Portreti/intervista

Albert Z. Zholi: Niveli i lartë i nitrateve kryesisht tek pjeprat dhe shalqinjtë problem shqetësues për gjithë shoqërinë (Flasin Prof. Lush Susaj dhe specialisti Haxhi Balla)

Flasin Prof Lush Susaj dhe specialisti Haxhi Balla: Ky nivel nga 90 miligramë për kilogramë i nitrateve varion nga 540 deri në 850.

– Niveli i lartë i nitrateve kryesisht tek pjeprat dhe shalqinjtë problem shqetësues për gjithë shoqërinë.

-Të gjitha fondet e bujqësisë i marrin OJF e shokëve të klaneve nepotike të pushtetarëve.

-Niveli i lartë buron nga përdorimi i lartë e pa kriter i plehut azotik (Uresë dhe Nitratit).

Albert Z. ZHOLI

Këto ditë në shumë media është bërë publike niveli i lartë i nitrateve kryesisht tek pjeprat dhe shalqinjtë. Një problem që ka ngjallur debate mes shumë  institucioneve dhe opinionit të gjerë. Sipas shumë specialistëve niveli i lejuar i nitrateve tek pjepri duhet deri në 90 miligramë për kilogramë. Por në të gjitha matjet e kryera me një paisje të posaçme të certifikuar ndërkombëtarisht, në katër tregje të Tiranës, ky nivel varioi nga 540 deri në 850. Nga vjen ky nivel skandaloz i nitrateve tek këto produkte? Disa media për të qenë të saktë në përcaktim ju drejtuan edhe ISUV për të saktësuar rezultatin që doli nga testimi paraprak. Por ISUV ju shmangë përgjegjësinë duke theksuar se “pjepri nuk është në listën e analizave që duhet të kryhen. Por çfarë thonë specialistët? “Në produktet e BE dhe të gjitha vendeve të tjera e kanë në listën e tyre pjeprin për matjen e nitrateve. Po Shqipëria pse jo? Kjo është një rast unikal ose një antikap në Shqipëri që nuk përfshihet në listën e kontrolleve, sepse ky hyn në të njëjtën kategori siç hyn edhe shalqini dhe produktet e tjera” Duke parë sensibilitetin e opinionit Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, u kërkoi qytetarëve të mos u besojnë pajisjeve të pacertifikuara që gjurmojnë praninë e nitratit apo kimikateve të tjera në produktet ushqimore. Sipas saj, Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, është instituti përgjegjës për të gjitha analizat laboratorike, që kontrollon frutat dhe perimet që tregtohen në vend.

“Institucioni që është përgjegjës për të gjitha analizat laboratorike është ISUV, një institucion shtetëror i fokusuar në akreditimin e testeve laboratorike. Sot jemi 1361 kontrolle. Gjurmohet edhe ku ka produkte që mund të ketë përmbajtje të lartë të disa produkte si nitrati. Duhet të heqim dorë nga pajisje që nuk janë të certifikuara. Çdo produkt që mund të ketë indikacion të shkojë dhe të certifikohet në ISUV. Sot produktet bujqësore, sidomos nga zona e Myzeqesë, nuk ndodh që të mos kenë produkte të certifikuara”.

Ndërkohë, në mbledhjen para disa ditëve të Këshillit të Ministrave, u miratua një projektligj, që organizon rregullat për produktet organike të prodhuara në vendin tonë.

“Synohet që këto produkte të vendosen në tregun shqiptar sipas të gjitha standardeve të Bashkimit Evropian. Rregullohen parimet për certifikimin e operatorëve organikë, rregullat e kontrollit zyrtar në çdo fazë të prodhimit, përgatitjes, ruajtjes dhe shpërndarjes, importit dhe eksportit. Janë përcaktuar edhe autoritetet përkatëse, që do të kenë në përgjegjësi kontrollin zyrtar në çdo hallkë të zinxhirit të prodhimit organik”, u shpreh ministrja Denaj.

Ligji siguron dhe miratimin e listës së produkteve për mbrojtjen e bimëve dhe produkteve plehëruese, që përcaktohen në bujqësinë organike.Po pse kjo punë nuk ishte bërë deri dje? Kush mban përgjegjësinë për këtë problem për gjithë popullsinë e vendit? Përse Ministria problemet i merr nga populli dhe jo nga specialistët?

