Dita Botërore e librit dhe e kriza e së drejtës së autorit në Shqipëri
Shqipëria nuk po hyn në brazdën e standardeve, që kanë dhe vendet e BE
Albert Z. ZHOLI
-Miku im më i mirë është ai që më dhuron një libër, të cilin nuk e kam lexuar. (Abraham Lincoln).
– Një libër i bukur kthehet në një ngjarje në jetën time. (Stendal).
– Një shtëpi pa libra është si një dhomë pa dritare. (Horace Mann).
Tashmë kanë kaluar 29 vjet kur më 15 nëntor 1995, UNESCO shpalli 23 prillin Ditën Botërore të Librit. Kjo pasi u morën në konsideratë faktet se libri historikisht ka qenë instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive, si dhe mjeti më efikas për ruajtjen e tyre. 400 vjet më parë, më 23 prill 1616, u ndanë nga jeta Shekspiri, Servantesi dhe Garcilaso de la Vega, i mbiquajtur Inca. Thuhet se ideja e përkujtimit të Ditës Botërore të Librit e ka origjinën në zonën e Katalonjës, Spanjë, ku atij që blinte një libër, i dhurohej edhe një trëndafil. Kjo është arsyeja, për të cilën kjo datë domethënëse për letërsinë universale është caktuar nga Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s për t’i bërë homazh botëror librit dhe autorëve të tij dhe për të inkurajuar të rinjtë, që të zbulojnë kënaqësinë e të lexuarit, si edhe për të respektuar kontributin e pazëvendësueshëm, që kanë dhënë krijuesit për progresin social dhe atë kulturor.
Forma më e lartë e komunikimit njerëzor.
Letërsia, e cila mbetet një ndër format më të larta të komunikimit njerëzor, është një faktor ndikues në formimin e identitetit dhe luan një rol të madh në emancipimin e shoqërisë. Fuqia e saj mbetet e pamatshme përkundër ideologjive, pushtetit, që nuk kanë mundur ta kontrollojnë plotësisht. Sipas Franc Kafkës, duhet të lexojmë kryesisht ata libra që na “plagosin”, na brengosin thellësisht, sepse nëse një libër nuk të trullos, atëherë ç’kuptim ka? Ndaj një libër duhet të jetë “sëpata” që thyen akullin brenda nesh. Nga ana tjetër, novelisti britanik Clive Staples Leëis e ka cilësuar nevojën për të lexuar si një mënyrë për të bindur veten se nuk jemi vetëm. Pavarësisht se letërsia nuk ka funksion praktik në jetën e njeriut, ajo vlerësohet si ndërgjegja më e emancipuar e njerëzimit, ndaj të shkruarit me përgjegjësi të lartë artistike apo etike dhe intelektuale, mbetet një kërkesë e përhershme e shoqërisë. Në vorbullën e të shkruarit dhe të lexuarit dallohen lexuesi i specializuar dhe ai i kënaqësisë. Ky i dyti është më i popullarizuari. Është lexuesi që zgjedh të lexojë një vepër për të marrë kënaqësi estetike, për të marrë informacione dhe dije. E nëse do të flisnim për përfitimet e të lexuarit mund të rendisnim konkretisht disa: mund të parandalojë sëmundjen e Alzheimerit, është një faktor antistres, mund t’ju ndihmojë për t’u fokusuar më mirë, është faktor ndihmës i jetëgjatësisë. Nëse do të flisnim për letërsinë shqipe, për shkak të kushteve historike të vështira, ajo ka lindur përgjithësisht me vonesë. Në fillimet e letërsisë shqiptare janë veprat e Marin Barletit (“Historia e Skënderbeut”, 1508) dhe të humanistëve të tjerë, të botuara në latinisht. Libri i parë shqip është “Meshari” (1555) i Gjon Buzukut. Në periudhat e mëvonshme, ajo pati zhvillim të ndryshëm përgjatë Rilindjes, pas Pavarësisë, gjatë e pas diktaturës. Emrat e Dritëro Agollit, Ismail Kadaresë, Xhevahir Spahiut, Nasi Lera, etj, janë një nder për letërsinë shqipe. Me rënien e diktaturës u botuan veprat e ndaluara dhe të dënuara gjatë sundimit komunist të shkrimtarëve të ndryshëm, si Petro Marko, Kasëm Trebeshina, Pjetër Arbnori e shumë të tjerë. Gjatë rrugës komplekse të letërsisë shqipe vlen të përmendet zhvillimi i saj brenda kufirit të shtetit shqiptar dhe jashtë tij.
