Afër nesh banonte dhe dajë Ferik Lizaj dhe nipi i tij Lirim Deda që ish ushtarak. Banonin më vehte secili. Ishin nga Tepelena. Lirimi punonte në Ministrinë e Mbrojtjes, kish botuar disa libra dhe punonte si gazetar. U lidha më ngushtë me Ferikun, sepse duke qënë i vetmuar i bëja me dëshirë shoqëri. Ai kishte një bibliotekë të madhe, me shumë libra me autor kryesisht të huaj. Mbasi mbaroja së lëxuari një libër dhe shkoja për të marrë një libër tjetër, ai më pyeste për mbresat e personazheve të librit, për idetë e hedhura nga autori deri tek përshkrimet e përdoruara për të krijuar tabllo frymëzimi në parafytyrimin tim. Ndonjëherë dhe bënte vërejtje duke më kërkuar ta lexoja me vëmëndje dhe kujdes çdo paragraf. Më dukej vetja sikur jepja provim para poetit Ferik Lizaj. Mbasi lexova librin “Shpartallimi” të shkrimtarit rus Fadajev, m’u dha rasti të diskutoja për të me shkrimtarët dhe poetët Fatos Arapi dhe Xhevahir Spahiu. Dhe nga ana e tyre ky shkrimtar ishte shumë i pëlqyer.
-Kush ishte tema e bisedës? Çfarë të thanë krijuesit e talentuar? A treguan afrimitet?
-Ke provuar të shkruash, ndonjë poezi, skicë apo tregim?,- më pyeti shkrimtari Fatos Arapi. Mbeta një çast pa i dhënë përgjigje. Deri atëhere dallohesha për hartimet në shkollë, punën politike në ushtri në temat e të cilave ndihmoja duke shkruajtur bashkë me komisarin. E më pas ndihmoja të rinj në bërjen e hartimeve dhe ata mbeteshin aty pas dere mbasi vlerësoheshin me notën maksimale. Një ditë mësuesi i letërsisë duke shpërndarë fletoret e hartimit i tha djalit të një oficeri: -Për këtë hartim ke patur ndihmën e një shkrimtari…
-Po më ka ndihmuar një komshi, që lexon shumë libra dhe shkruan bukur…
-Të kuptoj. Nëse nuk është shkrimtar një ditë do të jetë shkrimtar i mirë…
-Pra që në shkollë 8-vjeçare ju u lidhët me librin. Po banorët e tjerë të vilave a ishin dashuruar me librin? Ndonjë ngjarje që të ka ngelur në kujtesë?
Në familjet tona dhe kur takoheshim me komshinjtë flisnim për librat që kishim lexuar dhe tregonim për librat më të rinj që kishim blerë kohët e fundit. Leximi i librave në mënyrë të përhershme ndihmon dhe nxit fantazinë dhe dëshirën për të krijuar. Për periudhën që jetonim në këto vila të afërta me njëra-tjetrën dhe ne banorët e tyre ishim në një miqësi të vërtetë, si në një kolegj ku nuk mungonin profesorët shumë të pregatitur. Kjo bënte që dhe në shkollë të dallonim në orën letrare dhe hartime dhe profesori i letërsisë të thoshte: “ Këta janë fëmijët e rritur në ato vila ku ka shumë shkrimtarë e intelektualë që e duan librin.
Në shumë vite ne u rritëm aty, në ato vila dhe në atë ambjent të këndshëm. Nga fëmijë, të rinj, të dashuruar dhe krijuam familjet tona. Ditën e martesës time ndodhi ndarja nga jeta e shkrimtarit Aleks Çaçi dhe menjëherë në shtëpinë tonë mbretëroi qetësia. Ai gëzimi ynë për një çast veshi vellon e hirtë të ndarjes nga jeta të atij njeriu te shkrimtari të mrekullueshëm me të cilin kishim ndarë momente të mira e të këqia në jetë. Në shtëpi nuk u hap as radio, as televizor, dhe kënga u pre në mes. Një kat më poshtë kish ndodhur fatkeqësia. Siç ishim vazhduam ritualin e dasmës tek lokali për të festuar. Njeriu një herë martohet dhe ashtu siç thonë, i gjalli me të gjallë, i vdekuri me të vdekur. Kujtimet nga viti në vit ngjiteshin në memorjen time dhe mes tyre shkrimtari, që nuk ua prishte qejfin fëmijëve.
Fëmijët e familjeve që banonin në ato vila u rritën, u shkolluan, u martuan duke qënë më pas profesionalistë të zotë e qytetarë të nderuar.
-Po me ardhjen e demokarcisë çfarë u bë me vilat ku jetonit?
