Portreti/intervista

Albert Z. Zholi: Flet prodhuesi i pijeve “Argjiro” dhe fansi i këngës labe, Flamur Brahimi

Flet Flamur Brahimi, prodhuesi i pijeve “Argjiro” dhe fansi i

madh i këngës labe

-Me këngën labe, vera dhe rakia “Argjiro” të shijon më shumë

– Kënga labe është monument i gjallë shpirtëror i trevës sonë të lavdishme.

– Me këtë këngë ne krenohemi dhe na veçojnë kudo në botë.

-Kënga labe nuk ecën vënçe pa rakinë “Argjiro”.

Albert Z. ZHOLI

Jashtë qytetit të Gjirokastrës në periferi, në rrugën që të çon në Çajup kanë kantinën e verës dhe të rakisë vëllezërit Brahimi me origjinë nga Zhulati i Gjirokastrës. Kjo kantinë me emër në jug të vendit mbart mbi vete emrin e bukur “Argjiro’. Thuajse hotelet më në zë të gjithë jugut të vendit furnizohen me verë dhe raki nga kjo kantinë, që prodhon me cilësi, konkurron dhe verërat më të mira franceze dhe italiane. Flamuri është një nga vëllezërit Brahimi, që ishte nismëtari i hapjes së një aktiviteti të tillë, i cili përbënte një risk të madh në fillimet e saj. Kjo pasi ende në sofrën shqiptare nuk është bërë traditë vera dhe aq më tepër kur verërat e huaja janë tepër të përhapura në tregun tonë dhe që kanë shekuj të tëra aktiviteti në këto lloj prodhimesh. Si një lab safi, Flamuri është shumë i apasionuar pas këngës labe. Ai është ndër ndjekësit dhe sponsorizuesit e kësaj kënge në grupe të ndryshme të zonës ku banon dhe kryen aktivitetin.

Pa këngën labe jeta duket bosh dhe po me këngën labe vera dhe rakia “Argjiro” të shijon më shumë, thekson ai. Kam shumë vite miqësi me Flamurin dhe mund ta quaj flamurtar të shqiptarizmës dhe krenar për origjinën e tij.

-Kur e keni filluar aktivitetin për prodhimin e pijeve të verës dhe rakisë?

Këtë aktivitet e kemi filluar në vitin 2008. Pasi morëm një eksperiencë ne Greqi dhe pasi gjithmonë kemi pasur një ndjesi ndaj pijeve tradicionale menduam të hedhim një hap në vendin toinë.

-Po pse në këtë vit, nuk duket paksa vonë dhe me risk, kur janë hapur shumë kantina të tilla kudo në Shqipëri?

Ashtu është në fakt, por secili ka riskun e vet dhe pa risk asgjë nuk ndërtohet. Në çdo nismë, në çdo aktivitet duhet dhe guxim, por edhe të marrësh parasysh riskun. Pa marrë në konsideratë këta elementë në çdo aktivitet do të jesh i dështuar. Pra e poqa mirë mendimin, pashë situatën

në zonë, pashë mundësitë sigurova dhe një kredi ahere e pashë veten të

sigurt se me këtë aktivitet do të realizoja ëndrrën time.

-Ku e siguroni rrushin dhe çfarë lloj rrushi? Sa hektarë hardhi keni në prodhim, ku e kultivoni?

Ne kemi 6 hektarë vreshtë që e kultivojmë vetë. Kemi dhe disa hektarë me qera. Pra të gjithë këtë hapësirë e ndjekim në të gjithë proceset e rritjes dhe deri tek pritja e prodhimit. Por përpos kësaj sasie ne blejmë rrush edhe jashtë vreshtarisë sonë. Kemi lidhur kontrata me disa fermerë të tjerë që kultivojmë rrushin që ne përdorim dhe kështu sigurojmë sasinë që aparaturat tona përballojnë për atë sasi vere dhe rakie që duam të prodhojmë.

Çfarë rrushi kultivoni dhe pse?

