Opinion

AKREPAT E ORËS BIEN ALARM

Përgjatë shekullit që lamë pas kishim idealet e botës së re. Që nga koha e Gjergjit të madh, Kasriotit, me mësimin e tij, perëndimi u zgjodh nga ne për familje. Të dyja këto vinin nga nevoja për të ikur nga e keqja dhe dita – ditës u mishëruan në vetëdijen mbledhur si civilizim, të drejtat dhe liritë e njeriut. E aspironim  lirinë tonë dhe çmonim lirinë e popujve tjerë. Secili në lirinë e vet. Sikur donim të bënim gjithë gjënë e mundur për lirinë tonë, i admironim përpjekjet e popujve për lirinë e tyre anë e kënd botës. Njësoj e donim Kataloninë e lirë, Baskinë e bashkuar e të lirë, Irlandën e bashkuar e të lirë, Afganistanin e lirë, Kurdistanin e bashkuar e të lirë, Aparteidin e përmbysur dhe Afrikën e jugut të lirë, Nigerinë e Eritrenë, Çeçeninë, sikur Algjerinë e përpjekjes së çlirimtarëve të saj e të vetëdijes De Goliste. Kë jo tjetër! Bënim për lirinë e Kosovës me vise dhe aspironim Shqipërinë e bërë. Kishim krijuar bindjen se errësira e dogmës fetare ishte çrrënjosur njëherë e mirë dhe kombi ynë kishte hyrë në rrugën e emancipimit sikur e deshën Rilindasit. Mendonim se koha kishte vulosur fjalën e vet dhe feja tashmë ishte bërë një diçka krejt private, relikë vetanake e individit mes zotit në paprekshmërinë e tij dhe fuqisë së natyrës, ligjësisë së saj në kërkim shkencor, të cilën njeriu nuk kishte më nevojë ta bashkonte as ta ndante me asnjërin, pa qoftë edhe familjar, sepse ajo më nuk ishte shteti dhe nuk mund të rrezikonte me errësirën e saj të fandakosjes, as të dogmës e  as të pushtuesve. Por, ç’e do dëshirën kur deformimi ta thyen besimin, të vret me zhgënjimin. Ne që një shekull të tërë përpjekjeje për çlirim nga Serbia fajsuam me të drejtë edhe për pushtimin serb pushtimin turk, në një ditë të kthjellët kur liria erdhi pamë Hashim e Fatmir, e goxha si këta, të bashkuar në çlirimtarë e zuzarë, varg e vi, ku xhamive e ku shesheve, në kërkim të “allahut të votave”. Ata hapën derën dhe mbollën çmendinë, pa kuptuar se për ta rritur të keqen që mbollën me sharlatanizmin e tyre politik do rendnin kujdestarë pafund nga e shkuara jonë pushtuese.  

1) Serbia nuk e humbi rastin. Ajo, sikur ishte në kërkim të mundësisë së re për të na goditur po priste hapin tonë të gabimit që të mund ta modifikionte luftën e saj kundër nesh. Ajo u kujdes e po kujdeset me plan e buxhet përmes linjave të saj të spiunve të djeshëm e të sotëm ta gdhendë mbi ne figurën e islamit politik, fillimisht si orientim të popullit shqiptar në Kosovën me Vise dhe pastaj si veshje institucionale, identitet shpirtëror e shtetëror!?  

