Flasin Margarita Xhepa. Alida Hisku, Myfarete Laze, Luftar Paja, Kozma Dushi, Ermir Dizdari, Jorgo Papingji, Xhoi Jakaj, Zef Bushati
Kjo ditë është monumenti i Dashurisë gëzojeni me gjithë fuqinë e shpirtit
Shën Valentini mbetet shenjtëria e dashurisë njerëzore.
Albert Z. ZHOLI
-Ne të dy, s’jemi ëndërr, por dy pika vese rënë nga petalet e një trëndafili rozë…Mbi barin e sfungjertë, të blertë prehemi qetësisht, si një vegim vezullues. Thyejmë dritën e jetës, në mijëra pasqyra kristal, për të parë fluturimin magjepsës të zogjve shtegtare. Ata ikin, ne vështrojmë… Kë? Dashurinë tonë që është pjesë e fluturimit të tyre pa adresë.
Dita që gjëmon zemrat.
Sot është dita e dashurisë! Shën Valentini ka trokitur ! Pse festa e Shën Valentinit bie pikërisht më 14 shkurt? (E keni pyetur ndonjëherë veten?…) Është një rastësi apo ka një kuptim të veçantë? Në kalendarin romak, shkurti është konsideruar si muaji në të cilin njerëzit përgatiteshin për mbërritjen e pranverës, stinën e rilindjes. Kështu fillonin ritet e pastrimit: shtëpitë pastroheshin dhe ju hidhej kripë si dhe një farë e veçantë. Por në veçanti, në mes të muajit fillonin festimet në nder të zotërve, që i mbanin ujqërit larg nga fushat e kultivuara. Urdhri i priftërinjve të ngarkuar me këtë kult, i afrohej gropës ku sipas legjendës, ujkonja kishte rritur Romolon dhe Remon dhe ku kryenin sakrificat zbutëse. Gjaku i kafshëve përhapej pastaj në vendin përreth rrugëve të qytetit, si shenjë e pjellorisë. Ngjarja e vërtetë për rininë romake të asaj kohe ishte një tip lotarie dashurie. Çdo vajzë e re, në kohë për t’u martuar, vinte emrin e saj në një vazo dhe çdo beqar duhet të kapte një emër pa e parë, se për kë bëhej fjalë. Kështu formoheshin çifte, që shpesh përfundonin në martesë. Të gjithë i duam mendimet, vegimet, idetë, ku patjetër, duam të jemi pjesë e ëndrrës së dashurisë, e atij universi ku askush s’është i fuqishëm të depërtojë, por vetëm të ëndërrojë pafundësisht në kohën mes dy stinëve më të bukura jetësore…Dashuria të shtyn drejt madhështisë, sakrificës, guximit, marrëzisë. Në dashuri jemi si dy pika vese rënë nga petalet e një trëndafili rozë. Populli i ka thurur lavdet e tij kësaj ndjenje kaq të madhërishme duke e ngritur në tempujt e shpirtit dhe në zërin e zemrës. Dashuria është një zë nga brenda vetes, që kërkon të flasë, kërkon të dalë nga errësira, të thotë: Jetoj, për ty jam gjallë! Aty ku Hëna puth perëndimin dhe deti flladit mëngjesin me VAL. Çdo ëndërr dashurie ka një dëshirë, çdo dëshirë ka një realitet, dhe çdo realitet ka një realizim. Dashuria është liri dhe lumturi. Në dashuri pemët, anës rrugës s’ngelen veçse spektatorë të qeshur të një kohe të bukur… Kështu le të jetë kjo ditë një shkëndijë fjale, për të ndezur vullkanin e madh njerëzor për ndjenjën më fisnike të të gjithë kohërave.
Margarita Xhepa
Një ditë shumë e bukur. Një ditë specifike. Në sistemin monist ne nuk e kemi ditur ç’është Shën Valentini dhe nuk e kemi festuar. Ishte tabu një festë e tillë. Bashkë me demokracinë u bë e njohur dhe festa më popullore, më e bukura në botë, më e komentuara Shën Valentini. Një ditë plot gaz, hare, plot mirësi, dashuri, harmoni. Një ditë që ofron shumë buzëqeshje, gëzim lule dhurata. Për mua mbetet një festë pa ligje, por e ligjëruar. Një festë shumë e veçantë. Një festë që për mua s’duhet të kufizohet vetëm tek të rinjtë. Në këtë ditë të gjithë duhet të durojmë dhe të marrim urime për dashurinë njerëzore. Çudi se dhe mimozat çelin enkas në këtë ditë të bukur! Dhe mimozat janë simboli më i mirë i dashurisë. Kjo ditë na afron më shumë me njerëzit me të afërmit. Ndihem mirë në këtë ditë, sepse kam recituar shumë vargje të poetëve të shquar të gjithë botës. Kam përcjell vargje poetësh që të mbërthejnë dhe të çojnë në magjinë e bukur të dashurisë së sinqertë. Poetët i këndojnë më bukur dashurisë dhe unë kur recitoj të tilla vargje më duket sikur u jap njerëzve më shumë atmosferë dashurie të pastër. Do doja që ditë të tilla të kishim sa më shumë. Janë ditë të pastra qiellore që të mrekullojnë.