Ne kultivojmë rrushin “Vranac” një kulturë që vjen nga Maqedonia. Është një rrush i mirë me rendiment që nxjerr verë cilësore. Ky lloj varieteje është përshtatur në kushtet klimaterike ballkanike dhe ka dhënë rezultat edhe në tregjet botërore. Ky lloj varieteti tek ne ka hyrë në vitin 2007. Por ne kemi dhe varietete të ndryshme autoktone shqiptare si Shesh i Bardhë, Shesh

i Zi, Merlot, etj… Por Vranaci tashmë ka hyrë tek të gjithë vreshtaritë shqiptare pasi është shumë i përshtatshëm në klimë. Një rrugë e gjatë nga mbjellja e rrushit, rritja, spërkatja, hedhja në fuçi, zierja, përgatitja, nxjerrja, ndarja në shishe, pra një sërë fazash dhe procesesh, që duan

kohë.

-A justifikohet puna me prodhimin dhe prodhimi a ju shitet? A e ka kthyer në traditë Shqipëria e jugut verën?

Sigurisht që janë një sere procesesh që ne i kemi marrë në konsideratë. Në fillim ka vetëm humbje pasi fitimi vjen më pas. Dua të them se të gjithë verën dhe rakinë e kemi të

shitur. Edhe pse nuk është bërë traditë për vite të tëra, vitet e fundit duke pasur parasysh se shqiptarët lëvizin, janë në emigracion tashmë po e frekuentojnë verën, kryesisht atë cilësore. Por janë lokalet ato që thithin pjesën dërmuese të prodhimit tonë, kryesisht lokalet bregdetare, që kanë të përhapura gatimet e peshkut. Me një fjalë vitet e fundit ne kemi tregun

tonë, kemi lidhjet tona dhe shikojmë se vera po gjen vendin e duhur në tryezat shqiptare. Tregu ynë është në Gjirokastër, Sarandë, Delvinë, Vlorë, Durrës, por edhe në Tiranë.

-Ka konkurrencë të pandershme në këtë lloj aktiviteti?

Po. Prodhohet shumë në mënyrë artizanale dhe pa licencë. Secili prodhues ka

dyqanet e tij që furnizon me çmim jo real pasi është vetë përjashtuar nga taksat. Prodhim pa asnjë dokumentacion dhe pa asnjë detyrim në shtet. Na ikin disa klient.

Po jashtë e tregtoni verën?

Ah, nuk bëhet fjalë. Nuk kanë ende besim tek ky lloj prodhimi, por ka dhe

shumë procese doganore që kërkojnë kohë, angazhim dhe nuk janë në favorin

tonë. Thjesht ne kërkojmë tregun vendas.

Pse morët nismë për këtë lloj aktiviteti?

Thjesht se kemi tokat tona, kemi dhe dhuntitë tona sidomos në prodhimin e

rakisë. Pra duhej bërë një lloj aktiviteti për këto arsye.

-Jeni lab, çfarë lidhje keni me Shoqatën Labëria dhe me këngën labe?

Unë mundohem të ndjek sado pak çdo aktivitet të Shoqatës Labëria, por edhe

aktivitetet e grupeve të këngës labe, të cilat janë disa. Kam marrë pjesë në

disa aktivitete apo festivale të këngës labe brenda dhe jashtë Shqipërisë si në Turqi, Maqedoni apo Kosovë. Kënga labe shtrohet mirë me raki “Argjiro”, por edhe me verë. Kudo ku vete në këto festivale marr me vete rakinë tonë që e pëlqen gjithë Labëria. Pas aktiviteteve, me pak raki apo verë “Argjiro” ndizen zemrat tona, por dhe klubet e vendeve ku shkojmë ku pronarët

bashkohen me gëzimin tonë. Jam munduar të ndihmoj në mënyrë modeste këto

aktivitete, por e di se shpenzimet janë shumë dhe mundësia jonë nuk është e

madhe. Por të gjithë duhet të ndihmojmë Shoqatën “Labëria” të gjithë duhet

të respektojmë këngën labe. Kënga labe është zëri i zemrës tonë, është zjarri që na ngroh në çdo moment. Ajo është monumenti i gjallë shpirtëror i trevës sonë të lavdishme. Me këtë këngë ne krenohemi dhe na veçojnë kudo në botë. Lavdi Labërisë dhe këngës së saj.