TIRANË, 7 nëntor /ATSH/ Bregdeti i Orikumit, në Vlorë është një nga 14 pikat, ku në kuadrin e zbatimit të Planit Kombëtar të Veprimit, po punohet për pastrimin e zonës, proces, i cili që do të vijojë pandalshëm përditë në të gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë, në bashkëveprim me pushtetin vendor, si edhe me qytetarët.
Kryeministri Edi Rama u ndal në këtë pikë për të ndjekur në terren ecurinë e procesit.
Problematike vijojnë të mbeten ndotjet e prodhuara nga subjektet private, për të cilat Kryeministri Rama theksoi se edhe penalitetet e parashikuara në ligj do të ashpërsohen.
“Kush ndot do të penalizohet. Penalizmi kryesor do të vijë nga ndotësit kryesorë dhe ndotësit kryesorë janë subjektet private, hotele, restorante, fabrika, të gjithë ata që ushtrojnë aktivitet që prodhojnë më shumë mbeturina. Duke patur parasysh bregdetin ata që janë aktivë në sezonin e verës si biznese, do të kenë gjoba shumë më të larta, por edhe për individët patjetër që gjobat duhet të jenë shumë më të larta. Por, përtej asaj se sa të larta i vemë duhet të kemi një nivel tjetër zbatimi dhe këtu është shumë rëndësishme të përfshihet me shumë më tepër përgjegjëshmëri Policia e Shtetit sepse është detyra e çdo punonjësi policie në çdo zonë që të jetë syri i shtetit dhe pastaj inspektorët përkatës të bëjnë punën e tyre. Por, jam i bindur se nëse do t’i qëndrojmë shumë fort këtij plani do të arrimë ta vëmë në vijë këtë punë dhe ta bëjmë të pakthyeshme” – u shpreh Kryeministri.
“Është një tjetër pikë ku në bashkëpunim me forcat e armatosura janë vendosur grupe njerëzish, të cilët po pastrojnë. Siç e pamë edhe tek pylli i Sodës, por këtu më pak sepse është një zonë më e mbrojtur në fakt, mbeturinat nuk janë të një jave, nuk janë të një dite, janë praktikisht mbetje të akumuluara prej vitesh” – u shpreh ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, e cila shtoi se një plan i detajuar po përgatitet për të gjithë qarkun e Vlorës.
“Pas këtij pastrimi që po bëhet nga të gjitha forcat bashkë ne na duhet që të ndërtojmë sistemin dhe sistemin pa asnjë dilemë duhet ta mbajë bashkia, qoftë në Vlorë, qoftë në Himarë, qoftë në Sarandë. Ne po bëjmë një plan pune që shtrihet në të gjithë qarkun e Vlorës. Javën tjetër do ta organizojmë këtë me pjesë të tjera të bregdetit sepse është po kaq problem Kavaja, po kaq problem Durrësi dhe sidomos në zona ku kombinohet pjesa urbane me pyjet aty shikojmë që është gati si territore pa zot, në fakt janë territore po aq të bashkive. Unë mendoj që nga muaji nëntor që jemi deri në muajin maj do të krehim të gjithë territorin në mënyrë të përqendruar dhe të jemi gati për sezonin turistik” – u shpreh Kumbaro. /a.a/