“Kjo është si ajo fjalia një budalla hedh një gur në lumë e duan 500 të mençur ta heqin”.
Aktorët e vjetër korçarë, mjeshtra të vërtetë, të cilët kanë marrë pjesë në filmat e para vitit 1991, e kanë kundërshtuar nismën e Partisë Demokratike për të fshirë filmat e kohës së socializmit.
Koço Qendro, i njohur për dhjetëra role në filmat e vjetër shqiptarë, tregon se ky veprim dëmton kinematografinë.
“Në asnjë mënyrë nuk duhet vënë dorë në ato, në atë kohë të ishte vënë kufiri te thana. Kanë interpretuar aktorë të mëdhenj, Kadri Roshi e tjetri e tjetri”, tha ai.
“Aktorë që i bëjnë nder skenës kombëtare, të hedhësh baltë mbi ata njerëz që në ato kondita të vështira kanë krijuar ato figura brilante dhe nderojnë skenën shqiptare në arenën botërore”, u shpreh aktori.
Qendro pati dhe një mesazh drejtuar atyre personave që kanë propozuar këtë nismë.
“Ata duhet t’i vëne gishtin kokës. E të mendojnë se është jo vetëm e shëmtuar që të bësh një gjë të tillë, por nuk është e ndershme”, tha ai.
“Nëse ke gjak shqiptari edhe nderon vërtet ato figura që janë të ndritura, sepse këtu kemi të bëjmë dhe me autorë të ndritur, por aty ishte kufiri.
Mos harrojmë që dhe filmat që nuk u interesojnë disave, që sot bëhen trima atëherë ishin futur nëpër vrimat e miut e nuk dilnin. Le të dilnin e atëherë të flisnin”, tha aktori.
Një tjetër aktor i madh shqiptar Petrika Riza tregon se ky është një diskutim i cili kërkon të heqë vëmendjen nga problemet e rëndësishme që ndodhin në Shqipëri.
“Mendoj që është si për të shpërqendruar vëmendjen nga probleme shumë më të rëndësishme që ka Shqipëria në këto momente, të merren njerëzit me një problem qe nuk është problem e që nuk duhet të jetë problem.
Kjo është si ajo fjalia një budalla hedh një gur në lumë e duan 500 të mençur ta heqin”, tha ai.
Stavri Shkurti, Thimi Filipi, Vangjel Grabocka, çifti Orgocka, çifti Trako, Jani Riza, Sotiraq Cili, Spiro Karanxha, Pandi Raidhi, Llazi Sërbo, Minella Borova, etj janë disa prej aktorëve të njohur korçarë periudhës së mëparshme të cilat kanë marrë pjesë masivisht në shfaqjet dhe filmat shqiptarë.