Kozma Dushi
Kujtdo kjo ditë zgjon kujtime, zgjon mendime, ëndrra. Në këto vite kjo është bërë festa më e spikatur, më sinjifikative, më e përbotshmja sidomos tek ne që deri dje nuk mundnin ta festonim. Por një ditë për dashurinë s’është asgjë përpara dashurive të mëdha jetësore mbarënjerëzore. Dashuria është e përjetshme dhe duhet të jetë e përditshme. Por dhe një ditë e përcaktuar është një emër i veçantë një emër që s’mund të tjetërsohet apo zëvendësohet. Kjo ditë është monumenti i Dashurisë. Kjo ditë është 14 shkurti. Gëzojeni me gjithë fuqinë e shpirtit.
Ermir Dizdari
Ndihemi sikur jemi bashkë me rininë në këtë ditë feste sipas mënyrës së gjithsecilit. Por dashuria nuk njeh moshë. Gjithmonë më duket se jam mes tingujve të orkestrës që drejtoj dhe ato përhapin fjalët: Dita e sotme të jetë më e bukur se kjo ditë plot diell që po më ndriçon shpirtin që e kam nisur fluturimthi për tek ty. Dashurohuni sa më shumë. Dashuria të zbukuron të fisnikëron.
Luftar Paja
Eshtë një ditë e bukur. Duket se sjell pranverën një muaj më shpejt….Duket sikur zgjon ndjenja të fuqishme dashurore njerëzore për të qenë më të butë, të paqmë, të sinqertë…Në këtë ditë kaq të bukur, disa janë çmendurisht të dashuruar, të tjerëve u pëlqen ideja e dhuratave, disa të tjerë duan të festojnë për inerci. Baza mbetet e njëjtë për çdo Shën Valentin: Ai nuk kuptohet pa dhurata. Një festë e të dashuruarve, e cila ka qëllim të na përkujtojë triumfin e dashurisë. Por ndryshe nga festat e tjera siç janë Krishtlindjet apo Viti i Ri, njerëzit për Shën Valentin kanë tendencën të presin deri në momentin e fundit për të blerë dhuratën për partneren për të qenë të gëzuar shpirtërisht. Në këtë ditë gjenden fjalët e duhura, lulet, ëmbëlsirat dhe çdo gjë që duhet të mbështjellë me letër të kuqe apo rozë, për ta përcjellë sa më bukur respektin për dashurinë. Dhuratat në këtë ditë janë gjëra që njerëzit i vlerësojnë, por që nuk do t’i blinin asnjëherë për vete në ditë të zakonshme. Sa e bukur kjo ditë që na afron dhe na zbukuron ditën. Gëzojeni!
Alida Hisku
Një ditë që dua të dhuroj sa më shumë lule, lule, buzëqeshje. Se gëzuam në rininë tonë. Le ta gëzojnë fëmijët tanë. Eshtë një ditë hyjnore. Unë shumë shkurt do ta përkufizoja dashurinë si dhe të dashuruarit: Të duash dikë s’mjafton 14-15 shkurti! Një vit ka 365 dit/net s’do bëja dallim kur është puna t’i japësh dashuri dikujt që e don më shumë se veten.
Luan Zhegu
Shën Valentini është dita më romantike e vitit, ku shumë të rinj e dërgojnë kartolinën e të dashuruarve me anë të zemrës. Paqe, dashuri, mirëkuptim, lumturi, gjatë kësaj feste. Në shekullin e 17-të, Puritanët amerikanë, që ishin një shoqëri e krishterë, me arsyetimin (se është dita e të dashuruarve) se është një besim i kotë, u munduan ta ndalonin. Edhe këtë herë dashuria triumfoi, dhe ata nuk ia dolën ta ndalojnë këtë festë. Sa na duhen festa të tilla? Ato janë qetësia shpirtërore në ëndrrat e rinisë pse jo dhe të çdo moshe.