Në vitin 2000 vilat iu rikthyen ish pronarëve dhe ne u sistemuam në apartamente, por kudo ku ishim takoheshim dhe ende takohemi me njëri-tjetrin me mall duke na ndjekur pas me nostalgji kujtimet. Ne si familje u sistemuam në një apartament të bollshëm ngaqë djali i pronarit ishte shok me Vojon, kunatin tim. Në përfundim të ndërtimit të pallatit apartamenti u bë i yni. E komoduam me gjithçka që duhet për t’u bërë sa më funksional, por dhe me ambjente të këndshme.
Dhe në këtë pallat mësuam se banonin familje të dëgjuara me emër. Një kat poshtë nesh banonte shkrimtari ynë i spikatur Dritëro Agolli. Duhet të mos bënim zhurmë dhe as të trokisnin takat e këpucëve të sime shoqe, sepse shkrimtari punonte deri vonë në kompjutër dhe zhurma në raste frymëzimi është shqetësim. Një banor i pallatit më tha se ditën e diel ne si burra të këtij pallati do të takohemi tek pista. Do të njihemi me njëri-tjetrin dhe aty do të jetë mes nesh dhe shkrimtari Dritëro Agolli. Ishte qershor dhe ndihej i nxehti. U vesha me pantallona të shkurtra, syze dielli, mora me vete syzet optike sigurisht dhe lekë që duhen në raste të tilla. Kur iu afrova pistës, të gjithë u ngritën në këmbë dhe po më takonin duke u prezantuar. Isha para Dritëroit kur ai më pyeti se ku banoja.
Një kat më lart se ju, i thashë. Mbase duhen ndërruar katet, ju më lart e ne më posht, dhe qesha. Qeshën të gjithë me këto fjalë. Edhe Dritëroi vuri buzën në gaz. Një nga të njohurit e mi iu drejtua Dritëroit duke i thënë: -Zotëria është shkrimtar. Ka botuar disa libra.Tregime, romane…
Dritëroi më uroi dhe duke zgjatur gotën me raki e trokiti atë me mua dhe të pranishmit duke më thënë se tani mund të takoheshin më shpesh. Dritëroi filloi të tregojë episode të ndryshme nga jeta e tij si gazetar e shkrimtar. Ato që tregonte kishin sensin e tyre të humorit dhe kjo bëri të gjallërohej edhe më shumë ambjenti rreth asaj piste. Pasi kish pirë dy -tre goda raki nisa dhe unë të them se që kur kam lindur kam banuar në vila ku kishte familje të shkrimtarëve dhe artistëve. Linda aty dhe u rrita mes shkrimtarëve…
-Ndryshe nuk do të kishim shkrimtar, tha burri që qëndronte në krah të Dritëroit. Kjo do të thotë që ne banorët e këtij pallati qënkemi me fat. Tek fytyrat e të pranishmëve po përhapej buzëqeshja dhe sytë e tyre flisnin shumë. Sëbashku do dinim të kishim harmoni në vazhdimësi mes njëri-tjetrit, po kështu si ne dhe fëmijët tanë.
-Po me librin ‘Mulliri i vjetër” çfarë mesazhi doni të përcillni?
Sa herë shkoj tek ai lokal më kujtohet shkrimtari ynë Ismail Kadare kur ishte në Francë. Pinte kafen e mëngjesit aty afër shtëpisë së tij, në një kafene. Nxirrte nga çanta letër të bardhë dhe në dorë mbante stilolaps me ngjyrë të kuqe. Këto momente i kam parë në një dokumentar që është realizuar për jetën dhe veprimtarinë e shkrimtarit të njohur dhënë nga TVSH. Dhe tek kafe “Mulliri i vjetër” është pothuajse i njëjti ambjent. Aty siç më thanë punonjëset, që shërbejnë qysh në ditët e para që u hap Kafe “Mulliri i Vjetër” shkrimtarë, jo vetëm nga Tirana sollën libra të tyre dhe i pasuruan raftet ditë pas dite. Këtu vura re se kishin sjellë libra nga krijimtaria e tyre shkrimtarët, si Todi dhe Kiçua, por dhe shkrimtari shumë i pëlqyer nga unë Koço Kosta. Dhe dy vëllezërit e kancelarisë të kësaj rruge sollën shumë libra duke menduar se jepet mundësia për të dhënë dhe marrë të tjerë libra për të lexuar. Pronarit të kafe “Mulliri i vjetër” iu desh të shtojë raftet e bibliotekës duke i sistemuar në autorë të huaj dhe të vendit, prozë apo poezi, libra politik, social, shoqëror apo shkencor, deri tek libra kuzhine.