Prof Lush Susaj

Tek shalqini dhe pjepri janë nivele alarmante të nitrateve, ndërsa tek frutat më pak.

Tek perimet e vona dhe të hershme janë po nivele shumë të rrezikshme.

Ka aparaturë të thjeshtë që kushton 150 euro, që e kontrollon dhe lexon direkt në treg. Fermerët tonë nuk e kanë këshillimin e duhur bujqësor, pasi paratë e trajnimeve i marrin shoqatat e partisë. Agronomët janë lënë pa punë dhe po ikin përditë, duke lënë një shkretëtirë pas, ku Shqipëria ka më shumë nevojë për agronomë se sa për mjekë, por meqë punët po i bëjnë shoqatat, e kanë vrarë rolin e agronomit dhe të veterinarit. Të gjitha fondet i marrin OJF e shokëve të klaneve nepotike të pushtetarëve. Niveli i lartë buron nga përdorimi i lartë e pa kriter i plehut azotik (Uresë dhe Nitratit), nga ku rritet masa vegjetative dhe pesha e shalqinit dhe pjeprit, trangullit, domates, etj, por kështu rritet përmbajtja e nitrateve në frut. Nitratet kur depërtojnë në organizmin tonë nga konsumi i frutave shndërrohen në nitrite, që dobësojnë dhe denatyrojnë hemoglobinën e gjakut, nga ku njeriu ndjen vështirësi në frymëmarrje, nuk mbushet dot me frymë. Ky është shkaku i vdekjes se ngadaltë të eksporteve tona bujqësore, për këtë arsye na kthehen pas maunet e ngarkuara me shalqin, trangull, domate e pjepër, duke shkaktuar mbetjen e shalqinit në parcela, kalbjen në fushë dhe falimentin e fermerëve.

Kudo që të shkosh në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht nga demagogjia, nuk ke agronom, që kontrollon protokollin mbi kohën dhe dozën e plehërimit, dhe fermerët hedhin kuturu, pa ditur për pasojat.

Haxhi Balla, specialist i bujqësisë

Ky problem më ka shqetësuar vërtetë. I ndjek zhvillimet me shumë vëmendje. Me sa e njoh unë situatën administrative çdo rreth ka drejtori AKU, ndërkohë çdo bashki ka drejtori për sigurinë ushqimore. Po ku qëndron e keqja e mos funksionimit, në zbatim të ligjit?! Sepse këto segmente janë të korruptuara totalisht, rrallë bëhen procesverbale korrekte. Atje ku del tymi, nuk është pa gjë. Prandaj drejtorat ndërrohen shpesh, sepse nuk është gjetur ilaçi për të vendosur në punë AKU. Departamentet e bujqësisë janë përgjegjëse për këto nëse janë të vërteta. Ureja dhe nitratet nëse janë në këto përmasa janë të dëmshme për organizmin e njeriut. Kjo tregon se nuk ka kontroll dhe nuk ka agronomë në fshatra. Kështu specialistët e AKU si duket janë indiferent nuk ndjekin procedurat, por marrin pagën dhe tregu është jashtë kontrollit. Por më kryesorja ose bëjnë indiferentin ose agronomi neglizhon që duhet ta kontrollojë zinxhirin prodhues, e të mos lejojë abuzim me dozat e plehut dhe pesticideve. Nëse sa thuhen janë të vërteta kështu është vrarë siguria ushqimore, eksporti, reputacioni, çdo gjë.

Por ka dhe një problem tjetër disa herë mendohet se pesticidet nuk janë efektive dhe hidhen pa kriter. Kjo ndodh edhe pse është rritur ndjeshëm çmimi i pesticideve. Ndërsa situata me pesticidet është edhe më e rëndë, pasi në jo pak raste nuk e japin efektin e duhur (janë skarco), edhe në kushtet e zbatimit perfekt të protokolleve të trajtimit. Kështu prodhuesi i hedh pa kriter pa ditur dëmin që sjellin. Pra problemet e bujqësisë nuk kanë të sosur.