Jorgo Papingji
Për poetët është dita më e bukur. Dita më frymëzuese. Gëzohem shumë në këtë ditë. Lumturohem. Më duket çdo gjë si një magji. Le të gëzojnë njerëzia aq më shumë rinia. Të duhen. Eh, ne dje s’na e lanë ta gëzonim, dhe pse ka një histori shumë të bukur. Kam lexuar shumë për këtë ditë. Sidomos kur vjen kureshtja më shtunë të lexoj dhe më shumë. Në shekullin e 18-të, shfaqen kartolinat e para për ditën e dashurisë. Ishte zakon që ato kartolina të punoheshin vet nga personi që do i dërgonte. Kartolinat zbukuroheshin me gërma të florinjta dhe dantella. Në to shkruhej poezi dashurie, dhe më pastaj dërgoheshin. Ndërsa disa kartolina zbukuroheshin me zemra dhe brenda i futej qeskë parfumi. Këto kartolina sot ruhen si antikitete të vlefshme nëpër muze. Muzeu më i bukur sot është përqafimi, ndjenja e sinqertë dhe pse dhurata mbetet dhuratë. Shën Valentini mbetet shenjtëria e dashurisë njerëzore.
Xhoi Jakaj
“Dashuria është ushqimi më i përsosur i shpirtit, trupit dhe i trurit”
Myfarete Laze
Në sistemin komunist as njihej, as festohej, as se kishim idenë e kësaj dite. Por të jem i sinqertë më pëlqen kjo ditë. Shoh që është dita më e bukur e rinisë, por dhe e gjithë shoqërisë. Shoh të qeshura, lule dhurata, gëzime. Një ditë e mbushur me atmosferë. Shumë keq që se kemi festuar dhe atëherë. U uroj këtë festë madhështore të gjithë çifteve të dashuruar, të fejuar, të martuarve dhe atyre, që akoma janë në kërkim të fatit me shpresë se mos vallë kjo ditë mos po ndikon për ndonjë simpati ndaj ndonjë partneri… Mos i harroni dhuratat, të çfarëdo natyre qofshin. Gëzoni partneret tuaja në këtë ditë…nëse nuk mundeni apo nuk keni dhurata, falni me gjithë zemër një “buzëqeshje”, sepse edhe buzëqeshja është një dhuratë zemre ndoshta më e ngrohta…
Zef Bushati
Dita e dashurisë, dita e të dashuruarve. “ Të kërkosh PSE- në në dashuri është njësoj si të kërkosh sipërfaqen katrore të një rrethi.” Kjo filozofi surealiste e dashurisë i jep vlera dhe justifikon ata që marrëzisht e duan njeri tjetrin. Ky është motivimi që meriton të festohet një ditë në vit si dita e të dashuruarve. Dashuritë janë pa fund në oqeanin njerëzor. Gëzuar 14 Shkurtin, ditën e të dashuruarve!
E dashur më dëgjon?!
Mos vallë ishe krijuar enkas që vetëm çasti që të kujtoj ty të më buzëqeshë? Të gëzohem si një fëmijë e lumtur me një gëzim të patreguar në sy kur të mendoj apo të dëgjoj zërin në telefon? E kur s’kisha shumë impulse në celular dhe s’mund të krijoja sms me vrap e zemër të drithëruar shkoj e ble kartën e re me zemër të drithëruar të ti nis ato fjalë të ndërthurura me dëshirë……me shpirtin mes yjeve udhëtoja për tek ty çdo mbrëmje edhe kur mendoja se s;jam e vetmja femër që ti flet. Dhe pse të duhen të gjitha këto? Ti s’ke kohë, kurse mua më duhet të paguaj çdo fjalë pa harruar dhe çmimin e shpirtit edhe netët pa gjumë, lotët. Dhe a e di se si e ndjej çdo sinjal apo mendim tëndin që m’i çon me idenë e të qenit në të njëjtin mendim në çdo kohë, apo kur je me vesh në celular?! Ndjenja është poezia e imagjinatës time për ty dhe kjo imagjinatë më çon me plot ndjenjat e mia tek ty Ndjenja po më thotë se ka gjëra më të rëndësishme dhe më të bukura se poezia. S’dua ta kuptoj dhe ta pranoj se koha punon kundër nesh për shkak të disa përgjigjeve që si mban dot as deti…më thuaj ëndrra ime pse ma dogje shikimin kur unë të shihja vetëm ty?!