2) Është e çuditshme se si u bashkuan lukunia e hoxhallarëve dhe argatëve serb (ish zyrtarë shtetërorë serb e deri të përfolurit hafije) në të djeshmen e shpejtë të pasluftës çlirimtare. Por, më shumë se kaq, çuditë heshtja e sotme e një pjese të ish shokëve veprimtarë të ilegales dhe luftës çlirimtare, të cilëve po u imponohet bashkëjetesa nën diktatin e rreshtimit të islamit politik nëpër partitë ku ata militojnë. Riardhja e fuqishme e Turqisë me ëndrrën erdoganiste të ringjalljes perandorake është poashtu derë e hapur nga gjithë liderët e shtyrë për votë e ndoshta edhe jargëve për fonde. Ajo po rrënon shoqërinë tonë me islamin e “madhërishëm” sulltanor që po mbjell përmes fondeve të saj të nëndheshme e të mbidheshme. Delirantë, që ia shesin shpirtin djallit për qyrkun e ditës dhe sahanin e hyrijave të shtratit a të gushës, ka patur dje e ka edhe sot ky vendi ynë! Uroj të mos ketë nesër!  

Është e freskët në kujtimin tonë festa e Turqisë në kujtim të luftës së Çanakalasë, asaj lufte ku shtigjet e gjata mbanin anët e rrugës me kokat e shqiptarëve të ngulura në hunj në çdo dhjetë metrat e saj. Kësaj dhimbjeje historike ia pinë kupën e turpit në dolli me ëndrrën sulltanore të Erdoganit z.Limaj me një suitë jo të paktë as për nga numri, por as edhe nga dukja, thua se nuk kishte e sotmja jonë shembuj të mirë shqiptarë se si nderojmë historinë tonë, thua se nuk kanë shqiptarët mbamendje historike të gdhendur në monumete, po u desh të kamuflohej kjo shtrirje koke me kinse marrje përvoje.  

Të paditurit gabime prodhojnë. Bota nuk njeh vepër arti më komplete në rrëfimin e saj se sa monumenti “Nënë Shqipëri”. Ajo nuk është me masa biblike të metrikës për të kapur qiellin e për të pushtuar me madhështinë e masës, as për të fituar peshë me pushtimin e hapsirës. Ajo kap lartësitë që di t’i kapë shpirti liridashës, përpjekja çlirimtare, krenaria e fitores dhe Hiri i saj. Ajo rri ulur në shtratin e lirisë. Më shumë se kaq nuk ka komision as artist që di e mund t’i jep nga shkëlqimi i vet “Epopesë së Jasharëve”.  

Në Çanakala nuk u shkua (sa do që të trumbetohet ndryshe), për madhështinë e kujtesës së saj, e cila për humbjet e jetëve shqiptare është krim e dhimbje pa fund, por atje po shkonte promovimi i ëndrrës sulltanore të Erdoganit, dhe padyshim atje ra rendja për sejmen nga e tërë e shkuara perandorake osmane, ku edh shqiptarët nuk munguan. Ndryshe do pyeteshim: Po tre “ekspertët e artit klasik a modern shqiptar” Fatmir Limaj, Bekim Jashari dhe Bisllim Zogaj me ca kokrra zhagmbajtësish, ç’vlera na sollën nga kupa e thyer morale e Çanakalasë? 

3) Islami politik arab në luftën e tij me perëndimin gjithmonë ka kërkuar shtigje. Ai në kërkim të rrugëve të reja dhe mundësive që ofrojnë popullsitë me besim islam e shtynë fandakosjen ekstreme me fonde e ideologji deri në lartësimin hyjnor të flijimit. Ai ia ka dalur ta bëjë këtë brenda nesh, tashmë më shumë se vetëm rrugë depërtimi. Kohëve të fundit ai nuk ka ngurruar ta shtrijë edhe  përdorjen për aktet e fundme, qoftë në terrene lufte në Azi qoftë për akte sulmi e logjistike në Evropë. Këtë të keqe sikur e shestuan tjerët po e sheston sot edhe rendësi pas çdo vote z.Kurti.  

