Portreti/intervista

Albert Z. Zholi: Bisedë me piktorin Muhamet Kërpaçi

Flet piktori Muhamet Kërpaçi:

 Kam botuar 1000 karikatura në shtypin shqiptar dhe të huaj.

Aktualisht pikturat e mia janë  në 34 vende të botës

-Në Shqipëri pëlqejnë pikturën klasike, në botë atë abstraksioniste

Albert Z. ZHOLI

Muhamet Kërpaçi ka lindur në Kukës më (7 Mars 1958. Ka përfunduar studimet e larta në vitin 1980. Nga viti 1984, është Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Në vitin 1987, anëtar i Bashkimit të Gazetarëve të Shqipërisë. Ka botuar 1000 karikatura në shtypin shqiptar dhe të huaj. Në vitin 1989 është nderuar me çmim të parë për karikaturë në konkursin kombëtar të Bashkimit të Gazetarëve të Shqipërisë si edhe çmime në organet e ndryshme të shtypit. Ka marr pjesë në ekspozita kolektive dhe kombëtare në karikatura dhe pikturë nga viti 1984-1990 në Tiranë, Shkodër, Elbasan, Berat, Çorovodë, Gramsh, Tepelenë, Përmet, Pogradec, Librazhd, Gjirokastër, Sarandë, Burrel, Mirditë. Gjatë viteve ’90 ka hapur një sërë ekspozitash, vetëm dhe në bashkëpunim. Në vitin 1978 ekspozita e parë në Shkodër në Klubin e Rinisë Heronjtë e Vigut organizuar nga Drejtori Ferdinand Bushati. Në vitin 1984 në Sarandë, Ekspozitë e përbashkët me karikaturistin e mirënjohur Kosta Raka. Në vitin 1993, ka hapur ekspozitë personale pikture në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Në vitin 1994 ekspozitë pikture në “Te & Ge” në Tiranë. Në vitin 2003 ekspozitë pikture e përbashkët në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë me piktorin gjerman Dietrich Schoenfelder (sekretari i parë dhe Atashe kulturor i Ambasadës Gjermane në Tiranë). Në vitin 2004 ekspozitë e përbashkët me piktorin gjerman Dietrich Schoenfeldernë në Hotel Rogner Tiranë. Në vitin 2013 ekspozitë në Muzeun Historik Kombëtar. Në vitin 2015 ekspozitë pikture në Muzeun Kombëtar. Në vitin 2015, 14 shtator, me rastin e 193-Vjetorit të Pavarësisë Kombëtare të Brazilit në Muzeun Historik Kombëtar. Në vitin 2017 ekspozitë në Muzeun historik kombëtar Tiranë. Qershor 2022, në Tiranë. Ekspozitë për pikturë (Qendra kulturore e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Tiranë.)Në vitin 2003 ka hapur një ekspozitë pikture të përbashkët në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë me piktorin gjerman Dietrich Schoenfelder. Më të njëjtin piktor hapi një tjetër ekspozitë një vit me vonë në Hotel Rogner. Gjithashtu në Muzeun Historik Kombëtar ka hapur ekspozitë në 2013 dhe ne 2015. Pikturat e Muhamet Kërpaçit janë në koleksione private në 34 vende të ndryshme të botës. Muhamet Kërpaçi quhet piktori që është bërë shumë i njohur për karikaturat e tij të shumta. Si artist kontemporan dhe me stilin e tij agresiv ka tërhequr vëmendjen e shumë artdashësve.

–          Si lindi dëshira juaj për pikturë?

–          Unë qysh në fëmijëri kisha dëshirë të pikturoja. Por më shumë të bëja karikatura. Doja të qeshja dhe të qeshnin me punimet e mia. Nëse shokët e mi merrnin topin e luanin unë më shumë se topin doja lapsin, ndaj merrja një copë letër dhe një laps dhe bëja portrete, apo objekte të ndryshme. Edhe në ëndërr më dilnin pikturat.

–          Cilat ishin pikturat tuaja të fëminisë?

–          Nga më të ndryshmet, por kryesisht si karikatura, peisazhe, objekte rreth  e përqark, portrete shokësh, natyra të qeta, por sigurisht mbizotëronte karikatura dhe peisazhi. Deri kur përfundova shkollën 8-vjeçare çfarë nuk kisha pikturuar. Çdo gjë që shihja unë e pikturoja.

-Ëndrra juaj u realizua kur shkove për studime në Universitet?

Sigurisht, ishte ëndrra në sirtar. Në Universitet atë kohë futeshe vetëm me zotësi. Nuk mund të ndërhyje nëse nuk kishe dhe mesatare. Unë përfundova studimet për Histori-Gjeografi.

 

-Pas përfundimeve të studimeve përveç mësimit, kryesisht u more me karikaturë?

Në atë sistem i jepnin shumë rëndësi karikaturës madje paguheshin shumë. Kishte disa organe shtypi që botonin karikatura dhe karikaturistët në atë system njiheshin më shumë se piktorët pasi ishin të pakët. Ishte revista “Hosteni”, revista “Shqiptarja e re”, “Nëntori”, revistat për fëmijë, gazeta “Zëri i Rinisë” etj që kërkonin shumë karikatura, apo ilustrime me piktura.

 

-Sot a mund të jetohet me pikturë?

Kjo varet nga piktori. Sot duhet të njohësh tregun, sepse tregu është i ndryshëm. Në Shqipëri kërkohet piktura klasike, portreti, peisazhi, natyra e qetë, ndërsa jashtë kërkohet piktura moderne, kontemporane, abstraksioniste. Shumë piktorë shqiptarë në botë kanë bërë emër dhe para me të dy gjinitë por jashtë kryesisht me atë konteporane, abstraksoniste.