Portreti/intervista

Albert Z. Zholi: Vani Bojdani, intelektuali që ndoqi gjurmët e babait, Todo Bojdani që mori në dorëzim Radio Tiranën në 1944

Vani Bojdani, intelektuali që ndoqi gjurmët e babait, Todo Bojdani që mori në dorëzim Radio Tiranën në 1944

  Pak kohë më parë u nda befasisht nga jeta njeriu i mirë, inxhinieri i aftë dhe biznesmeni i suksesshëm Jovan Bojdani. Një njeri që i kishte të shenjta familjen, punën dhe shoqërine.U largua nga kjo botë krejt befasisht, duke lënë në hidhërim të thellë bashkëshorten Teuta, që i qëndroi gjithmonë pranë me përkushtim të pashoq,  fëmijët Kristi e Jona që i deshi pa fund, të afërmit dhe gjithë shokët, miqtë e kolegët e tij të shumtë, të jetës e të punës.
Po kush është Jovan Bojdani? Ai është djali i Todo Bojdanit, njeriut që ideoi rrëmbimin e pajisjeve të Radio-Korçës gjatë pushtimit nazist, njeriut që ideoi e realizoi bashkë me shokët e vet sistemin e radiondërlidhjes së ushtrisë partizane Nacional-Clirimtare, njeriut që tha i pari “Ju flet Tirana..” në mikrofonin e Radio-Tiranës, në emër të çlirimtarëve të Tiranës e të gjithë Shqipërisë. Aq njerëzor dhe plot respekt për traditën familjare dhe veprën e të atit ishte Jovani, sa që krahas gjithë punëve të tjera, iu përkushtua për vite të tëra, bashkë me shoqen e tij të jetës, Teuta Preza Bojdanin, dokumentimit të plotë të veprës së Todo Bojdanit dhe gjithë prejardhjes e vazhdimësisë familjare, në formën e një monografie, që fatmirësisht u botua e ribotua në kohë.
Jovan Bojdani ka staturë të lart në rradhë të parë si individ I mbushur me humanizëm, plot sharm dhe tolerance, urtësi dhe vendosmëri për tu shkuar punëve deri në fund. Lindur dhe rritur në Tiranë, ai kreu  shkollën e mesme ‘Politeknikumi 7 Nnëntori’ sot “ Harry Ffulz” për radioteknik nga viti 1970 – 1974. Gjatë periudhës 1975 – 1977 kreu shërbimin ushtarak pranë repartit të Ndërlidhjes, ku, ndër të tjera, u shqua edhe për aftësinë e jashtëzakonshme në dhënie&marrjen e kodeve të radiondërlidhjes. Më pas mbaroi studimet e larta për inxhinieri elektrike 1980 – 1985, në Universitetin e Tiranës. Për vite me radhë   punoi pranë  Laboratorit Qendror të Radios, ku gjithashtu u shqua për aftësitë e tij profesionale, ndershmërinë dhe natyrën shoqërore e mirëkuptuese në marrëdhëniet me kolegët e tij. Mençuria, aftësitë profesionale, vendosmëria, fuqia argumentuese me qartësi dhe qetësi në komunikimin me të tjerët, ishin ndër tiparet kryesore të Jovanit (apo Vanit, siç e thërrisnin me dashuri e respekt të gjithë familjarët dhe miqtë e tij), që i mundësuan atij të krijonte nga e para,  duke bashkëpunuar me njerëz të afërt e të besuar, një aktivitet ekonomik të suksesshëm që morri formën e kompanisë BNT-Electronics. Në cilësinë e CEO të kësaj kompanie, Vani, si njeri vizionar që ishte,  e drejtoi atë me sukses që nga krijimi  saj në vitin 1994 e deri në ditën e fundit të jetës së tij. Ai e  zgjeroi e pasuroi veprimtarinë e saj duke kapërcyer çdo pengesë, objektive apo të sajuar, të ndeshur gjatë gjithë këtyre viteve. Kushdo që punoi me Vanin është dëshmitar i cilësive të tij profesionale, drejtuese e njerëzore.
Në botën e sotme shoqëria ndikohet shumë nga njerëzit që kanë  të gjitha elementët e qytetëruar të një individi të gjithëformuar. Dhe një model i shkëlqyer për shoqërinë shqiptare do të jetë Vani Bojdani. I thjeshtë, i dashur, korrekt, i ditur, vizionar, i qetë, me kulturë, pa mllefe, mirënjohës deri në kufijtë e të pabesueshmes. Vani do mbetet ai model që i mungon shoqërisë sonë të sotme ku xhelozia, etja për para të pamerituara, intrigat, mosmirënjohja, fyerjet e të tjera si këto  janë bërë fjala e parë në rrugë, në punë, në shoqëri,…Një fjalë e urtë thotë “ se figura e një njeriu merr vlera reale në respektin që tregon ndaj prindërve”. Nga puna e Vanit për të shprehur nderimin e tij ndaj veprës së babait të tij, radiondërlidhësit të famshëm Todo Bojdani, gjë që e përmenda të parën që në hyrje të këtij shkrimi,  mësova se sa borxhli jam unë ndaj prindërve të mi. Jovani, i mbështetur fort në çdo hap nga bashkëshortja e tij Teuta, punoi me mua dhe Sulejman Bashën 6 vjet resht për librin monografik të babait të tij. Punoi me përkushtim, seriozitet, pa u lodhur sikur të ishte një shkrimtar.
Todo la tek Vani gjithë personalitetin e tij idealist. Babai Todo Bojdani dhe i biri Vani Bojdani dëshmojnë vlerat më të larta njerëzore. Kjo trashëgimi e tyre  lartësohet edhe më shumë në sytë e mi kur kur sjell ndër mend historinë e trishtë ku djali i mbrapshtë i thotë babait: “Baba, unë u bëra mbret! As tani nuk do më vlerësosh?! Babai që nuk përputhej me mënyrën e marrjes së pushtetit, rrugët e ndjekura për pushtet, mos marrja në konsideratë e fjalëve të tij, për sjelljen dhe virtytet njerëzore i thotë: Bir, u bëre mbret, por nuk je Njeri! Mbret edhe mund të bëhesh me lloj lloj formash, por të qënit njeri ka një formë, atë të mishërimit me vlerat më të larta njerëzore“.
Sot në përditshëmri njohim dy kategori njerëzish, ata që bëjnë shumë zhurmë, dhe aspak punë dhe ata që bëjnë shumë punë, rrinë në heshtje, por lënë gjurmë. Dhe Vani bën pjesë në njerëzit e punës dhe të heshtur. Njeriu që lë gjurmë mirret si etalon njerëzor. Ndaj thuhet se bota u takon atyre që lënë gjurmë dhe jo njerëzve që bëjnë zhurmë.
Vani iku duke lënë gjurmë të thella edhe te miqtë e shokët. Këto ditë unë pashë njerëz të thjeshtë, punëtorë, teknikë, intelektualë me shumë emër, të të gjitha shtresave të shoqërisë, që i gjenin fjalët e arta të zemrës për të shprehur dhimbjen e madhe. Një dhimbje që na mëson se përse vlerësohet në këtë botën e sotme katrahurë, njeriu i ndershëm, mirënjohës dhe i gjindshëm për çdo kënd. Për ne Vani do mbetet shëmbëlltyra e familjarit, profesionistit, mikut e shokut me vlerat më të larta njerëzore.