Se çfarë do të prodhoj shestimi nga ana e z.Kurti në LVV i tendencës së rreshtimit institucional përmes trysnisë së trinisë së të keqes, figurshëm Islamit Politik, do të shohim në kohët që do vinë. A do të bëhet LVV-ja ngulfatësja përfundimtare e kësaj tendence me inercionin e pushtetit lider sikur është zakoni te ne, ku lideri e bënë rreshtimin të djathë a të majtë, islamik a të krishterë, fashist a komunist, nacionalist a globalist me një fjalë të vetme goje, këtë nuk e dimë. Z.Kurti mud ta besojë këtë, por ne si shoqëri kemi nevojë për fakte dhe ai mbetet të na e dëshmoj këtë në të ardhmen.  

Serbia po kërkon ta ndërtoj dhe ekspozoj figurën tonë të islamit politik fundamentalist, Turqia shtrirjen e kokës sonë për “baba dovletin”, islami politik (errësira arabe) shtratin e rrugëtimit drejt përëndimit, logjistikën e tij. Kjo trini e të keqes, po tenton të njëjtësohet në pushtetbërjen tonë si trinia hyjnore; e Atit, e të birit dhe e shpirtit shenjtë, në një të vetme, në Hyun. Identifikimi ynë me të keqen e islamit fundamentalist politik si petk degradimi civilizues dhe i veshur ku e ku në nuancë për identifikim shtetëror do përbënte fitoren e të keqes mbi ne. Këtë të keqe sado që koha do ta mund, njollat e saj po na spërkatën do ta kemi të vështirë t’i fshijmë!  

Ndaj, Lëvizja u flet bijëve të saj: 

Shteti dhe politika mendonim se ishin ndarë njëherë e mirë dhe përfundimisht nga feja edhe si vetëdije njerëzore, dhe përtej asaj ligjore, përtej stisjes që imponon jo pak herë mbijetesa në rrethanë. Mendonim se i detyroheshim vetëm bërjes së lirisë, bashkimit të atdheut, ndërtimit të shtetit ligjor dhe barazisë sociale.  Donim të ruanim veçoritë tona për ta pasuruar mozaikun e kulturës njerëzore. Me një fjalë… kishim shumë ëndrra! Por, ama, ato i shihnim me sytë qelë, duke i ndërtuar dita – ditës me murin që thurnim në rritën tonë nëpër numër bashkimi, me rritën tonë në përgatitje, me rritën tonë në mësim të përvojës njerëzore, pa e humbur asnjëherë  nga zemra e shpirti, nga sytë e duart vepruese, qëllimin madhor. Pa e zvenitur asnjëherë njerëzoren brenda nesh, pa iu nënshtruar asnjëherë mosbesimit dhe asnjë tundimi, pa iu shtruar asnjëherë asnjë dogme. 

Lëvizja ka ditur gjithmonë të gjej fushën e betejës, ta detektojë nevojën e angazhimit. Sot përvojës së tillë i shtrohet kërkesa e kohës, lufta me trininë e të keqes. 

Në rrugëtimin drejt lirisë Kosova me vise barti vulën e shumë pushtimeve. Jo pak herë ajo u ndesh me nevojën për kapërcime të mëdha, për kujdes nga ajo që i servirej. Kleri pati kohën e tij, bëri punën për mirë e për keq, kah do që qe rreshtuar u bë me zë në shoqëri. Koha jonë ia preku me shumë dhimbje anën e shërbesës për armiqtë, por ndër ta pati jo pak edhe patriotë që lanë gjurmë në mbrujtjen e idealeve tona. Sot me praktikimin e besimeve janë përzier edhe ndërmarrja e re e sortës së vjetër, të djeshmit e anësimit ka Serbia, argatët e saj. Figura të vjetra a të reja qofshin, ato ruajnë zakonin e vejtër të shërbesës antishtqiptare dhe janë bashkuar në ngrehinën e re të ndërmarrjes së tyre. Si shoqëri e shtet na takon ta luftojmë të keqen ku hap i parë mbetet si gjithmonë mos heshtja para saj, moskoketimi me të dhe vetëdijësimi brenda rreshtimit politik, po aq e hapur edhe në rrafshin e përgjithshëm! Akrepat e orës ka kohë që bien alarm.