Historia e librit
Historia e librit fillon me paraqitjen dhe zhvillimin e shkrimit, dhe sidomos të paraqitjes së shpikjeve të ndryshme të kohës si p.sh. letra dhe shtypi, gjë e cila ka vazhduar deri në biznesin e ditëve moderne të shtypjes së librave. Historia më e hershme e librave në të vërtetë fillon me ato që në mënyrë konvencionale në të ardhmen do të quheshin “libra” duke nisur me tableta dylli, rrotulla dhe fletë papirusi. Pastaj u shfaqën dorëshkrimet e lidhura, të shtrenjta dhe të hollësishme të njohura ndryshe si kodikë. Këto i dhanë rrugë vëllimeve të shtypura me makinë gjë që përfundimisht ndikoi në paraqitjen e vëllimeve të shtypura në masë e që mbizotërojnë edhe sot. Librat bashkëkohorë madje mund të mos kenë prezencë fizike me paraqitjen e të ashtuquajturit e-libri (e-
Lista e librave të parë të shënuar
Jikji, konsiderohet të jetë libri i parë i shtypur, i njohur deri më tani, 1377. Bibliothèque Nationale de France, Paris. 1377:
Jikji është libri i parë 1377 shtypur edhe nga prifti budist korean (Mësime të zgjedhura të urtësive budiste dhe mjeshtërve seon – Selected Teachings of Buddhist Sages and Seon Masters).
Shënime të shkruara me dorë nga Christopher Columbus në botimin latin të Marko Polos Le livre des merveilles.
1455: The Gutenberg Bible (in Latin) libri i parë i shtypur në Evropë nga Johannes Gutenberg.
1461: Der Ackermann aus Böhmen shtypur nga Albrecht Pfister, libri i parë në gjuhën gjermane.
1470: Il Canzoniere i Francesco Petrarca libri i parë në gjuhën italiane.
1472: Sinodal de Aguilafuente libri i parë në gjuhën spanjolle.
1473: Chronica Hungarorum libri i parë në Hungari. Shtypur nga Andreas Hess në Bud
1474: Obres e trobes en llaor de la Verge Santa Maria libri i parë në gjuhën valenciane, në Valencia.
1475: Recuyell of the Historyes of Troye libri i parë në gjuhën angleze.
1476: La légende dorée printed nga Guillaume LeRoy, libri i parë në frengjisht.
1476: Aristotle‘s De Animalibus, libri i parë në fushën e biologjisë, (përkthyer nga gjuha greke) ky libër është një version tjetër nga ai i Albertit të Madh, përkthyer nga gjuha arabe prej Michael Scot.
1476: Grammatica Graeca, sive compendium octo orationis partium, libri i parë i shtypur në gjuhën greke, nga Constantine Lascaris.
1477: Edicioni i parë i librit Geographia nga Klaudio Ptolomeu, në Bolonjë, libri i parë me ilustrim.
1555 Libri i parë i shtypur në gjuhën shqipe titulluar “Meshari”,dhe përkthyer nga prifti Gjon Buzuku.
Të drejtat e autorit shqiptar të nëpërkëmbura.
Në më shumë se tri dekada të tranzicionit në Shqipëri është i dukshëm liberalizimi në tregun e botimeve, të publikimeve dhe të transmetimeve të krijimtarisë audio e video të autorëve vendas dhe të huaj. Nga një vend i izoluar me censurë të pashembullt dhe me fobi ndaj produkteve perëndimore, që konsideroheshin si “dekadente dhe kundër moralit të shoqërisë shqiptare”, u kalua në një situatë ku pronësia intelektuale nisi të qarkullojë pa kurrfarë problemi. Fondet muzikore, filmat, dokumentarët, botimet e literaturës më të mirë botërore, krijimtaria shkencore apo gjithçka tjetër e krijuar nga autorë të huaj e vendas nisi të riprodhohej, shpërndahej, apo përvetësohej për qëllime fitimi ose jo nga gjithkush. Kjo shpërndarje dhe përvetësim është bërë pa bërë asnjë procedurë paraprake për të marrë pëlqimin, pa paguar asgjë për këtë përdorim. Cënimi i të drejtës së autorit bëhej jo vetëm nga tregtarë të vegjël buzë trotuareve, por dhe në veprimtari biznesi të strukturuara dhe me qarkullim të konsiderueshëm monetar, nga operatorë radio televizivë, nga institucione shtetërore të të gjitha niveleve etj. Krahas përpjekjeve që kanë bërë vetë autoritetet në Shqipëri për të punuar në përmirësimin e gjendjes sa i takon respektimit të së drejtës së autorit, vitet e fundit ka patur dhe një suport nga BE me projekte konkrete. Në thelb kjo mbështetje e fut Shqipërinë në brazdën e standardeve, që kanë dhe vendet e tjera anëtare të BE në këtë aspekt. Por mesa shihet ende edhe sot nuk ka një respektim të ligjit në këtë fushë qoftë dhe nga vetë strukturat përgjegjëse. Nuk po shohin dritë efektet pozitive që vijnë nga respektimi i të drejtave autoriale ku t’i ndjejnë në rradhë të parë ata që i meritojnë ata që prodhojnë, krijojnë, botojnë. Duhet të jenë të parët ata që të shijojnë se si e drejta e autorit jep efekt në mbarë demokratizimin e shoqërisë.